10 paradokse në ditë

User1
2 0

Shkruan Elvis Hoxha

1. Lulzim Basha deklaroi se ka luftuar gjatë për rënien e komunizmit, madje ia paska dalë. Pastaj tha se beteja sapo ka filluar. Nuk e kuptova, ka filluar beteja më herët, apo ka nisur sapo. PD-ja ka fituar, derisa Basha është kaq i lumtur. Por duhet vlerësuar një gjë: Basha nisi të thërrasë më me forcë se kur ishte në opozitë për tetë vite.

2. Disa socialistë po thonë se nuk duhet të vijë kurrë në pushtet partia e komunistit Sali Berisha. Si duket sipas tyre duhet të rrijë përjetësisht në pushtet partia e komunistit Gramoz Ruçi.

3. Zijadin Sela përshëndet Edi Ramën, dhe ka plotësisht të drejtë. Por është mirë mos të përgëzojë për cilësinë e zgjedhjeve, sepse pastaj është mirë që të përshëndesim të gjithë së bashku edhe Ali Ahmetin. Ne e dimë se zgjedhjet në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë zgjedhjet e një populli të varfër, por të mjerë. Vota në Shqipëri është ajo e mjerimit, dhe në këtë rast nuk ke për çfarë të përgëzosh.

4. Hashim Thaçi i deklaron Ramës gëzimin e tij të madh pas zbulimit që ka bërë se dëshmorët e UÇK-së janë vrarë më kot, pasi betimi i tyre për bashkimin e shqiptarëve rezulton sipas Thaçit pamundur. Ai na kishte njoftuar, nga pozitat e presidentit të Republikës së Kosovës, se Vuçiçi dhe ai vetë nuk ishin problematic guys. Ndoshta njerëzit që mendojnë për bashkimin e shqiptarëve janë problematikë.

5. Vuçiçi e njoftoi popullin shqiptar se po të humbë Rama, atëherë fiton Berisha,pra veriu. Dhe Vuçiçit i takon të ndajë veriun dhe jugun shqiptar, pasi veriu i njeh më mirë bëmat e Vuçiçit, ndërsa jugu jo. Dhe Rama e kreu porosinë.

6. Socialistëve nuk mund t’ju flasësh për shkatërrimin e pasurive të Shqipërisë. Ata duan suksesin e partisë. Ndërsa demokratëve nuk mund t’i thuash se Basha nuk po e kryen detyrën e kreut të opozitës, sepse ata janë me kryetarin. Kaq e vogël është Shqipëria, sa një parti e një kryetar.

7. Zgjedhjet u kryen dhe ato janë ndoshta më të shtrenjtat në historinë e Shqipërisë. Duhet të rifitohen paratë e blerjes së votës, kështu që programi i partisë në pushtet është i qartë: shiteni shpirtin dhe kombin për zgjedhjet e radhës.

8. Studjuesit përpiqen të gjejnë se cilës datë i përket ndërgjegjja e votuesit shqiptar. Më duket se ky votues është i pamoshë. Me shkollë apo pa shkollë, në qytet apo fshat, votuesi shqiptar është sot i lumtur. Votuesi i PS-së ka fituar, por edhe votuesi i PD-së, sipas kryetarit të saj, paska fituar. E kur dy parti kundërshtare fitojnë në Shqipëri, dijeni mirë se Shqipëria ka humbur.

9. Votuesi i Shqipërisë nuk ka moshë. Ai ende nuk është politik. Deputeti në parlament nuk është deputet por i forti i lagjes, ministri nuk është ministër por një sekser i madh, biznesmeni nuk është talent, por grabitqar.

10. Edhe një herë, i varfri nuk është detyrimisht i mjerë, ndërsa i mjeri nuk është detyrimisht i varfër. I mjeri, sado i pasur, ka mendësi skllavi, ndërsa i varfri mund të jetë fare mirë fisnik. Në shoqërinë tonë, mjerim prodhoi komunizmi dhe mjerimi pushtoi demokracinë. I mjerë është ai që edhe pse i pasur nuk është i lirë.

Ne e kemi arritur pra një kulm. Tashmë mund të them, përsa më takon, se nuk ka më keq. Të gjithë janë të lumtur dhe të gjithë janë të mjerë. Të gjithë e duan partinë ose kryetarin, por 86% e të rinjve kanë deklaruar se duan të ikin prej këtij vendi.

Për këdo që nuk i pëlqen këto pika, ato nuk janë të vlefshme. Pra ai është i lumtur.

Rruga Press


Next Post

Partitë politike shpenzuan 299 mijë USD gjatë fushatës për reklama në Facebook

Nga Besar Likmeta Partitë politike dhe kandidatët në zgjedhje shpenzuan 229,198 USD në reklama politike gjatë 30 ditë të fushatës zgjedhore, nga 26 marsi deri në 24 prill. Të dhënat e bëra publike nga rrjeti social Facebook, tregojnëse partitë poltike dhe kandidatët në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, shpenzuan shuma […]