102 vite nga vendosja në Shkodër e Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës

User1
2 0
Shpërndaje

Nga Albin Kurti, shkruar më 7 nëntor 2018

Një shekull më parë, më 7 nëntor të vitit 1918, u vendos në Shkodër Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK).

Kjo organizatë politike e ideuar fillimisht nga Bedri Pejani (me origjinë nga Peja) e Sali Nivica (me origjinë nga Tepelena), u krijua më 1 maj të vitit 1918 dhe fillimisht operoi në kushte ilegaliteti. Por në 7 nëntor u vendos zyrtarisht në Shkodër, duke zgjedhur kryetar Hoxhë Kadri Prishtinën, e me anëtarësi të figurave të shquara kombëtare nga Kosova e nga trojet e mbetura nën Serbi e Mal të Zi: Bajram Currin, Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Qamil Balën, Sali Ramën, Hafiz Ismet Dibrën, Halim Gostivarin, Hysni Currin, Nexhip Dragën etj.

Synimi kryesor i KMKK-së ishte çlirimi i Kosovës dhe i trojeve kombëtare dhe bashkimi i tyre me Shqipërinë, por gjatë viteve veprimtaria e KMKK-së mori dimensione të ndryshme, duke reflektuar edhe zhvillimet globale dhe nacionale që zunë vend.

Në muajt e parë të krijimit qëllimi imediat i KMKK-së ishte protesta para fuqive fituese të Luftës I Botërore, për t’i ndërgjegjësuar ato për mizorinë serbe në trojet shqiptare e për nevojën e bashkimit kombëtar. Më pas KMKK e zhvilloi edhe një program politik të përkohshëm, për administrimin e Kosovës nën Serbi deri në vitin 1919, sepse besonin se më 1919 Fuqitë e Mëdha do të merrnin vendim për largimin e Serbisë nga trojet shqiptare.

Por traktati i Versajës mori vendime të tjera, dhe shqiptarët e trojeve mbetën në Mal të Zi dhe Serbi, e në Greqi çamët, që asokohe ende nuk ishin spastruar.

Pas 1919, KMKK merr vendim të udhëheqë organizimin e rezistencës së armatosur, por prej fillimit ata shfaqin natyrë progresive në politikat e tyre pasi e theksojnë qartë se popullsia civile serbe nuk duhet të preket, duke treguar kështu një nivel qytetarie e vetëdije kulturore ku e ku më të lartë se armiqtë të cilët u njohën botërisht për masakrat ndaj shqiptarëve.

KMKK nuk u përqendrua vetëm te çështja e Kosovës, por u angazhua edhe gjerësisht për çështjen shqiptare, sepse çështja shqiptare është Një, ashtu siç jemi një komb shqiptar. Kështu KMKK u angazhua edhe në ndihmë të çlirimit të Vlorës prej italianëve, por edhe me lëvizjet progresiste e demokratike brenda shtetit shqiptar, duke u afruar me politikat e Fan Nolit. Me rrëzimin e Nolit nga pushteti e me rikthimin e Ahmet Zogut, në marrëveshjen e Zogut me mbretërinë serbe që e ndihmoi, ishte edhe suprimimi i KMKK-së, e cila kështu u detyrua pas vitit 1925 të dalë sërish në ilegalitet e të veprojë në mërgatë. Liderë të organizatës, si Hasan Prishtina e Bajram Curri u vranë, megjithatë veprimtaria vazhdoi, duke u afruar në bashkëpunim edhe me Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) të fanolistëve.

KMKK-ja është një nga nyjet fillestare të lëvizjes kombëtare dhe organizimit politik e popullor i cili na u trashëgua brez pas brezi, e sot e kemi Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Është detyrë e jona historike ta vazhdojmë kapacitetin organizativ dhe lëvizjen, si mjet të popullit shqiptar, për të ruajtur të drejtat e veta e për të fituar Bashkimin. Një popull i mbetur pa lëvizje e pa organizim, mbetet i pashpresë. Por një popull si yni, ku lëvizja ka ekzistuar prej më se një shekulli, e ku sot është e fortë dhe e organizuar, nuk do ta ketë të ardhmen e keqe, edhe pse e tashmja lë shumë për të dëshiruar.

Next Post

VOA: Biden vazhdon të rrisë avantazhin; Trump vë në pikëpyetje rezultatet

ShpërndajeNga Zëri Amerikës (VOA)- Kandidati demokrat Joe Biden vazhdon të rrisë avantazhin e lehtë që fitoi në orët e para të së premtes përballë Presidentit republikan Donald Trump në shtetet Xhorxhia dhe Pensilvani, ku vazhdonte numërimi. Megjithëse rezultatet vazhdojnë të jenë shumë të afërta për t’u shpallur, zoti Biden gjendet […]