25 prilli i Zojës dhe 25 prilli i shqiptarëve

User1
2 0

Shkruan Ylli Sula

Qoftë një ditë e mbarë!

Si sot, më datë 25 prill, plot 554 vjet më parë, ikona e Zojës së Këshillit të Mirë mbërrinte në Genazzano të Italisë e transportuar, sipas gojëdhanës, besimit a legjendës “nga duar engjëjsh”, të cilët e larguan nga kisha rrëzë kodrës së kalasë së Rozafës, ku ajo venerohej, për ta mbrojtur nga përdhosja që i kërcënohej prej dyndjes në afrim të “barbarëve”, më pak se 1 vit para vdekjes së Gjergj Kastriotit.Si sot, më datë 25 prill 1993, shenjëtori Papa Gjon Pali II, përulej e puthte dheun e Shqipërisë e vizitën e parë do ta bënte pikërisht në kishën e Zojës… rrëzë kodrës së kalasë së Rozafës.

Një javë para vizitës në Shqipëri, papa Françesku lajmëronte se po vinte në vendin e shqipeve me “bekimin e Zojës së Këshillit të Mirë”. Në meshën që Ai mbajti në sheshin e shenjtores Nënë Tereza, pas shpinës qendronte varur një kopje e ikonës së Zojës së Shkodrës dhe fjalët përmbyllëse të meshës së Françeskut kujtonin e kumtonin:

“Po i drejtohemi tani Virgjëreshës Nënë, që e nderoni sidomos me titullin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Nisem shpirtërisht për në Shenjtoren e saj në Shkodër, që e doni aq shumë, e ia besoj gjithë Kishën në Shqipëri e mbarë popullin shqiptar , në veçanti familjet, fëmijët e të moshuarit. Zoja ju priftë për të ecur së bashku me Zotin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”.

Në Genazzano, në kishën e madhe të Zojës së Këshillit të Mirë, ku gjendet sotekësajdite ikona e Zojës së mërguar nga Shkodra, prej shekujsh, pas një rituali nëntë ditor, çdo 25 prill në mbrëmje festohet dita e Zojës, ndërsa në pjesën tjetër të botës, ku gjenden kisha të Zojës së Këshillit të Mirë e ndiqet riti i saj, dita e Zojës festohet më datë 26.

Po këtu, këtë 25 prill a do të dimë dot për pak çaste t’i vëmë veshin lutjeve të Zojës që vijnë nga përtej Adriatikut, bekimit të Shën Papa Gjon Palit II, porosive të Shën Terezës e kumteve të papa Françeskut? A do festojë qytetaria dhe shpresa apo barbaria dhe zhgënjimi këtë 25 prill në mbrëmje në Tiranë e nesër në gjithë Shqipërinë? Apo festën do vazhdojmë t’ia lemë vetëm Genazzano-s për mbërritjen e Zojës atje, ndërsa ne këtu 25 prillin do e shpallim ditë zie për largimin e saj prej këndej përfundimisht, edhe shpirtërisht?

Rruga Press

Next Post

Autoritarizmi si emër për regjimet politik dhe politikanët është paradoksal

Shkruan Hysamedin Feraj Autoritarizmi si emër për regjimet politik dhe politikanët është paradoksal: shënon politikanët që u mungon autoriteti dhe prandaj u duhet të përdorin dhunën. Nga ana e vet, përdorimi i forcës është treguesi i mungesës së autoritetit.Kjo i ka ndodhur Edi Ramës dhe socialistëve:Në mungesë të autoritetit i […]