14 Shkurt: institucionet kthehen në mbrojtje të shtetit

RrugaPress2
1 0

Nga Hysamedin Feraj

Ngjashëm me Joe Biden, qeverisë Kurti 2 i duhet ta nisë punën me zhdekretime. Biden e kishte më të lehtë, sepse i duhej të zhdekretonte me një firmë dekrete të mbrapshtë, Kurtit i duhet të zhdekretojë realitete të denatyruar, çka kërkon më tepër punë.

Për 20 vite institucionet e kapura punuan kundër shtetit të Kosovës. Në analogji me organizmin: ashtu si organizmi prodhon organe që i mundësojnë ekzistencën, shteti krijon organe të vendosur në statute, institucione (in-statute), që i mundësojnë ekzistencën dhe veprimin. Ashtu si organizmi do të ishte i denatyruar nëse organet i kthehen kundër, nëse nga një çrregullim dora e vet e mbërthen për fyti që ta mbysë, ashtu realiteti shoqëror e politik është i denatyruar meqenëse institucionet e krijur prej tij janë kthyer kundër tij. Gjithë kësaj kohe LV-së i është dashur të veprojë kundër institucioneve të kapur dhe në mbrojtje të shtetit. Tani i duhet që institucionet t’ia kthejë shtetit, që ky të ekzistojë dhe të funksionojë si shtet.

Veprimet shumëvjeçare të  LV-së kundër denatyrimit të marrëdhënies shtet-institucione-individë, sundimtarët 20 vjeçarë i kanë etiketuar si veprime kundër shtetit dhe si mospranim të shtetit të Kosovës nga LV-ja. Duke i barazuar institucionet me shtetin, dhe individët në institucione me vetë institucionet, pra përmes një barazimi të pamundshëm shtet=insitucione=individ në krye të institucioneve, shtet = individi në krye të tij, ata e kanë korruptuar mendimin, vetë intelektin si zotësia e koncepteve.

Koncepti shtet përmban tre elementë: sovranitin, territorin, popullsinë. Sundimtarët 20 vjeçarë ia dëmtuan sovrantitetin me fusnotën e deri me moratoriumin e vendosur vetes për të mos kërkuar anëtarësimin në bashkësinë e shteteve sovranë. Territorin: së jashtmi, duke i dhënë pjesë Maqedonisë, Malit të Zi e duke i premtuar territor Serbisë; së brendshmi, duke miratuar Zajednicën dhe ekstraterritorialitetin e territoreve kishtarë. Popullsinë: duke e shpopulluar territorin përmes largimit masiv jashtë tij, dhe së brendshmi, duke ia dobësuar ekonomikisht, shëndetësisht e kulturalisht. Të tre elementët përbërës të shtetit janë dëmtuar nga institucionet e kapur: nga qeveria, nga Kuvendi që i ka miratuar, nga prokuroria që s’ka hetuar, nga gjykatat që s’kanë dënuar.

Qeverisë Kurti 2 i duhet të zhdekretojë dekretimin e korruptimit të mendimit nga sundimtarët 20 vjeçarë, e përpjekjes së tyre për korruptimin e mendimit duke e zhveshur intelektin nga konceptet dhe duke i shpallur konceptet të pavlefshëm për përdorimin njohës e praktik.

Në fund, do t’i duhet të rehabilitojë moralin si trualli mbi të cilin vendoset themeli i politikes, i  publikes dhe i shoqërores. Këtë e kanë marrë përsipër qytetarët duke u shprehur në mënyrë plebishitare për vlerat morale kundër antivlerave, për virtytin e ndershmërisë kundër vesit të korruptimit, kundër prishjes se shoqërisë e të mendimit nga sundimi 20 vjeçar. Me këtë qytetari zbret në shesh e shkon në kuti votimi si qytetari i mirëfilltë që, siç thotë Aristoteli, e themelon politikën mbi gjuhën e së drejtës dhe së mirës kundër të padrejtës dhe së keqes. Ndaj ky është më shumë votim moral, sesa utilitar. Ndaj LV-ja është mbështetur në mënyrë referendare para se të shpallte programin konkret, dhe shpalosja e programeve plot premtime nga sundimtarët e deritashëm as nuk dëgjohet. Këto votime janë lufta e së mirës politike kundër së keqes institucionale.

Në shoqëri, në intelekt, në moral, kjo është topografia ku është vendosur populli, qytetarët dhe votuesit e Kosovës. Dhe kjo vetvendosje i bën qytetarë të mirëfilltë, sepse i bën me qenë sipas esencës së qytetarit, zoon politikon, trualli i themelimit të shoqërisë, shtetit, institucioneve, jetës me mirëqenie dhe jetës së mirë. Sakaq bëhen prijësit e pranverës shqiptare që do të lulëzojë ngado në pjesët e tjera të kombit shqiptar dhe jashtë tij.  

Sigurisht, për këto zhdekretime të realiteteve, moraliteteve dhe intelektualiteteve të denatyruar duhet vendimi i një shumice të lartë të votuesve. Vetëm një shumicë e tillë ia mundëson LV-në pavarësinë nga sundimtarët 20 vjeçarë. Organizimit të republikës i duhet një shumicë e atillë e votës që e lehtëson edhe rastet kur kërkohen 82 përfaqësues në Kuvend. Jam i sigurtë se votuesi ka mësuar nga viti 2019. Nëse LV-së situata ia imponon koalicionin, marrëveshjen ose konsensusin e ndonjërit prej sundimtarëve 20 vjeçarë, atëherë duhet që të mos përsëritet 2019. Përsëritja do të thotë vonesë e kthimit të institucioneve në shërbim dhe mbrojtje të shtetit. Të parët institucione, aq sa janë tillë, janë partitë e regjimit. Ata nuk mendojnë kurrë shtetin, por korruptimin institucional të tij. I takon votës referendare t’iua heqë mundësinë të dëmtojnë sërish Kosovën. Rezultati i vendimit popullor e bën të mundur kalimin nga mbretëria e rrënimnit në mbretërinë e shtetndërtimit, nga pazaret te politika, nga imoraliteti te morali, nga sëmundja e korrupsionit te shëndeti i institucioneve.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Shfaqja “Ëndërr” nga Royal Shakespeare do të mbahet në mënyrë virtuale

Kompania ‘Royal Shakespeare’ do të organizojë një performancë të drejtpërdrejtë në internet duke përdorur teknologjinë e realitetit virtual. Performanca, e titulluar “Dream” bazuar në shfaqjen e William Shakespeare “Midsummer Night’s Dream” ishte planifikuar të vinte në skenë në pranverë. Por edhe teatri, si shumë të tjerë, është përballur me probleme […]