Adem Jashari dhe heronjtë e Prekazit si ndërgjegje e themele të çlirimit

RrugaPress2
0 0

Nëpërmjet artikuj gazetash e revistash të shpalosura në ekspozitën “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, Epopeja e UÇK-së lexohet me një ndjesim të ri. Nuk është vetëm rikthim në kohë me Mnemosinën shoqëruar dhe as rigjetje e vetes sonë, por një vramendje e thellë ndërgjegjësore për themelet e realiteteve të Kosovës: për çlirimin e vendit nga pushtimi serb, për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, për prospektet e të ardhmes. Nuk është nevoja të merren përkufizime heronjsh nga Carlyle apo Campbell. Heronjtë e Prekazit nuk vijnë nga realitete tejnjerëzore apo letrare, por nga rëndomtësia e jetës sonë. Nga kjo tejqyrë e shohim Hamzën si njeri me shije të hollë për artin, që shkruante e vizatonte bukur e ia thoshte këngës e valles.

Prishtinë, 5 mars – Afete (e vdekur), Hidajete (e vdekur), Lirije (e vdekur), Shqipe (e gjallë), Besim (i vdekur), Kushtrim (i vdekur), Igball (i vdekur), mysafir (i gjallë), Marigona (e gjallë), Fatime (e vdekur), Igballe (e vdekur), Besarta (e gjallë), Selvete (e vdekur), Blerina (e vdekur), Ilire (e gjallë), Fazli (i gjallë), Valdete (e vdekur), Blerim (i vdekur).

Kjo është diçitura për tetëmbëdhjetë fëmijë brenda një fotografie të viteve ’90, që ka përjetësuar buzëqeshje të dëlira vocërrakësh, fytyra të habitura e sy kureshtarë. Dymbëdhjetë prej tyre sot mund të ishin mjekë, mësues, sportistë… sikur jeta e re të mos asgjësohej bash atëherë kur kishte sythuar. Ata ishin vetëm disa nga të rënët e familjes Jashari që u vunë në qerthullin e zjarrit me tanke, makineri të motorizuar dhe helikopterë.

Ishte ora 5:30 e 5 marsit të vitit 1998 kur agu mëngjesor po zbardhëllonte mbi Prekaz. Me dylbi, shënjestrime artilerie e plane operative, vrasjet po vigjilonin nga larg. Shkreptima predhash të artilerisë nga Fabrika e Municionit do ta shënonin aktin e parë kur qindra ushtarë e milicë jugosllavë të armatosur gjer në dhëmbë u ndërsyen kundër kullave të familjes Jashari në Prekaz.

Në një shpërpjesëtim gati surreal të gjithçkaje, ku as krahasimi David e Goliat nuk e përkap atë që ngjau, Shaban Jashari (72-vjeç), dy bijtë e tij Hamza (48) e Ademi (42), e meshkuj të tjerë të familjes i bënë qëndresë sulmit rrokakrejtës të ushtrisë jugosllave.

“Sulm i ri policor në Drenicë: së paku 20 shqiptarë të vrarë”, “Prekazi i Poshtëm nuk ekziston më, mbesin vetëm gjurmët e tmerrit”, “Prekazi i poshtëm digjet flakë” – tituj, kronika e lajme si këto zinin ballinat e faqet e para të shtypit, ashtu sikundër ia doli të raportonte për tri ditët e paharrueshme të marsit 1998.

Në këtë “pagëzim zjarri”, si çmim i lirisë u flijuan 20 anëtarë të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerë nga familja e gjerë Jashari në Prekaz.

“Heronjtë e Prekazit janë si ne”

Për nder të 23-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraditen e së premtes, në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është hapur ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”.

Nëpërmjet artikuj gazetash e revistash të kohës, shoqëruar edhe me ndonjë fotografi, kronika e familjes drenicase që bëri histori vjen si rikthim në kohë, duke përftuar dellëzime ndjesimesh të reja.

Përkufizime mbi heronjtë e heroiken nga Thomas Carlyle e deri Joseph Campbelli nuk e kanë vendin në këtë histori shqiptare të pangjashme me asnjë kohë dhe hapësirë tjetër. Heronjtë e Prekazit nuk vijnë nga realitete tejnjerëzore e letrare, por nga mikrokozmosi i rëndomtësisë së jetës sonë.

Plaku i familjes, Shabani, ishte nga mësuesit e parë në ato anë; Hamza e donte artin, shkruante e vizatonte bukur, ia thoshte këngës e valles; Ademin, siç e gjejmë ndër fotografi, ishte sa në tubimet popullore për faljen e gjaqeve, po aq pranë vatrës familjare duke ngritur dolli me verë të kuqe në ndërrime motesh.

Në ekspozitën e shkallëzuar në dy katet e Bibliotekës, udhëtimi nëpërmjet faqeve të gazetave të kohës, si “Bujku”, “Koha Ditore”, “Bota Sot” e një duzinë revistash të tjera, nuk është veç rikthim në kohë. As rigjetje e vetes sonë në shkrime të ftohta gazetareske. Është edhe një vramendje e thellë ndërgjegjësore për themelet e realiteteve të Kosovës: për çlirimin e vendit nga pushtimi serb, për shtetin e dytë shqiptar në Ballkan, për prospektet e të ardhmes.

“Që nga ora 10:00 e deri në orët e mbrëmjes, me mijëra qytetarë nga shumë anë të Kosovës – nga Gllogoci, Malisheva, Vushtrria, Mitrovica e fshatrat përreth – me automjete të ndryshme dhe këmbë arritën deri në lagjen e Jasharëve për të qenë prezentë në këtë ceremoni të varrimit dhe për t’ua lënë lamtumirën e fundit martirëve të lirisë, edhe pse në disa postblloqe ata iu nënshtruan keqtrajtimeve fizike të policëve”, është një fragment gazete që, si Mnemosinë kujtese, jep përmasën e asokohshme të solidarizimit të njerëzve me qëndresën e Jasharëve.

Image
Shoqëruar edhe me fotografi, shpaloset kronika e familjes që bëri histori
“Nuk nisi nga asgjëja”

Rrethimi i parë i shtëpisë së Shaban Jasharit në Prekaz (30 dhjetor 1991) dhe rrethimi i dytë (më 22 janar 1998), shkëputur nga faqet e të përditshmeve të kohës, janë kontekstualizimi më i mirë për ta fuqizuar faktin që rezistenca e familjes Jashari nuk nisi nga asgjëja.

“Nuk kemi ku të shkojmë përtej pragut të shtëpisë”, janë fjalët e zotit të shtëpisë, Shaban Jashari, pasi kishin arritur t’i sprapsin forcat jugosllave në një nga rrethimet.

Kësodore, ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari – rrëfime për të bëmat dhe heroizmin”, si e para e këtij lloji, ka edhe një tjetër meritë. Ndjesimet masive të njerëzve për heronjtë shpesh pafalshëm e jashtëlënë anën njerëzore të heronjve që frymuan, ëndërruan e vuajtën posi ne.

Tek “Emri i trëndafilit” të shkrimtarit Umberto Eco, në një nga faqet e romanit, hidhet poshtë ajo që besohej se “heretikët” edhe në turra të druve nuk bënin as gëk e as mëk. Në fakt, ata klithnin e kanë dhembje njësoj si çdo qenie tjetër njerëzore.

Tezistenca e ditëve të para të marsit të 1998-s nuk është thelluar as në terma akademikë dhe as nuk është artisticizuar siç është bërë me “Ditën D”, Iwo Jima, Stalingradin. Janë tiktaket më të rrokshme, tash edhe kur është krijuar distancë historike sa për të vështruar më gjerë e më thellë, për të kuptuar çmimin e papërfytyrueshëm që paguan njerëzit e guximshëm, ata që flijuan gjithçka për liri.

“Duke përkujtuar të kaluarën”

E pranishme në hapjen e ekspozitës që do të jetë e hapur deri më 19 mars, ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka thënë se ideali për të cilin luftuan Adem Jashari dhe familja e tij u realizua me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

“Shëmbëlltyra e familjes Jashari është unike. Me rënien e familjes Jashari, për Kosovën po fillonte një epokë e re, epoka drejt çlirimit të Kosovës”, ka thënë Dumoshi.

Në fjalën e tij, Bekim Jashari, i cili është djali i Hamëz Jasharit, ka dhënë si porosi që “ai popull që nderon dhe respekton të kaluarën, të ardhmen e ka të sigurt”.

Kurse drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, teksa ka vlerësuar ekspozitën si e para që sjell artikuj gazetash e revistash për ngjarjet në Prekaz, ka thënë se Jasharët dhanë gjithçka për liri, për t’u bërë shembull unik në histori.

“Fryma dhe shpirti heroik i familjes Jashari dhe komandantit Adem Jashari hapën kapitullin e luftës për liri të popullit shqiptar të Kosovës”, ka thënë Gajraku./koha.net/

Rruga Press

Next Post

Për të prodhuar Bitcoin konsumohet energji sa e gjithë Argjentina

Nxjerrja e Bitcoin në të gjithë botën konsumon një sasi të energjisë elektrike të barabartë me nevojat e të gjithë Argjentinës.