BallinaBota

Ai nuk do largohet as kur Kolegji Zgjedhor të çertifikojë rezultatin në mes të dhjetorit. A mundet Trump të mobilizojë ushtrinë ose njësitë e tjera të sigurisë për ta mbrojtur?

Nga Janusz Bugajski

Një muaj pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Presidenti Donald Trump ende refuzon të pranojë se fituesi është Joe Biden. Frika, se ai do të vazhdojë të sabotojë procesin e tranzicionit për të diskredituar Presidentin e ardhshëm, vazhdon. Një strategji e tillë do ta minonte demokracinë amerikane, edhe pas inaugurimit të Biden më 20 janar.

Për Trump, dështimi më i madh është humbja, qoftë kjo në biznes apo në politikë. Prandaj, ai po përpiqet të krijojë përshtypjen se në zgjedhje mungonte transparenca dhe integriteti. Qëndrimi i tij jo vetëm që hedh dyshime mbi rezultatin, por edhe minon legjitimitetin e fituesit në sytë e miliona qytetarëve që votuan për Trump. Pa asnjë provë, Trump ka hedhur akuzat se zgjedhjet ishin një mashtrim masiv i ndërmarrë nga demokratët në bashkëpunim me fuqitë e huaja. Qëllimi është të krijojë konfuzion dhe të ulë mbështetjen për presidencën e Biden.

Aktorët e huaj, përfshirë Rusinë, Kinën dhe Iranin, kanë tentuar të shtojnë dyshimet në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve dhe të denigrojnë demokracinë amerikane. Ata edhe mund të pretendojnë se siguria kibernetike e infrastrukturës zgjedhore ishte e komprometuar. Trump shkarkoi zyrtarin e tij të lartë për zgjedhjet, Chris Krebs, shefi i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës, pasi ai deklaroi se votimet ishin më të sigurtat në historinë e SHBA. Por ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2016, Kremlini nuk ka nevojë të jetë aq aktiv, kur vetë Trump së bashku me mbështetësit e tij të medias po përhapin dezinformim dhe po minojnë besimin në institucionet demokratike.

Që nga dita e zgjedhjeve, Trump ka mobilizuar një ekip avokatësh për të kontestuar rezultatet e zgjedhjeve në shtetet e lëkundura me peshë, ku ai ka humbur. Janë hapur dhjetra çështje gjyqësore të paqena për të provuar mashtrimin masiv dhe për të delegjitimuar fitoren e Biden. Të gjitha këto çështje janë hedhur poshtë nga gjyqtarët, si të pabazuara dhe pa asnjë mundësi për të përmbysur rezultatet përfundimtare.

Lexo më shumë  Ukraina ka rrëzuar një bombardues strategjik të Rusisë

Por, në vend që të pranojnë verdiktin, njerëzit e Trump kanë akuzuar gjykatësit dhe guvernatorët republikanë në shtetet e lëkundura se janë pjesë e fshehjes (së mashtrimit). Ata madje kanë shpikur një komplot të madh global anti-Trump ku përfshijnë Kinën, Venezuelën, komunizmin ndërkombëtar, CIA, FBI dhe Departamenti i Drejtësisë që punon ngushtë me udhëheqësit e demokratëve.

Trump po kërcënon të mos largohet nga detyra edhe nëse rezultatet e zgjedhjeve certifikohen përfundimisht nga Kolegji Zgjedhor në mes të dhjetorit. Nga ai pritet të largohet nga Shtëpia e Bardhë deri në ditën e inaugurimit të Biden, më 20 janar. Çfarëdo përpjekje për të mobilizuar ushtrinë ose njësitë e tjera të sigurisë për ta mbrojtur do të dështojë, pasi Pentagoni dhe agjencitë e zbatimit të ligjit shmangin përfshirjen në politikën e brendshme. E vetmja mundësi që i mbetet Trump është të refuzojë të pranojë transferimin paqësor të pushtetit dhe të thërrasë mbështetësit e tij militantë për ta mbrojtur. Sidoqoftë, mungesa e tubimeve publike dhe e dhunës në emër të tij deri më tani mund të jetë tregues se njerëzit e gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për Trump janë të paktë.

Pyetja ‘e nxehtë’ pas humbjes së Trump është e ardhmja e Partisë Republikane. Udhëheqësit republikanë, si Kreu i Senatit Mitch McConnell, kanë qëndruar të heshtur që nga zgjedhjet. Ata janë të kujdesshëm që të mos zemërojnë Trump duke njohur fitoren e Biden dhe kanë frikë se mos humbasin bazën e tyre të mbështetësve si dhe zgjedhjet thelbësore të fillim- janarit për Senatin e Georgia, të cilat mund t’ia dorëzojnë Senatin e SHBA demokratëve.

Lexo më shumë  Komplot për të vrarë Zelenskyn, arrestohet agjenti i rusëve në Poloni

Ndonëse Biden fitoi presidencën, demokratët nuk u paraqitën aq mirë sa pritej, veçanërisht në garat për Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo ndodhi kryesisht për shkak të propagandës pro-Trump që i paraqiti liberalët si komunistë, si dhe për shkak të disa demokratëve “progresivë” që mbështetën politika thellësisht të papëlqyeshme nga populli, siç ishte shpërbërja e policisë. Shumica e votuesve dëshironin një Biden të qendrës dhe jo një Trump populist të djathë apo një Kongres të majtë.

Ndërsa disa vëzhgues besojnë se Trump mund ta humbasë ndikimin kur ai të mos e ketë më fuqinë ose publicitetin e presidencës, personat e brendshëm mendojnë se ai do të ketë ndikim në Partinë Republikane edhe pas largimit nga Shtëpia e Bardhë. Ai ka mbështetjen dërrmuese të anëtarëve të zakonshëm të partisë e një bazë të fortë fanatikësh dhe është e dyshimtë nëse Partia (Republikane) do të mund të kthehet në rrënjët e saj tradicionale konservatore. Trump madje ka lënë të kuptohet se ai do të kërkojë një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë në 2024 dhe, në këtë mënyrë, ai do të mënjanojë pretendentët e tjerë të mundshëm republikanë.

Sfida më e madhe për Biden do të jetë tejkalimi i ndasive të thella në politikën amerikane dhe në shoqërinë amerikane, të cilat janë përkeqësuar ndjeshëm nga Trump. Atij do i duhet të punojë me republikanët në Kongres dhe madje të përfshijë republikanë në administratën e tij. Por përpjekjet e Biden për të bashkuar vendin mund të sabotohen vazhdimisht nga Trump, këshilltarët e tij më të afërt dhe mediet e djathta./dita/

YouTube player