Analiza | Në Shqipëri ka antiamerikanizëm

RrugaPress2
0 0

Nga Sebastjan Zonja

Tradicionalisht antiamerikanizmi në Shqipëri ka qenë i majtë. Shaban Murati, intervistë për VOA, 3 dhjetor 2016.

Para pak vitesh z. Agron Tufa u detyrua që të ikte në emigrim, apo më saktë në azil, sepse ishte kreu i një Instituti që studionte krimet dhe pasojat e komunizmit. Disa kërkuan që të ishte qëndrestar, të tjerë u ngazëllyen nga ikja e tij. Ata që u ngazëllyen dhe relativizuan i lexuam nëpër komente e faqe portalesh.

Sot, pas kaq vitesh, deklarohet hapur rehabilitimi i krimit komunist në media nga kryesuesja e listës së njërit prej subjekteve politike në garë për parlamentaret e 25 prillit. Ata që ngazëllehen dhe relativizojnë i gjejmë nëpër komente dhe portale.

Para disa vitesh shpërtheu Gërdeci, një nga aferat më të forta korruptive në vend. Ndodhi një vit përpara se të hynim në NATO. Kishte nga ata që u ngazëllyen shumë sepse kjo do të bënte që të mos hynim në NATO.

Para pak vitesh në Maqedoni u rrah për vdekje Zijadin Sela në parlament. U rrezikua një konflikt civil vetëm një vit përpara se vendi të bëhej pjesë e NATO-s. Kishte nga ata që u ngazëllyen shumë sepse kjo do të bënte që Maqedonia të mos bëhej pjesë e NATO-s.

Parvjet në Mal të Zi u organizua një grusht shteti. Ndodhi pikërisht një vit përpara se vendi të bëhej pjesë e NATO-s. Kishte nga ata që u ngazëllyen shumë sepse kjo do të bënte që Mali i Zi të mos bëhej pjesë e NATO-s.

Koinçidenca të çuditshme!!!

Para pak vitesh ndërtuam Rrugën e Kombit. Kishte nga ata që u ngazëllyen sepse ky korridor sigurie është i një rëndësie të veçantë për Kombin. Por kishte edhe nga ata që thoshin se Kosova është shtet tjetër, dhe ka punët e veta. Pse të shpenzojmë ne për ata “malokët”, ata janë “komb kosovar” dhe s’e quajnë veten shqiptarë – dëgjoje shpesh nëpër studio e gazeta e komente.
Kohë më vonë, po ky grupim, që ishte edhe kundër hapjes së vizave me Bashkimin Europian, u bë pjesë e projektit për ndarjen e Kosovës. Pra, Kosova si monedhë shkëmbimi. Me çfarë do të shkëmbehej? – Me mbajtje të karriges, ose me lidhjen e problematikës së saj me Krimenë.
Qyetarët kanë aq zgjuarsi ta kuptojnë se kush i ndërton këto fije.

Shkurt 2016. Në Ballkan orkestrohet një lëvizje e fortë antiamerikane. Në Serbi, në Republikën Srpska, në Maqedoni, ambasadorët amerikanë respektivë ndodhen përball një furie të madhe kritikash, aq sa fjalët e krerëve të këtyre vendeve linin të nënkuptohej se gjuha e tyre ishte një shkallë poshtë shpalljes non-grata të të dërguarve amerikanë. Këtij kori në vendin tonë i bashkohet edhe ish-kryeprokurori A. Llalla, që i shkroi një letër të hapur ish-ambasadorit Donald Lu se po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Kishte nga ata që u ngazëllyen shumë sepse kjo ishte një shënjë që mund të thoshte se Shqipëria mund të ndryshonte kurs.

Albin Kurti fiton në Kosovë, shkurt 2021. Ligjërimi patriotik që bart Vetëvendosja e tejkalon në plan të parë ideologjinë e majtë. Kombi qendron mbi ideologjitë. Anekënd vendit u mobilizuan për ta goditur në 3 dobësitë strategjike të vendit tonë:

1. Ndarja krahinore – Albini është kosovar dhe do që të bëhet kryeministër i Shqipërisë. Më herët ka qenë teza se Albini është i Malit të Zi dhe do të bëhet kryeministër i Kosovës.

2. Ndarjet ideologjike – Albini është komunist, dhe si i tillë është antiamerikan. Nuk besoj se ka ndonjë vlerë të argumentojmë të kundërtën.

3. Ndarjet fetare – Albini është islamist. Akuzë e rëndë nëse Albini do të ndiqte linjën politike të “Vllazërisë Myslimane” në Egjipt, por për sa kohë nuk ka asnjë shenjë kjo ngelet një akuzë me bazë përçarjen. (Nuk e di pse duhet të jetë keq me pas përkatësinë fetare të 70 % të kombit tënd. Feja është zgjedhje e gjithësecilit, shteti është laik. Vetëm disa fondamentalistë e dinë pse e ngatërrojnë këtë!)
Ambasadori Murati shkruante pak kohë më parë se si ishin revoltuar mediet ruse prej fitores së z. Kurti në Kosovë.
A mund të diktojmë ndonjë linjë e cila shkon për propagandë në pjesën fetare amerikane dhe thotë se Bideni po ndihmon një islamist?
Por z. Kurti çeli ambasadën në Jeruzalem, për të treguar se cilës linjë i shërbejnë propagandistët dhe çfarë politike ai kërkon të ndjek.

Si përfundim, se s’do të mjaftonin qindra rreshta të tjerë për të shfaqur nëntokën e errët, janë të njëjtët, me të njëjtat fije si dikur, dhe të njëjtën mendësi. Sot i kanë rafinuar argumentet se kanë para, portale dhe kanë zënë pozicione të rëndësishme.
Si dikur Sigurimi i Shtetit dhe shefat e tij (sigurisht me disa përjashtime) ishte një ndërmarrje me UDB-në, sot një linjë e tyre, ajo më e errëta, është filial i agjenturave jomiqësore ndaj vendit tonë.
Ballkani sot është multivektorial – ShBA, BE, Turqi, Kinë, Rusi, – veç të jeni pak vigjilentë dhe e kuptoni gjithë lojën!/faktor/


OPINION & AKTUALITET:

RRUGA PRESS

Next Post

Dita Ndërkombëtare e Romëve, zyrtari i BE: Nuk ka vend për anticiganizëm

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, Komisioneri i Qeverisë Federale për Minoritetet Kombëtare, Bernd Fabritius, bën thirrje për pjesëmarrje të barabartë të sintëve dhe romëve dhe për luftën kundër anticiganizmit. Sot është Dita Ndërkombëtare e Romëve, e cila që nga viti 1990 festohet çdo vit në 8 Prill, si një ditë […]