ANALIZA/ “Pse vaksina e “personaliteteve” nuk i fsheh dot mbi 5 mijë të vdekurit”

User1
0 0

Shkruan Redi Gjuzi

Shqipëria po përjeton një dramë të fortë humanitare për shkak të pandemisë. Spitalet e vendit, shtetërore dhe ato private, janë plot me të infektuar dhe mjekët, si rrallëherë, dalin publikisht për të pohuar ezaurimin e vendeve.

Në veri, qytetarët po zgjedhin Prishtinën dhe Prizrenin për t’u kuruar. Në jug, drejtori i spitalit të Janinës tregon se më shumë se gjysma e pacientëve janë nga Shqipëria.

Qartësisht, pandemia është jashtë kontrollit! Kush nuk e beson “Zërin e Amerikës”, agjencinë BIRN apo deklaratat e mjekëve në Janinë, ka probleme të forta arsyetimi. Shqipëria, krahas pandemisë, ka edhe zgjedhje. Dhe këto të fundit, ku pasqyrohet mundësia për vazhdimësinë e pushtetit, e kanë çorientuar qeverinë.

Sjellja e Kryeministrit, pas të cilit fshihen përgjegjësit realë të shëndetësisë, nuk ka asnjë lidhje me kurimin e sëmundjes. Në të kundërtën, propaganda, arroganca, mohimi dhe paaftësia, po e bën Shqipërinë vendin me pasojat më të mëdha të Covid. Në vend që qeveria të gjejë mundësinë për zgjerimin e kapaciteteve fizike dhe humane për kurimin e sëmundjes, ajo merret me fshehjen e pasojave të Covid.

Janë gati mbi 5 mijë të vdekur shtesë që nga fillimi i pandemisë deri në janar 2021. Qeveria detyroi INSTAT që t’i vonojë statistikat me të paktën 6 ditë, a thua se mbi 5 mijë të vdekurit do rilindin me propagandë.

Kur dalin dokumentet që numri i të vdekurve në spitale është trefish më i madh, qeveria thotë se po bëhet politikë me vdekjen. Nuk shqetësohet se përse po rriten të vdekurit, por mbi statistika të vetëkrijuara shpik legjenda, sipas së cilave Shqipëria është kampione për numrin e ulët të të vdekurve nga Covid.

Sot është botërisht në garë për “kampione” të vdekjeve. Qeveria nuk kërkon të dijë se përse në spitalet tona numri i fataliteteve në terapi intensive është shumë i lartë, thjesht nuk i raporton ato. Qeveria e di që rreth 99 për qind e të sëmurëve që shkojnë në intubim nuk ia dalin, por as që merret të shikojë mundësinë e zgjidhjes së këtij problemi. Këto janë vdekje që shkaktohen jo prej mjekëve, por për shkak të pamundësisë së kujdesit të vazhdueshëm në spital.

Afër me Spitalin Infektiv është ai i Zemrës, ku gati 100 për qind e të intubuarve ia dalin të jetojnë. Drejtori i spitalit ku sanitarja të vjedh dhe infermierët të marrin jetën nga moskujdesja, tregon se në mes të pandemisë s’ka skaner. Kryeministri nuk kërkon zgjidhje dhe përgjegjësi, por mohon të pamohueshmen, përgënjeshtron drejtorin.

Nëse qytetarët ankohen se kanë probleme me ushqimet që u çojnë pacientëve, qeveria e asgjëson problemin: “Nuk ka më ushqime nga jashtë!”.

Dhe, si rrjedhojë, s’ka më problem. Por, duket se pandemia nuk po e përfill këtë logjikë mediokrish. Sa më shumë qeveria mohon problemet, aq më të mëdha bëhen ato. Dhe në këtë rast, si në mars të 2020, kur në rrugë dolën tanket për të vrarë virusin, thirret në lojë Policia.

Reagimi ndaj motrave që akuzuan spitalin për vdekjen e babait të tyre ishte qartësisht një apel: Mos guxoni të ankoheni! Policia, në vend që të hapte hetim për vdekjen e babait të vajzave, hapi hetim për denoncueset.

Kjo është rilindje e metodave më të ndyra që ka jetuar ky vend, por sërish nuk i mbulon dot mijëra të vdekurit e fshehur. Edhe po t’i arrestonin vajzat e dëshpëruara dhe të bënin zv.ministre doktoreshën që i vdiq pacienti, sërish dështimi me pandeminë nuk mbulohet.

Pjesa tjetër e propagandës është krijimi i një mesazhi të madh, optimist. Duke qenë se qeveria është krejt e paaftë, e militarizuar dhe tërësisht servile për të korrigjuar hapat e dështuar ndaj pandemisë, ajo prodhon çudira. Vetë qeveria e miraton planin kombëtar të vaksinimit dhe po ajo e shkel atë më të dyja këmbët.

Ndërkohë që Rama shpiku vaksinën e “personaliteteve”, asnjë nga anëtarët e komitetit teknik nuk e ndaloi apo ta korrigjonte. Edhe pse këta anëtarë e kanë qartësuar në dokument se pa u vaksinuar të paktën 3500 mjekët e infermierët e vijës së parë, nuk mund të shpenzohet asnjë vaksinë.

Vaksina e “personaliteteve” është një krijim monstruoz, që, të paktën, për shkak të pozicionit dhe diplomës që mban, duhet ta ndalojë Mira Rakacolli. Radha e vaksinimit vendos në vijë të parë mjekët, sepse ata i duhen më shumë shoqërisë tani, janë ata që shpëtojnë jetë.

Çdokush që shpenzon një vaksinë, qoftë edhe Kryeministër, pa u vaksinuar të paktën këta mjekë, ka vrarë një prej bluzave të bardha. Ndoshta, asnjë prej tyre nuk do të vdesë për 21 ditët e vaksinimit të “personalitetit”, por ai që nxjerr shpatullën para kamerës së ERTV pa radhë, e ka dënuar njërin prej tyre me vdekje.

Ndaj, vaksina e propagandës, e fshehjes së gjendjes së pandemisë, nuk ka lidhje me dikë me personalitet. Kush nuk pret radhën e vaksinimit, por nxiton të shkojë te stadiumi, do depersonalizohet.

Ta dinë që Rama do shpikë dhe dhjetëra kategori vaksinash për të fshehur spitalet plot dhe mbi 5 mijë vdekjet shtesë. Nëse shkoni te Stadiumi me Kullë, pa radhë, edhe ju po ecni mbi këta të vdekur!

Rruga Press


Next Post

Biden kërkon unitet me BE-në përballë Rusisë dhe Kinës

Presidenti amerikan, Joe Biden, bëri një kthesë të madhe nga politikat ndërkombëtare të paraardhësit të tij, Donald Trump. “Amerika është kthyer sërish për të marrë vendin që i takon në lidershipin botëror”, tha ai duke folur në konferencën e sigurisë së Mynihut. Kreu i Shtëpisë së Bardhë, kërkoi front të […]