Arrestimet mbas protestës në Mirditë/Iliaz Shehu: Kërkoj shkarkimin e Drejtorit të Policisë në Lezhë. Veprimeve të paligjshme, dirigjim dhe presionit direkt

user3
0 0

Dy kandidatët për deputet nga Lëvizja VETËVENDOSJE! të Qarkut të Tiranës dhe Lezhës, Boiken Abazi dhe Iliaz Shehu, dolën sot në një komunikatë për mediat ku shprehën shqetësimin e tyre rreth arrestimit të 33 qytetarëve dhe aktivistëve të kësaj Lëvizjeje, presionin e ushtruar ndaj tyre në komisariatin e Lezhës dhe presionet e ushtruara ndaj kandidatit për deputet në Qarkun e Lezhës, z. Iliaz Shehu.

Z. Abazi shprehu vlerësimin se “regjimi aktual në Shqipëri vepron përmes elementeve të shtetit policor”.

“Nga njëra anë, regjimi përdorë satelitët e vet mediatik, ose për të censuruar, ose për të ofenduar, ose për të shpifur, duke u hapur rrugën pastaj mjeteve të presionit policior që ushtrohet qoftë ndaj kandidatëve, qoftë ndaj qytetarëve që kërkojnë të drejtat e tyre”, u shpreh ai.

Ky vlerësim u bë në kuadër të tre ditëve që kanë pasuar protestën në Thirrë të Mirditës kundër HEC-it, në mbështetje të të cilës doli Lëvizja VETËVENDOSJE.

Në anën tjetër, Iliaz Shehu tha se “Praktika e përdorimit dhe dirigjimit të Policisë së Shtetit duhet të ndalojë urgjentisht. Pushteti arbitrar në Shqipëri nuk e ka kuptuar akoma se ka mbaruar epoka e Partisë Shtet, ku partia dhe shteti janë i njëjti vullnet, qëllim dhe funksion, ashtu siç nuk ka pasur kurrë një epokë të konceptimit të shtetit si pronë personale e një udhëheqësi apo një partie”.

“Për shkak të veprimeve të paligjshme, presionit direkt që më ka bërë, shkeljeve të shumta të të drejtave kushtetuese e njerëzore që janë bërë ndaj të ndaluarve dhe të arrestuarve, unë kërkoj shkarkimin nga Policia e Shtetit të Drejtorit të Policisë Vendore në Lezhë, Zef Laska”, u shpreh z. Shehu, duke shtuar edhe domosdoshmërinë urgjente për lirimin e katër qytetarëve dhe aktivistëve që po vahzdohet të mbahen në burg.

Më poshtë gjeni videon dhe deklaratën e plotë për mediat të z. Iliaz Shehu.

https://www.facebook.com/rrugapress/videos/199972871670638

“Në datën 11 prill banorët e fshatit Thirrë të Mirditës protestuan kundër hidrocentralit që  po ndërtohet aty, ndërkaq, Lëvizja VETËVENDOSJE!, aktivistët e saj dhe qytetarët nga mbarë vendi iu bashkuan këtyre banorëve, pas ftesës që ata na bënë, në protestë kundër kësaj afere që implikon sa ndërtuesit, aq edhe një varg të gjatë institucionesh, përfshirë disa ministri, Bashkinë e Rrëshenit, atë të Lezhës, por edhe vetë kryeministrin Rama, si firmosës i lejes për ndërtimin e HEC-it.

Denoncimi që banorët i kanë bërë çështjes, sa mediatikisht, aq edhe nëpër institucionet përkatëse deri tani nuk ka mjaftuar, prandaj ata kanë protestuar disa herë, me synimin që ky zaptim i ujërave kjo grabitje e pasurisë publike të marrë jehonë në publikun dhe institucionin shqiptar dhe si e tillë të ndalohet.

Vendosmëria e këtyre banorëve dhe mbështetja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! duket se i ka penguar të përfshirët në aferën e HEC-i që këtë grabitje ta kryejnë me qetësi. Reagimi i pushtetit të kërcënuar nga e drejta ishte i përmasave të mëdha dhe tejet disproporcional.

Pas përfundimit të protestës, Policia e Shtetit, pasi ka evidentuar targat e makinave të pjesëmarrësve, ka ndaluar, shoqëruar dhe arrestuar 33 protestues paqësorë, prej të cilëve rreth 20 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe 13 banorë të Thirrës.

Shoqërimi i të ndaluarve, shumë kilometra larg protestës me ndjekje të makinave dhe me postoblloqe i ka ngjarë më shumë metodave banditeske se sa metodave të institucionit të policisë së shtetit.

Ashtu pa u informuar paraprakisht, duke iu përgjigjur thirrjes së policisë për të shkuar brenda komisariatit policor, aty kam marrë vesh se edhe unë si kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës gjendesha në statusin e të shoqëruarit.

Dua të theksoj fort shkeljet e panumërta proceduriale të kryera nga ana e Policisë së Shtetit. Qytetarët dhe aktivistët e ndaluar nuk u lejuan ta ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese, si dhe të drejtën që implikohet prej kartës së të drejtave të njeriut, në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që është e drejta për të qëndruar në heshtje dhe e drejta për t’u përfaqësuar nga një avokat. Pra nuk u lejuan të takohen me avokatët, edhe pse vazhdimisht e kërkuan këtë gjë.

Për orë të tëra nuk jepej informacion as familjarëve, se sa persona, kush është ndaluar dhe me çfarë akuze. Më vonë kemi mësuar se moslejimi i takimit të të ndaluarve me avokatët lidhej me synimin e policisë për të bërë presion, për t’i trembur qytetarët dhe aktivistët, në mënyrë që ata të firmosnin deklarata të rreme të cilat hedhin faj dhe përgjegjësi penale mbi këta të ndaluar.

Edhe në këto momente, brenda qelive ndodhet një qytetar dhe tre aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ndërkohë që 29 të  tjerët e liruar do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Njëri nga të arrestuarit, Etnik Berisha, është fotografi ynë, i cili është arrestuar vetëm pse është fotograf, dhe i kanë bërë presion e u kanë marrë mjetet fotografuese.

Jemi në një situate ku janë shkeluar të drejtat e njeriut për të protestuar, të drejtat e njeriut për t’u përfaqësuar ligjërisht, si dhe aktualisht gjendemi në situatën ku po shkelet e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur si përfaqësues në parlamentin shqiptar.

Fushata jonë tashmë është kthyer në fushatë-protestë. Kjo jo për shkak të dëshirës dhe vullnetit tone. Unë, si kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës, i mbështetur nga Lëvizja VETËVENDOSJE! po pengohem aktivisht në mbarëvajtjen normale të fushatës elektorale.

Nga njëra anë, po marr kërcënime që lidhen me pjesëmarrjen tone në protestën kundër HEC-it në Thirrë, e nga ana tjetër pushteti po e përdor arbitrarisht institucionin e policisë së shtetit si mjet presioni kundrejt meje, qytetarëve dhe aktivistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Mbrëmë ishte dita e tretë radhazi që unë thirrem brenda Drejtorisë së Policisë në qytetin e Lezhës nga persona me rol drejtues brenda këtij institucioni publik, që duhet të jetë në shërbim të publikut.

Këto thirrje në rajon policor dhe kërkimet e vazhdueshme për deklarata janë pengesë dhe presion ndaj nesh, ndaj mbarëvajtjes së fushatës tonë, duke tentuar të ndërtohet një gjendje e jashtëzakonshme elektorale, duke tentuar të përhapet panik dhe frikë.

Praktika e përdorimit dhe dirigjimit të policisë së Shtetit duhet të ndalojë urgjentisht. Pushteti arbitrar në Shqipëri nuk e ka kuptuar akoma se ka mbaruar epoka e Partisë Shtet, ku partia dhe shteti janë i njëjti vullnet, qëllim dhe funksion, ashtu siç nuk ka pasur kurrë një epokë të konceptimit të shtetit si pronë personale e një udhëheqësi apo një partie.

Për shkak të veprimeve të paligjshme, presionit direkt që më ka bërë, shkeljeve të shumta të të drejtave kushtetuese e njerëzore që janë bërë ndaj të ndaluarve e të arrestuarve, unë kërkoj shkarkimin nga policia e shtetit të Drejtorit të Policisë Vendore në Lezhë, Zef Laskaj.

Ne vazhdojmë të bëjmë thirrje për lirimin urgjent të katër qytetarëve dhe aktivistëve tanë dhe për ndalimin urgjent të të gjthë formave të presionit mbi ne e mbi mua si kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës.

Metodat e frikësimit janë tejet primitive, por edhe joefikase. Gjithë kjo përndjekje që na është bërë deri tani nga ana e institucioneve të kapura shtetërore është kthyer në mbështetje më të madhe qytetare. Por, ama, kjo nuk është mënyra e duhur, as e luftimit tone, por as nuk është  mënyra se si ne duam të shkojmë deri te publiku dhe qytetarët.

Ne duam të takohemi me qytetarët dhe ta marrim mbështetjen e tyre në bazë të programit dhe vendosmërisë tonë. Nuk duam një fushatë ku gara elektorale shndërrohet në sulm të organizuar institucionalo-partiak ndaj nesh.

Për këtë arsye iu bëjmë thirrje për heqje dorë nga metodat e intimidimit dhe të presioneve. Le të bëjmë një fushatë normale ku ky pushtet i marrë fund gjithësesi do të dalë i humbur.”

Next Post

Gjermania: Rusia po synon të provokojë me prezencën ushtarake në kufi me Ukrainën

Gjermania ka akuzuar Rusinë se po synon të provokojë përmes rritjes së prezencës ushtarake në Gadushillin e pushtuar të Krimesë, dhe në pjesën e kufirit me Ukrainën, si dhe ka hedhur poshtë pretendimin e Moskës se është duke iu përgjigjur kërcënimeve nga NATO-ja. “Bindja ime është se pala ruse është […]