Ballkani perëndimor: A erdhi koha e shoqërimit amerikan për hegjemoninë evropiane?

user3
0 0

Nga Sébastien Gricourt, Fondation Jean Jaures PARIS

Nuk ka dyshim që zgjedhja e Joe Biden përbën një kthim fatlum në normalitetin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ama, meqë kthjelltësia na detyron të pranojmë se paraardhësi i tij Donald Trump qe përfundimisht jo thjesht njeri i turbullirave por ai i një epoke të zënë pritë para thyerjeve dhe çrregullimeve, duhet të reflektojmë mbi “normalitetin” e të kuptuarit të ardhshëm transatlantik. Lidhur me këtë, Ballkani perëndimor – ky “investim gjeostrategjik” i afirmuar tashmë prej Bashkimit Evropian që me strategjinë e tij të vitit 2018 – mund të kthehet në model të rithemelimit të lidhjeve mes Washingtonit dhe Brukselit, me kusht që të dy partnerët të pajtojnë saktë vizionet e tyre për të ardhmen e rajonit duke mos u kënaqur vetëm me rilidhjen me të shkuarën. 

Kur ishte senator në vitet ’90, Joe Biden u prek thellë nga luftrat në ish-Jugosllavi, ku dhe shkoi në prill të 1993-shit. Siç e kujtoi edhe ai vetë në fushatën zgjedhore, nëpërmjet mesazheve specifikë që u drejtoheshin zgjedhësve me origjinë boshnjake dhe shqiptare, ai mbrojti me bindje përgjatë atij dhjetëvjeçari, pranë shefit të Shtëpisë së Bardhë, Bill Clintonit, ndërhyrjen amerikane përmes NATO-s (fushatat ajrore në gusht-shtator në Bosnje-Herzegovinë dhe mars-qershor 1999 në Serbi dhe Kosovë) me qëllim që t’i jepej fund krimeve të luftës dhe atyre kundër njerëzimit.  

I lidhur emocionalisht me rajonin, të cilin e vizitoi edhe disa herë të tjera si zv.president – po ashtu si dhe ai që sot është ngritur në postin e sekretarit të shtetit, Antony Blinken – zgjedhja e tij do të duhej të rivendoste ekulibrin në politikën amerikane në rajon pas asaj të pararendësit të vet që e kishte kthyer veçanërisht në favor të presidentit nacionalist serb, Aleksandar Vučić, dhe që orkestroi në të njëjtën kohë në Kosovë përmbysjen e një qeverie të zgjedhur demokratikisht vetëm për të larguar prej pushtetit partinë kryesore, e cila nuk u konsiderua në pajtim me synimet afatshkurtër të presidentit amerikan.

1.Bashkëpunimi SHBA-EU do të jetë fjala kyçe… 

Teksa i përgjigjej kryetarit të Këshillit europjan, Charles Michel, dhe kryetared së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nëpër bisedat telefonike për përgëzimet e fitores, presidenti i sapozgjedhur shprehu “bindjen e tij se një Bashkim Evropian i fortë është në interes të Sheteteve të Bashkuara”. Nga ana tjetër, ai nënvizoi rëndësinë që i kushton bashkëpunimit me Evropianët lidhur me “çështje të shqetësimeve të ndërsjellta”, duke përmendur këtu Ballkanin perëndimor pas Iranit, Bjellorusisë dhe Ukrainës. Sigurisht, kjo shprehje e shkurtër mbi çështjet e nxehta mund ta tkurrë këdo që mbron ambicjet për një BE ndikuese në skenën botërore, por e tillë është edhe analiza që Washingtoni bën sot mbi kufizimet e kësaj fuqie në zhvillim e sipër. E nëse duhet të mjaftohemi me kaq për momentin, rajoni ballkanik duket se është i përfshirë të paktën në programin e përparësive të marrëdhënieve transatlantike.  

Sa për ambicjet globale të BE-së në partneritetin e përforcuar me Washingtonin, punimet e Këshillit Evropian dhe Komisionit Evropian për përgatitjen e diksutimeve me administratën e ardhshme dhe, tani shpejt, përfundimet e samitit të BE-së më 10 dhe 11 dhjetor, tregojnë vullnetin e një Bashkimi Evropian që trajtohet si aleat strategjik dhe autonom në pozita të barabarta, pa qenë naivë përsa i takon natyrës konkurruese të marrëdhënieve në disa fusha dhe raportet e rinj të sundimit në botë.   

Në këtë botë që ka ndryshuar aq shumë, ne mësojmë shumë nga ç’ka dalë prej një bashkëbisedimi telefonik informal në lidhje me Ballkanin me ish-zv.sekretarin e shtetit për çështjet politike dhe këshilltarin e afërt të presidentit të zgjedhur, Nicholas Burns, për shembul faktin se presidenti i zgejdhur mbështet kthimin te synimet afatgjatë, në kundërshti të dukshme me kërkimin rastësor të zgjidhjeve të shpejta të presidentit në ikje. Diplomati i referohet globalisht synimeve të vjetër bipartizanë për “Evropë të plotë e të lirë”, gjë që karakterizoi epokën perëndimore ngadhnjyese dhe të shkuar që ndoqi rënien e bllokut sovjetik. Kështu që ai vlerëson se integrimi i shteteve ballkanikë në BE dhe NATO bëhet më shumë se kurrë mision kur merren parasysh kërcënimet e Rusisë dhe Kinës në Evropë. 

2. … çka konfirmon kthimin te vazhdimësia…

Edhe pse referimi te koncepti i viteve ‘90 na kujton me dhimbje se ishin pafuqia evropiane dhe ajo e Kombeve të Bashkuar që çuan atëherë në ndërhyrjet përcaktuese amerikane, diplomati vlerëson megjithatë se i takon gjithsesi BE-së të drejtojë, për shembull, diplomatikisht dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. Ky pozicion nuk nënkupton vetëm faktin se përparësitë gjeopolitike dhe gjeoekonomike amerikane janë gjetiu, por konfirmon masën e kryer në përshtatjen graduale evropiane për administrim e çështjeve të fqinjësisë më të afërt. Le të kujtojmë se pas gabimeve tragjikë në Bosnjë-Herzegovinë, Evropianët u përgjigjën menjëherë pozitivisht interesave të njëjtë për paqe në Jugosllavi, dhe qenë kësisoj shumë më shpejt aktivë në Kosovë, politikisht dhe ushtarakisht.  

Kështu që, në bazë të çka u mësua nga luftrat jugosllave, samiti franko-britanik i Saint-Malosë në dhjetor 1998, i cili do të përkufizonte një vit më vonë kuadrin për politikën evropiane të sigurisë dhe mbrojtjes (ESDP), më pas nisja në qershor 1999 e procesit të stabilizim-asocimit me Ballkanin perëndimor, shtetet e të cilit panë të konfirmohet, në samitet e Zagrebit (2000) dhe pastaj të Selanikut (2003), prirja e tyre për t’u bashkuar dikur me BE-në, janë gjurmët e rëndësishme të peshës në rritje të BE-së për zgjidhjen afatgjatë të pasojave të dhjetëveçarit të zhbërjes së dhunshme të ish-Jugosllavisë.

Ky dhjetëvjeçar i parë i shekullit XXI dëshmon konkretisht tashmë sipërmarrjen prej BE-së të stabilizimit të rajonit dhe vendosjen evropiane të këtij të fundit, ndërkohë që rregullimi i statutit të Kosovës me shpalljen e pavarësisë së saj në 17 shkurt 2008 dhe e konfirmuar në 22 korrik 2020 me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbyllin pjesën kyçe të investimit amerikan. Në fakt, në atë kohë Shtetet e Bashkuar po merreshin seriozisht me ngritjen e Kinës (veçanërisht në favor të krizës financiare botërore të vitit 2008), ndërsa ish-presidenti Barack Obama do të nxiste zyrtarisht boshtin Azi-Paqësor që prej 2011-s, gjë që simbolizonte tashmë qëndrimin “leading from behind” gjatë ndërhyrjes në Libi po të njëjtin vit. 

3. … apo udhën e një “accompanying from behind”?

Sidoqoftë, duke vënë mënjanë këto vite trumpiane të karakterizuara nga një qasje sa ndërhyrëse aq dhe përjashtuese ndaj Evropianëve, vëmë re se katërvjeçari i dytë i presidentit Obama ishte në një farë mënyre një si kthim i SHBA-së në bahçen evropiane. Të bezdisur me ngadalësinë evropiane për t’i realizuar premtimet e integrimit, dhe të shqetësuar prej veprimeve të rivalëve të jashtëm që përfitonin nga lodhja me zgjerimin dhe boshi strategjik, Shtëpia e Bardhë tregoi atëherë shenja të qarta padurimi. Megjithatë, në prag të hyrjes në këtë dekadë të katërt, dallimet e sotëm me situatën rajonale që njohu presidenti i mëparshëm demokrat u përkasin kategorive të ndryshme.  

Si fillim në planin e sigurisë, synimi kryesor amerikan është arritur pothuaj me NATO-n që e ka fuqizuar praninë dhe mbrojtjen e përbashkët me aderimin e Malit të Zi (2017) dhe Maqedonisë së Veriut (2020). Podgorica përmbushi kështu dispozitivin gjatë bregut të Adriatikut, ndërkohë që sfidat e ardhshme të së dhënës së re politike, me një qeveri koalicioni që i dha fund këtë verë çerekshekullit të pushtetit të Milo Đukanovićit, u takojnë prioriteteve të marrëdhënieve me BE-në. Shkupi (me Tiranën, anëtare që prej vitit 2009) është ftuar të zërë një vend të rëndësishëm dhe në rritje në kontekstin e degradimit të marrëdhënieve të BE-së dhe NATO-s me Turqinë, por vendi ka kaluar tashmë që prej 2017-s shumë sprova jetike që presin vetëm shpërblimin me nisjen konkrete të negociatave të aderimit. Ndodh po e njëjta gjë për Shqipërinë, edhe kjo në pritje të mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare. Kështuqë, pengesa aktuale ndaj Maqedonisë së Veriut prej Bullgarisë me kushtin e njohjes së gjuhës bullgare si dhe përgjigjet ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të përmbushur kushtet paraprake shtesë që i imponohen, janë çështje që i përkasin vetëm autoritetit të BE-së dhe aftësisë së saj me qenë e besueshme, duke mos e përjashtuar këtu gjithsesi shoqërimin amerikan.  

Në këtë këndvështrim, po qe se dialogu Serbi-Kosovë do të duhet të mbetej me përparësi evropian, Bosnje-Herzegovina ofron, një çerekshekulli pas marrëveshjeve të Daytonit, mundësinë e një partneriteti më të fuqishëm mes Brukselit dhe Washingtonit. Në fakt, zgjedhjet bashkiake të mesit të nëntorit në Bosnje-Herzegovinë që u dhanë goditje partive tradicionale dhe zgjedhja e shumëpritur e 20 dhjetorit në Mostar (për të parën herë që prej vitit 2008) përbëjnë një sinjal të fortë për vullnetin e ndryshimit që mund të shfaqë kthesë pozitive në zgjedhjet legjislative dhe presidenciale të vitit 2022, po qe se ndiqet dhe koordinohet në mënyrën e duhur.  

Së fundmi, në planin e angazhimit politik të Brukselit lidhur me Ballkanin Perëndimor, administrata e re amerikane do të duhet të pranojë se këto vitet e fundit kanë vënë në dukje një ndërgjegjësim nga ana e Evropianëve. Çështja e aderimeve të reja nuk është më vetëm perspektivë e propozuar në fillim të shekullit, por është bërë këtej e tutje çështje jetike besueshmërie, jo vetëm për angazhimin e kandidatëve por edhe të vetë BE-së.

Ndaj procesit të integrimit që e ka humbur forcën e vet transformuese duke shpërblyer edhe nëpërkëmbësit e vlerave demokratike të shtetit të së drejtës, si dhe përballë stagnimit që u ka lënë hapësira fuqive të jashtme që nuk ndajnë të njëjtat vlera, BE-ja po provon t’i marrë gjërat në dorë. Të paktën do të duhet bindur Washingtoni se po ndodh pikërisht kështu, dhe këtë duke treguar se metodologjia e re e negociatave të aderimeve që ka nisur Franca me zhurmë në vjeshtën e vitit 2019 hap vërtet një dinamikë konvergjente për të gjitha palët, ngaqë përndryshe ajo do të interpretohet si shtysë për vullnet përngadalësues të ritmeve të aderimit. Në fakt, ndihma e dhënë për rajonin për përballjen e pandemisë (3,3 miliardë euro), apo edhe Plani ekonomik dhe i investimeve (9 miliardë euros), i njoftuar këtë vjeshtë, paraqesin angazhim konkret të një Bashkimi Evropian të vendosur (urojmë të jetë kështu), për me marrë përsipër të gjashtë vendet kandidatë si “përgjegjësi e ngutshme” me synim realizimin e “qëllimësisë” së Bashkimit.  

Këtej e tutje, me aleatin britanik që nuk është më i pranishëm për t’u deklaruar në mbrojtje të integrimit liberal të tregut ballkanik dhe për të bllokuar çdo thellim politik të BE-së, dhe me vende anëtarë si Hungaria që mbështet integrimin e shteteve ballkanikë për zgjerimin e rrethit të vlerave joliberale për rrënimin e vlerave themelore evropiane, duket qartë se Shtetet e Bashkuar nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër strategjike veç mbështetjes së plotë për BE-në dhe shoqërimit të përpjekjeve të saj. Në të njëjtën kohë, Washingtoni do të sigurohet se autonomia strategjike e synuar nga Brukseli nuk shpie në dobësim të NATO-s, gjë që nuk ka qenë kurrë qëllim por vetëm moskuptime evropiane dhe transantlantike, të cilët do të duhet të tejkalohen për me vendosë partneritetin e kërkuar.  

Meqenëse presidenti i zgjedhur amerikan pranon se një Evropë e fortë e rivendos këtë të fundit si aleate të besueshme dhe të aftë, a do të lejojë ai që në epokën e re suksesi i procesit të aderimit të varet njëherësh prej shfaqjes së lidershipit evropian – e vetmja mundësi që të zbutet ndikimi relativ i aktorëve të jashtëm – edhe prej natyrës së shoqërimit amerikan të proceseve?  

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Drafti final i Komisionit të Venecias nuk këshillon ndërhyrje tjetër në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 25 prillit.

Drafti final i Komisionit të Venecias nuk këshillon ndërhyrje tjetër në Kodin Zgjedhor para zgjedhjeve të 25 prillit. Ekspertët kërkojnë që partitë të shkojnë drejt kutive të votimit me kodin aktual, ndërkohë që një sërë sugjerimesh për ndërhyrje propozohen që të bëhen pas këtyre zgjedhjeve. Venecia u kërkon gjithashtu kryetarëve […]