Bashkim Kombëtar/ Nga “ose-ose” te “edhe-edhe”

user3
0 0

Çështja e Bashkimit Kombëtar po bëhet pike diskutimi çdo here e më aktuale në terrenin e politikës dhe publikes shqiptare. Por, jo çdo herë kjo çështje shtrohet në mënyrën më të mirë.

Nga ana e qëndrimit politik shtetëror serb kemi parë vazhdimisht pozicionim alarmues sa here që vjen në shprehje kjo çështje. Përballë bashkësisë ndërkombëtare faktori serb ka tentuar vazhdimisht që bashkimin e shqiptarëve ta paraqesë si kërcënim për konflikt në rajon, si ekspansionizëm dhe si ambicie e sëmurë për territor.

Për këtë serbët kanë shpikur edhe një term, që quhet “Shqipëria e Madhe”, duke nënkuptuar ekspansionizëm nga ana e Shqipërisë, e cila sipas tyre synon që të zgjerojë vetveten aty ku nuk i takon, në “tokën e shenjtë serbe”.

E vërteta është se ky nuk është zgjerim, ekspansionizëm, por është dalje jashtë gjendjes së të qenit i tkurrur, si në territor, ashtu edhe në ekonomi, ndërgjegje dhe vullnet politik. Bashkimi Kombëtar është emri i aspiratës për tu bërë ai që je. Është bashkim i shqiptarëve dhe jo ndarje apo pushtim i kombeve të tjerë.

Në kurthin e strategjisë serbe, bashkë me një pjese të konsiderueshme të faktorit ndërkombëtar bien edhe vetë shqiptarët. Jo pak herë kemi parë politikanë shqiptarë që për të arritur Bashkimin Evropian, Liberalizimin e Vizave, NATO-n, etj, kanë përdorur gjuhë shantazhuese “ose-ose”, e cila Bashkimin Kombëtar e bën të duket pikërisht kërcënues, ekspansionist dhe destabilizues; gjithçka të kundërt që përfaqëson Bashkimi Evropian dhe vlerat e këtij unioni.

Më i fundit nga këta politikanë ishte Ramush Haradinaj. Pikërisht dje, ndër të tjera, ashtu siç më parë Thaçi e Rama, ai shkroi se “Ne duhet të mbrojmë vlerat e krijuara, më e madhja e të cilave është liria, duke e forcuar sigurinë dhe duke ndjekur rrugën drejt NATO-s ose bashkimit me Shqipërinë”.

Sigurisht, mbas kësaj fraze, secili, i huaj apo shqiptar, duhet të alarmohet, sepse sipas implikimeve të frazës së z. Haradinaj, “ose NATO ose bashkim me Shqipërinë”, del që NATO dhe bashkimi me Shqipërinë janë përjashtues me njërin-tjetrin. Kjo duket alarmuese, sepse nëse Bashkimi Kombëtar e përjashton aleancën ushtarake euroatlantike më të fuqishme në planet, atëherë kemi një problem të madh, i cili i ngjan qëndrimeve izolacioniste, “antiimperialiste”, të regjimit enverist.

Në vend të këtij përdorimi përjashtues, që e bën bashkimin të duket një aspitratë anti-euroatlantike mund ta themi edhe atë që Bashkimi Kombëtar e përfaqëson realisht, faktin se ai nuk është në raport përjashtues, si me NATO-n edhe me BE-në, por është në raport përplotësues me to. Bashkimi i shqiptarëve është paqe afatgjate në Ballkan, ashtu sikur është shprehja më demokratike e vlerave evropiane, shprehja e vullnetit të një populli për tu qeverisur dhe për të qeverisur sipas vullnetit të vetë kolektiv dhe emancipues.

Paraqitja e Bashkimit Kombëtar si kërcënim shantazhues e bën atë të duket kërcënues. Nëse Bashkimi Kombëtar është kundër NATO-s dhe BE-së është e sigurt që asnjë shqiptar nuk e do këtë “bashkim”. Atë çka Rama, Thaçi dhe Haradinaj nuk duan ta kuptojnë është se kjo nuk është çështje “ose-ose”, por është “edhe-edhe”.

Detyra e çdo politikani shqiptar dhe e çdo shqiptari është që ta paraqesë bashkimin të tillë siç ai është. Ai është bashkim, si ai i gjermanëve, bashkim i cili qëndron në themele të BE-së.

Nuk ka Evropë të bashkuar pa Gjermani të bashkuar; dhe kjo vlen edhe për shqiptarët.

Nuk ka stabilitet ekonomik, politik dhe ushtarak në Evropë pa gjermanët e bashkuar; dhe kjo vlen edhe për shqiptarët.

Gjermiania nuk kërcënoi askënd me bashkimin e saj, përkundrazi, zgjidhi përfundimisht të gjitha konfliktet me fqinjët; dhe kjo, sigurisht, vlen edhe për shqiptarët.

Mos të habitemi kur faktori ndërkombëtar ndihet i kërcënuar kur dëgjon mbi Bashkimin Kombëtar, sepse ne kërcënojmë dhe ndihemi të kërcënuar prej tij. Fillimisht le të bindemi ne vetë që kjo është gjëja më normale dhe e natyrshme që mund të ndodhë, më pas do ta kemi shumë të lehtë që t’i bindim dhe të tjerët.

Të bindemi dhe të bindim që duam njëkohësisht edhe NATO-n, edhe BE-në, edhe Bashkimin Kombëtar, si bashkëplotësuese të njëra-tjetrës.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

OBSH miraton vaksinën e Moderna-s kundër Covid-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka miratuar për përdorim emergjent vaksinën kundër koronavirusit nga Moderna. Sipas medieve të huaja, vaksina me teknologjinë RNA nga prodhuesi amerikan, iu bashkohet listës së vaksinave të tjera të aprovuara nga OBSH-ja për përdorim emergjent, sikurse ato nga AstraZeneca, Pfizer-BioNTech dhe Johnson & Johnson. Miratime […]