Opinion/Aktualitet

BE-ja s’ka qëndrim të qartë rreth “Ballkanit të Hapur”, disa e shohin si dyfishim të Procesit të Berlinit

Shkruan Agustin Palokaj

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy nismëtarët e “Ballkanit të Hapur” kanë lënë të kuptohet se nuk janë të lumtur me sjelljen e Bashkimit Evropian. Vuçiq ka thënë se “nuk i shkon mendja t’i arsyetohet askujt, as në BE e as në rajon” për këtë nismë, ndërsa Rama është raportuar të jetë tallur me kryeministrin e Malit të zi duke ironizuar se “ai do të hyjë në BE më 2022” dhe “nëse nuk hyn atëherë do të vijë në ‘Ballkanin e Hapur’”.

Se në nismën e “Mini-Schengenit”, që tash është ripagëzuar si “Ballkani i Hapur” ka edhe motive të zhgënjimit të Ramës dhe Vuçiqit me BE-në është thënë në qarqet diplomatike evropiane edhe më herët. Shqipëria ka shumë arsye për këtë sepse tash e sa vjet po pret të bëjë hapin e parë në procesin e anëtarësimit, nisjen e negociatave. Por përkundër konfirmimit se i ka përmbushur të gjitha kriteret kjo nuk ka ndodhur. Edhe Serbia ndihet e tradhtuar për shkak se tash e dy vjet nuk ka hapur apo mbyllur asnjë kapitull ndërkohë që BE-ja nuk ka siguruar as “mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë e Metohi”.

Liderët nga Shqipëria dhe Serbia janë bërë bashkë për të bërë në rajon atë që bën BE-ja, dhe pa ndihmën e BE-së. Së paku kështu thonë vazhdimisht Rama dhe Vuçiq. Flasin për liri të lëvizjes së mallrave, njerëzve, kapitalit dhe shërbimeve. Rama shkon më larg dhe këtë e quan si nismë të krijimit të paqes, duke e krahasuar me Bashkësinë për çelik dhe qymyr që kishin bërë Franca dhe Gjermania, me vendet e Beneluksit pas luftës së dytë botërore.

Bashkimi Evropian nuk ka një qëndrim krejtësisht të qartë rreth nismës së “Ballkanit të Hapur”. Nuk është lehtë të kuptohet nëse BE-ja është në favor të kësaj nisme apo kundër sepse deklaratat e zyrtarëve më të lartë të BE-së janë me shumë paqartësi. Në njërën anë parimisht mbështesin çdo nismë e cila ndikon në rritjen e bashkëpunimit rajonal, por në anën tjetër e shohin këtë nismë si dyfishim të disa proceseve të cilët tashmë janë në vazhdim e sipër.

Bashkëpunimi rajonal jo vetëm se është i mirëpritur, por është edhe kusht për vendet e rajonit në procesin e integrimit të tyre në BE, sikur edhe detyrim nga Procesi i Stabilizim-Asocimit, thonë në Bruksel.

Lexo më shumë  A është çmendur Ilir Meta?

Problemi me nismën “Ballkani i Hapur” është, sipas disa diplomatëve, se ai nuk ka siguruar një gjithëpërfshirje rajonale. Prandaj në prononcimet e BE-së se “mbështesin nismat që janë inkluzive” duhet vërejtur edhe këtë element, sepse në këtë nismë në këtë moment janë vetëm tri nga gjashtë shtetet e rajonit.

Se BE-ja nuk e ka shumë për qejfi nismën “Ballkani i Hapur” mund të shihet edhe nga Paketa e zgjerimit e miratuar më 19 tetor. Në dokumentin e përbashkët përmenden shumë nisma rajonale, nga ajo e Evropës juglindore, Procesi i Berlinit, Nisma e Bashkëpunimit Rajonal, CEFTA e shumë tjera. Por në këtë dokument nuk përmendet fare “Ballkani i Hapur”. Përmendet vetëm në raportet individuale për Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe atë vetëm për të konstatuar se këto shtetet kanë pasur takime të përbashkëta rreth kësaj nisme.

“Më 29 korrik, liderët politikë të Shqipërisë, Maqedonisë së veriut dhe Serbisë, u takuan për të lansuar nismën ‘Ballkani i Hapur’, me qëllim të heqjes së barrierave ekonomike mes tri shteteve deri në vitin 2023. Dy memorandume u nënshkruan për tregti”, është krejt çka thuhet në tri raportet individuale për secilin prej këtyre tri shteteve.

Shumë më tepër në të gjitha dokumentet, që krahas paketës së zgjerimit ka edhe raportet individuale për shtetet përkatëse, flitet në detaje për të gjitha nismat tjera.

Më së shumti përmendet nevoja e implementimit të marrëveshjes për krijimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, sipas shembullit të BE-së, me zbatimin e së cilit vendet jo vetëm se do të rrisnin investimet por edhe do të bëheshin gati për integrim në BE më mirë.

Mbështetja në parim “secilës nismë që rrit bashkëpunimin rajonal” nga ana e BE-së, por edhe disa shteteve anëtare, është kuptuar dhe përdorur nga mbështetësit e nismës “Ballkani i Hapur” si mbështetje direkte për këtë nismë. E njëjta gjë është bërë edhe gjatë vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Tiranë dhe Beograd. Por në BE thonë se “një mbështetje të tillë direkte nuk ka pasur” dhe se edhe në disa qarqe evropiane ka rezerva ndaj kësaj nisme.

Lexo më shumë  Tritan Shehu për votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE: I hap rrugë njohjes së gjenocidit

“Konkludimi më i logjikshëm do të ishte se BE-ja e sheh nismën ‘Ballkani i Hapur’ si një kidnapim të asaj që tashmë po bëhej me Procesin e Berlinit dhe nismës për Tregun e Përbashkët Rajonal”, thotë një diplomat i BE-së i cili mendon se deklaratat se “BE-ja mbështet secilën nismë inkluzive që ndihmon pajtimin dhe bashkëpunimit rajonal” nuk mund të shihet si mbështetje formale për nismën “Ballkani i Hapur”.

Disa diplomatë evropianë e pranojnë se Kosova posaçërisht ka arsye të ketë rezerva ndaj kësaj nisme, edhe në aspektin përmbajtjesor edhe në atë simbolik dhe të trajtimit të barabartë. Në Procesin e Berlinit të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të njëjtën përfshirë edhe Kosovën. Një gjë e tillë nuk ndodhë nga ana e BE-së për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga ana e 5 vendeve anëtare. Dhe është pikëpyetje nëse presidenti i Serbisë do të pranonte pjesëmarrjen e Kosovës si shtet në nismën “Ballkani i Hapur”. Në bazë të sjelljeve të fundit të Vuçnjë gjë e tillë duket e vështirë.

Vuçiq ka marrë pjesë në samitet e Procesit të Berlinit me flamur të Republikës së Kosovës pranë tij

Se “Procesi i Berlinit” është krejtësisht inkluziv, dhe i trajton të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimore si të barabarta, dëshmon edhe simbolika. Për dallim nga takimet e BE-së dhe ato rajonale që kur merr pjesë Kosova nuk vendosin simbole të shteteve apo flamuj, në Procesin e Berlinit kjo nuk ndodh. Në takimet e këtij procesi në Berlin, Paris apo Poznan të Polonisë, janë vendosur flamujt e të gjitha shteteve, pra edhe të Kosovës. Ndoshta këto janë të vetmet takime në të cilat edhe presidenti i Serbisë, Vuçiq merr pjesë edhe pse aty vendoset si i barabartë edhe flamuri i Republikës së Kosovës. Serbia sillet ndryshe kur organizatorë janë Gjermania apo Franca e ndryshe kur është fjala me takime në nivel rajonal apo takime ku ka shtete që nuk e njohin Kosovën. Prandaj, vlerësojnë diplomatët, Serbia është nga aspekti simbolik mund të ketë interes që të ketë një nismë paralele ku pjesëmarrëse do të ishte “Prishtina” e jo Republika e Kosovës si shtet.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *