BallinaLajme

BSH: Kriza e ka përkeqësuar aftësinë paguese afatgjatë të borxhit të jashtëm

Pandemia dhe rritja e huamarrjes së huaj e kanë përkeqësuar aftësinë ripaguese afatgjatë të borxhit të jashtëm të vendit.

Analiza e Bankës së Shqipërisë mbi treguesit kryesor të borxhit të jashtëm të vendit arrin në konkluzionin se ky përkeqësim lidhet si me rritjen e stokut të borxhit, ashtu edhe me rënien e komponentëve kyçe për aftësinë ripaguese, të tillë si eksportet dhe të ardhurat fiskale.

Në fund të tremujorit të dytë, raporti ndërmjet borxhit të jashtëm bruto dhe eksportit vjetor të mallrave dhe shërbimeve vlerësohet në nivelin 191.1%, me një rritje të shpejtë ndaj nivelit 153.7% të tremujori të mëparshëm. Gjithashtu, raporti i borxhit të jashtëm ndaj të ardhurave fiskale u rrit në 249.5%, nga 220.2% në tremujorin e parë të vitit. Presione në rritje vihen re edhe në terma të borxhit të jashtëm neto. Raporti i borxhit ndaj eksportit të mallrave dhe të shërbimeve u rrit në 41.2% në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, nga 36.0% në fund të tremujorit të parë të vitit.

Lexo më shumë  Zv.drejtori i RAI: Nuk e ha presionin e Ramës, emisioni nuk është kundër shqiptarëve

Megjithatë, rezerva e shëndoshë valutore e vendit vlerësohet nga ekspertët e bankës së Shqipërisë si një mburojë që ofron siguri në afatin e shkurtër. Stoku i rezervës valutore mbulon 257.8% të borxhit të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2020, duke dëshmuar për mjaftueshmëri në përballimin e detyrimeve afatshkurtra.

Stoku i borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë shënoi vlerën totale prej 8.9 miliardë eurosh në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2020, në rritje me rreth 6.8% në terma vjetorë. Zgjerim i ndjeshëm është verifikuar gjatë tremujori të dytë të vitit 2020, lidhur ky me emetimin e Eurobondit. Stoku i borxhit të jashtëm vlerësohet në nivelin 68.1% ndaj PBB-së, raport ky rreth 3.8 pikë përqindje më i lartë krahasuar me atë të të njëjtës periudhë të një viti më parë dhe 7.8 pikë përqindje më i lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2020.

Lexo më shumë  Çfarë tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Qeveria mbetet sektori me peshën më të madhe dhe mban gjysmën e stokut total të borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Borxhi i jashtëm publik u zgjerua me rreth 17.4% në terma vjetorë dhe 18.3% krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Në raport me PBB-në nominale, stoku u vlerësua në nivelin 34%, rreth 4.6 pikë përqindje më i lartë krahasuar me një vit më parë.

Në fund të gjysmës së parë të vitit 2020, 82% e stokut të borxhit vlerësohet të jetë borxh afatgjatë, kryesisht në formën e huave. (Monitor)

Rruga Press

YouTube player