Speciale

Budallenjtë dhe të mençurit

Jacques Rancière reflekton mbi fundin e presidencës së Trumpit dhe pyet se si kjo rënie në çarsye rikonstruktoi atë çka domethënë demokraci.

Pas sulmit të Kapitolit, mund të habitemi tek shohim mbështetësit e Trumpit me ngulmin e tyre për me mohu faktet deri në atë pikë sa të zhyten në dhunën fanatike. Disa i shohin ata si shpirtra sylesh të mashtruar nga fake newsi. Po si ta besojmë këtë përrallë kur jetojmë në një botë ku ka mbitepri informacioni dhe komentuesish që ‘deshifrojnë’ informacionin? Në fakt, nëse njerëzit refuzojnë atë që është e qartë, nuk është ngaqë janë torollak, kjo është për të treguar se janë inteligjentë. Një shenjë pervertimi e gdhendur mu në strukturën e arsyes sonë.


Është e lehtë të tallesh me marrëzitë e Donald Trumpit dhe të tërbohesh ndaj dhunës së fanatikëve të tij. Por vërshimi i iracionalitetit më të kulluar në zemër të procesit zgjedhor, në vendin më të aftë për të menaxhuar alternimet e sistemit përfaqësues ngren poashtu pyetje mbi botën që ndajmë me të: një botë që ne menduam se ishte bota e mendimit racional dhe demokracisë paqësore. Dhe pyetja e parë sigurisht është: si mundet që njerëzit të refuzojnë me kokëfortësi faktet e verifikuar më së miri dhe si mundet që ky refuzim të shpërndahet dhe mbështetet kaq gjerësisht?


Disa njerëz akoma kapen mbas një fijeje kashte për t’i shpëtuar mbytjes: ata që nuk duan të pranojnë faktet shihen si injorantë të keqinformuar ose shpirtra sylesh të mashtruar nga fake newsi. Ky është idili klasik mbi njerëz të mirë, por naivë, të cilët janë gënjyer, por që duhet vetëm të mësojnë të informojnë vetveten mbi faktet dhe t’i gjykojnë ato me mendje kritike. Por si mund ta besojmë akoma këtë përrallë të naivitetit popullor kur jetojmë në një botë ku mjetet e informimit, mjetet e verifikimit të informacionit dhe komentet që ‘deshifrojnë’ të gjithë informacionin janë të qasshme me bollëk për të gjithë?


Atëherë, argumenti duhet të përmbyset: nëse njerëzit nuk e pranojnë evidenten, nuk vjen ngaqë janë budallenj, kjo është për të treguar se janë inteligjentë. Dhe inteligjenca, siç dihet, konsiston në mosbesimin ndaj fakteve dhe në shtrimin e pyetjes se përse shërben masa gjigande e informacionit që na bie mbi kokë çdo ditë. Dhe përgjigjja kthehet krejt natyrshëm, për të mashtruar dynjanë, sepse ajo që u shfaqet të gjithëve njëherësh është zakonisht sa për të mbuluar të vërtetën, ndaj duhet të dimë ta zbulojmë, ashtu siç është, e fshehur nën dukjen e rreme të fakteve të paraqitur.


Forca e kësaj përgjigjeje është se ajo kënaq që të dy, më fanatikët dhe më skeptikët njëkohësisht. Një nga tiparet e shquara të së djathës së re ekstreme është vendi që mbahet prej teorive konspirative dhe negacioniste. Këto teori kanë aspekte delirante, njësoj si teoria e konspiracionit të madh ndërkombëtar të pedofilëve. Por ky delir është në fund të fundit vetëm forma ekstreme e një lloji racionaliteti që përgjithësisht vlerësohet në shoqëritë tona: ai na detyron ta shohim në çdo fakt të veçantë si pasojë e një rendi global, duke e vendosur atë në një ndërlidhje të përgjithshme që e shpjegon dhe tregon se përfundimisht është shumë ndryshe nga ajo që dukej në fillim.


Mundësia për të mohuar gjithçka nuk vjen nga “relativizmi”. Është pervertim i regjistruar në vetë strukturën e arsyes tonë.


Ne e dimë se ky parim i të shpjeguarit të gjithçkaje përmes shumës së lidhjeve të bëra funksionon poashtu edhe nga e kundërta: Gjithmonë është e mundur që të mohohet një fakt duke kujtuar mungesën e një hallke lidhëse në zinxhirin e kushteve që e bëjnë të mundshëm. Kjo, siç e dimë, është ajo se si disa intelektualë radikalë marksistë mohuan ekzistencën e dhomave naziste të gazit, meqenëse ishte e pamundur që domosdoshmëria e tyre të rrjedhohej nga logjika e përgjithshme e sistemit kapitalist. Dhe, sot përsëri, disa intelektualë të mprehtë e kanë parë koronavirusin si një fabul të shpikur prej qeverive tona për të na kontrolluar më mirë.


Logjika që rri në themel të teorive të konspiracionit dhe negacionizmit nuk është tipike për mendjet e lehta dhe trutë e sëmurë. Format e tyre ekstreme dëshmojnë për hisen e çarsyes dhe bestytnisë të pranishme në zemër të formës dominuese të racionalitetit në shoqëritë tona, dhe në mënyrat e të menduarit që interpretojnë mënyrën e funksionimit të tyre. Mundësia e të mohuarit të gjithçkaje nuk është lloji i ‘relativizmit’ i sfiduar prej shpirtrave seriozë që e shohin veten e tyre si mbrojtës të universalitetit racional. Është një pervertim i gdhendur mu në në strukturën e arsyes sonë.

Mund të thuhet se nuk mjafton që njerëzit të kenë armët intelektuale që ata të mohojnë gjithçka. Është e domosdoshme, poashtu, ta duan mohimin. Kjo është absolutisht në rregull. Por, ne duhet të shqyrtojmë përmbajtjen e këtij vullneti ose afekti që shpie në të besuarit apo mosbesuarit.


Nuk ka gjasa që shtatëdhjetë e pesë milionë votuesit që hodhën votën për Trumpin të jenë mendje të dobëta të bindur nga fjalimet e tij dhe lajmet e rremë që ai përcjell. Ata nuk po besojnë në kuptimin që po e merrnin për të vërtetë atë që thotë ai. Ata besojnë në kuptimin se janë të lumtur të dëgjojnë atë që dëgjojnë: një kënaqësi që mund të shprehet në një fletë votimi çdo katër ose pesë vjet, por shumë më thjesht çdo ditë në një like të thjeshtë. Dhe tregtarët e informacionit të rremë nuk janë as njerëz naivë që e imagjinojnë atë si të vërtetë, e as cinikë që e dinë se është i rremë. Ata janë thjesht njerëz që duan kështu, që duan të shohin, mendojnë, ndjejnë dhe jetojnë në komunitetin e sentimenteve që këto fjalë endin.


Si duhet ta kuptojmë këtë komunitet dhe këtë dëshirë? Këtu qëndron në pritë një nocion tjetër dembel, ai i populizmit. Në vend të një populli të mirë dhe naiv kjo fabrikon një popull të frustruar dhe ziliqar, i gatshëm të ndjekë dikë që di sesi t’i mishërojë resentimentet e tyre dhe t’i piketojë kauzat e tyre.


Na është thënë zellshëm se Trumpi përfaqëson bardhoshët e vegjël që kanë rënë në dëshpërim dhe zemërim: viktima të transformimeve ekonomike dhe shoqërore; ata që kanë humbur punët e tyre nga deindustrializimi, si dhe referencat identitare në format e reja të jetës dhe kulturës; ata që ndihen të braktisur nga elitat e largëta politike dhe të përbuzur nga elitat e diplomuara. Kënga nuk është e re: kjo është veçmë ajo se si papunësia shërbeu si shpjegim për nazizmin në vitet 1930 dhe përdoret vazhdimisht për të shpjeguar çdo shpërthim të së djathtës ekstreme në vendet tona. Por si mund të besojmë seriozisht se shtatëdhjetë e pesë milionë votuesit e Trumpit i përshtaten të gjithë këtij profili të viktimave të krizës, papunësisë dhe deklasimit? Eh pra, bëhet e domosdoshme braktisja e fijes së dytë të kashtës që shpëto rehatinë intelektuale, figura e dytë e popullit që ka tradicionalisht për detyrë rolin e aktorit iracional: ky popull i frustruar dhe brutal që varet nga populli i mirë dhe naiv.


Më thellësisht, ne duhet të vëmë në pikëpyetje këtë formë të racionalitetit pseudo-shkencor, i cili kërkon që format politike të shprehjes së popullit-subjekt t’i kthejë në tipare që i përkasin kësaj apo asaj shtrese shoqërore në ngritje apo rënie. Populli politik nuk është shprehja e një populli sociologjik që ekziston që më parë. Është një krijim shumë specifik: produkt i një sërë institucionesh, procedurash dhe formash veprimi, por edhe i fjalëve, frazave, imazheve dhe përfytyrimeve që nuk shprehin ndjenjat e një populli ekzistues, por që krijojnë një popull të caktuar, me anë të krijimit të një regjimi specifik afektesh.


Pasioni me të cilin Trumpi bën thirrje nuk ka asgjë të mistershme, ky është pasioni i pabarazisë.


Populli i Trumpit nuk është shprehja e shtresave sociale në vështirësi dhe në kërkim të një mbrojtësi. Ai është, mbi të gjitha, një popull i prodhuar nga një institucion specifik tek i cili shumëkush këmbëngul se po sheh shprehjen e epërme të demokracisë: atë që krijon një marrëdhënie imediate dhe reciproke midis një individi që konsiderohet se mishëron fuqinë e të gjithëve dhe një kolektivi që konsiderohet se e sheh vetveten tek ai. Poashtu, është një popull i ndërtuar prej një formë të veçantë adresimi, adresë e personalizuar, e mundësuar nga teknologjitë e reja të komunikimit, ku udhëheqësi i flet përditë secilit dhe të gjithëve, si njeri publik dhe si njeri privat njëherazi, duke përdorur format e njëjta të komunikimit që i lejojnë secilit dhe të gjithëve të thonë përditë atë që u vjen në zemër e në mendje.


Si përfundim, është një popull i ndërtuar prej sistemit specifik të afekteve që Donald Trump ka mirëmbajtur përmes këtij sistemi komunikimi: një sistem afektesh që nuk ka për qëllim një klasë të posaçme dhe i cili nuk luan mbi frustrimin, por përkundrazi, mbi kënaqësinë me gjendjen e dikujt, jo mbi një ndjenjë të pabarazisë për t’u riparuar, por me atë të mirëmbajtjes së privilegjeve kundër të gjithë atyre që do të donin t’ua preknin.


Nuk ka asgjë misterioze në pasionin e thirrjeve të Trumpit, është pasioni për pabarazi, ai që u lejon po aq të pasurve sa dhe të varfërve, të zbulojnë një mori qeniesh inferiore mbi të cilët ata duhet të ruajnë me çdo kusht superioritetin. Me të vërtetë, ky është gjithnjë një superioritet tek i cili mundesh të marrësh pjesë: superioriteti i burrave mbi gratë, i grave të bardha mbi gratë me ngjyrë, i punëtorëve mbi të papunët, i atyre që punojnë në profesionet e të ardhmes mbi të tjerët, i atyre me sigurim të mirë mbi ata që varen nga ndihmat sociale, i vendasve mbi emigratët, i shtetasve mbi të huajt, dhe i qytetarëve të vendit mëmë të demokracisë mbi pjesën tjetër të njerëzimit.


Bashkëprania e që të dyve, flamurit të trembëdhjetë shteteve themeluese dhe flamurit të jugut skllavopronar, në Kapitolin e zaptuar prej kopukëve trampian, ilustron shumë mirë këtë montazh të posaçëm që e bën barazinë një provë eprore të pabarazisë dhe “të kërkuarit e lumturisë” afekt të urryer. Por etosi i një kombi të caktuar nuk mund të barazohet as me këtë identifikim të pushtetit të të gjithëve me një grumbull të panumërt superioritetesh dhe urrejtjesh, as me një shtresë të caktuar sociale. Ne e dimë rolin e luajtur mes “Francës punëtore” dhe “Francës lypsare” në vendin tonë, midis atyre që përparojnë dhe atyre që mbesin të varur te sistemet arkaike të mbrojtjes sociale, apo midis qytetarëve të vendit të Iluminizmit dhe të drejtave të njeriut dhe popullatave të prapambetura e fanatike që kërcënojnë integritetin e tij. Dhe ne mund ta shohim çdo ditë në internet, urrejtjen ndaj të gjitha formave të barazisë të ngrehur deri në pikën e vlimit prej komenteve të lexuesve të gazetave.


Ashtu sikurse refuzimi kokëfortë nuk është shenja treguese e mendjeve të prapambetura por variant i racionalitetit dominues, ashtu edhe kultura e urrejtjes nuk është produkt i shtresave të paprivilegjuara sociale por i funksionimit të institucioneve tona. Është një mënyrë për-të-bërë-popull, një mënyrë e të krijuarit të një populli që i përket logjikës së pabarazisë. Thuajse dyqind vjet më parë , Joseph Jacotot, mendimtar i emancipimit intelektual, tregoi sesi marria pabarazimtare ishte themeli i një shoqërie në të cilën çdo inferior ishte i aftë të gjente dikë inferior ndaj tij dhe ta shijonte këtë superioritet. Vetëm një çerek shekulli më parë, unë nga ana ime sugjerova se identifikimi i demokracisë me konsensusin, në vend të një populli të shpallur arkaik nga ndarja sociale, prodhoi një popull edhe më arkaik që bazohet vetëm te afektet e urrejtjes dhe përjashtimit.


Në vend të rehatisë që sjell zemërimi dhe tallja, ngjarjet që shënuan fundin e presidencës së Donald Trumpit duhet të na shtyjnë të shqyrtojmë ca më thellë format e mendimit që i quajmë racionale dhe format e komunitetit që i quajmë demokratike./Përktheu Rruga Press

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *