Cedric: Integrimi i Ballkanit, me të gjitha vendet dhe në të njëjtën kohë

RrugaPress2
0 0
Shpërndaje

“Mendoj se Evropa ka shënuar dështim dramatik në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe kuptimin e rëndësisë strategjike të këtij rajoni. Prandaj, perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet me të gjitha vendet dhe në të njëjtën kohë”, ka thënë deputeti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Cedric Wermuth

Evropa ka shënuar dështim dramatik në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe kuptimin e rëndësisë strategjike të këtij rajoni, ka thënë Cédric Wermuth, deputet i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, njëherësh edhe bashkëkryetar i Partisë Socialdemokrate zvicerane.

Në një intervistë për “KOHËN”, Wermuth e ka quajtur të gabuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me Ballkanin. Sipas tij, pa një perspektivë të qartë dhe integrim të njëkohshëm për të gjitha vendet e rajonit, nuk mund t’i kontribuohet stabilitetit.

Sipas tij, nuk është menaxhuar si duhet as dialogu mes Kosovës e Serbisë. Teksa ka komentuar rëndësinë që palët të negociojnë për zgjidhjen e problemeve, deputeti zviceran ka thënë se BE-ja duhet menjëherë që Kosovës t’ia heqë vizat.

“Por, nuk mund të presim që të dy vendet t’i zgjidhin të vetme problemet. Kjo është arsyeja që duhet të kemi perspektivën e qartë për të gjitha vendet e Ballkanit, që të anëtarësohen në Bashkim Evropian, e jo që kjo të ndodhë vetëm për disa shtete”, ka thënë Wermuth, i cili gjatë vizitës në Kosovë takoi udhëheqësit e institucioneve për të diskutuar mundësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Tani Zvicra është në proces të rinegocimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe ne do të mundohemi të kontribuojmë aty për të parë se çka mund të bëhet nga ana e Parlamentit. Natyrisht ne e kemi diskutuar mundësinë se si mund të zhvillojmë e ndihmojmë në menaxhimin dhe tejkalimin e krizës me pandeminë COVID-19”, ka theksuar Wermuth.

Dy arsyet e vizitës

Koha: Z. Wermuth, cili është qëllimi i vizitës suaj në Kosovë?

Wermuth: Janë dy qëllime, që më në fund – pas katër vjetësh përpjekje – ma bënë të mundur ta gjej momentin për të ardhur në Kosovë. Pak a shumë nuk kam mundur për shkaqe politike – kishim zgjedhjet në Zvicër, ndryshimet në qeveri, pastaj pandemia. Qëllimi i parë i vizitës është rithemelimi i grupeve të miqësisë mes parlamenteve tona – Kosovës e Zvicrës. Prandaj, synimi është të shohim se çka mund të bëjmë rreth këtyre grupeve dhe nëse mund t’i shndërrojmë ato në grupe të mëdha, ku përfshihen të gjitha partitë dhe japin kontributin e tyre. Shkas i dytë është formimi i qeverisë së re. E njoh qe një kohë të gjatë kryeministrin Kurti dhe kemi bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje si Parti Socialdemokrate në Zvicër. Pra, erdha për ta uruar dhe që në të njëjtën kohë t’i shohim mundësinë e bashkëpunimit.

Koha: A ka ndonjë plan konkret rreth bashkëpunimit që synoni me qeverinë e re?

Wermuth: Tani Zvicra është në proces të rinegocimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe ne do të mundohemi të kontribuojmë aty për të parë se çka mund të bëhet nga ana e Parlamentit. Natyrisht ne e kemi diskutuar mundësinë se si mund të ndihmojmë në menaxhimin dhe tejkalimin e krizës me pandeminë COVID-19. Planifikojmë të kthehemi sërish në shtator me grupin parlamentar, për t’i vendosur hapat konkretë të bashkëpunimit, sepse tani ishin takime më shumë të përgjithshme dhe njoftuese. Grupi ynë parlamentar synon t’i ofrojë ndihmë Kosovës në sigurimin e mbështetjes ndërkombëtare, në mënyrë që të njihet plotësisht si shtet nga të gjithë, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Koha: Vizita juaj vjen në kohën kur vendi ynë, sikur e gjithë bota, po ballafaqohet me pandeminë COVID-19 dhe po bëhen përpjekje për sigurimin e vaksinave. Si mund të ndihmojë Zvicra në këtë drejtim?

Wermuth: Jam duke u munduar ta shtyj qeverinë time dhe qeveritë e tjera në Evropë që të mos lënë pa vaksinuar askënd. Ideja në Zvicër për t’u vaksinuar secili është e mirë, këtë e dua për fëmijët e mi. Por, nuk ka kuptim që të vaksinohen vetëm qytetarët e vendeve të pasura dhe të tjerët të lihen anash. Kjo duhet të ndodhë edhe për faktin se ka një diasporë shumë të madhe shqiptare në Zvicër. Pra, ne duhet ta mbështesim jo vetëm Kosovën, por edhe vendet e tjera që të furnizohen sa më shumë dhe sa më shpejt me vaksina. Mendoj se Zvicra dhe të gjitha vendet e tjera të pasura është e domosdoshme të tregojnë më shumë solidaritet në luftimin e pandemisë. Kam takuar shumë njerëz këtu në Prishtinë që flasin për vështirësitë gjatë mbylljes me bizneset e tyre. Pra, duhet bashkëpunim ndërkombëtar dhe solidaritet për luftimin e pandemisë.

Mundësitë për bashkëpunim

Koha: Kur jemi te marrëdhëniet bilaterale Zvicër-Kosovë, në cilat fusha shihni mundësi për avancim të bashkëpunimit?

Wermuth: Natyrisht ka potencial në fushën ekonomike dhe në turizëm. Kam pasur rastin t’i takoj disa prodhues industrialë këtu, ta zëmë prodhues solarë të cilësisë së lartë. Po ashtu ka prodhime agrikulturore që janë interesante dhe mund të vijnë në shprehje për t’u plasuar në tregjet e tjera. Natyrisht duhet bashkëpunim edhe me diasporën e Zvicrës për të sjellë kapitalin në Kosovë, sepse e njohin shumë kulturën e vendit tuaj. Pastaj ka hapësirë bashkëpunimi dhe avancimi në fushën e sigurisë. Zvicra ka shumë përvojë si të adresohen të drejtat e minoriteteve, pastaj edhe në fushën e edukimit. Jemi me fat që kemi një sistem të mirë të edukimit të dyfishtë, kur njëkohësisht të rinjtë punësohen dhe shkojnë në shkollë. Zvicra mund të ofrojë ekspertizë në këtë drejtim.

Koha: Përmendët rolin e diasporës, e cila është në numër të madh në Zvicër. Si e vlerësoni kontributin e saj në Zvicër dhe a mund të aktivizohet potenciali i saj tani në funksion të zhvillimit të Kosovës?

Wermuth: Kontributi i tyre në Zvicër tani është i madh. Më kujtohet kur fillova të merrem me politikë para 20 vjetësh, kosovarët zakonisht akuzoheshin për sjellje kriminale dhe shfrytëzim të sistemit social. Kjo ka ndryshuar plotësisht. Sot ka profesorë, doktorë e infermierë, që japin kontributin e tyre. Një përqindje e madhe e ekipit kombëtar të futbollit përbëhet nga shqiptarët. Ata tani janë të pranueshëm edhe në politikë – ka presidentë të kantoneve të mëdha, janë figura me influencë të madhe. Sot emri tipik zviceran është Urs Muller, që vjen nga një fshat i vogël me tipare tradicionale. Sot, të quhesh Hashim Gashi, për shembull, që vjen nga Kosova, është 100 për qind pjesë e identitetit zviceran. Kështu që historia e Kosovës sot është pjesë e historisë së Zvicrës. Në Zvicër kanë filluar ta pranojnë këtë. Por, po ashtu mundohem t’i motivoj kosovarët që të mos harrojnë se prej nga vijnë, pse është dashur të ikin nga vendi i tyre – siç dihet për shkak të tragjedisë. Mendoj se ata kanë obligim moral që të kontribuojnë në Kosovë. Ata mund ta sjellin dijen dhe ta ndryshojnë perceptimin ndërkombëtar për Kosovën. Po ashtu, mund ta sjellin kapitalin, pra të investojnë këtu në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.

Koha: Por, cilat janë pengesat për mungesën e investimeve? Kosova, në shumë raporte vendore e ndërkombëtare, përshkruhet si vend me mungesë të theksuar të ligjit dhe nivel të lartë të krimit dhe korrupsionit. Si do të duhej të adresoheshin këto?

Wermuth: Pikërisht mendoj se adresimi i tyre duhet të jetë prioriteti kryesor i qeverisë së re. Kjo është një nga gjërat më të rëndësishme. Këtë fenomen e dëgjoj nga shumëkush – nga investitorët e secilës industri. Gjëja kryesore për mirëfunksionimin e një shoqërie është vendosja e rendit dhe ligjit, sikundër dhe luftimi i korrupsionit. Kjo nënkupton marrje të vendimeve të vështira. Unë inkurajoj qeverinë që ta adresojë këtë dhe energjia në luftën kundër korrupsionit nuk mund të jetë 50 për qind, por duhet të jetë 100 për qind.

Koha: Krahas prioriteteve të brendshme, Bashkimi Evropian kërkon që Kosova të rikthehet në tryezën e negociatave me Serbinë, në kuadër të angazhimeve për arritjen e një marrëveshjeje finale dhe gjithëpërfshirëse. Si e shihni këtë proces?

Wermuth: Mendoj se Evropa ka shënuar dështim dramatik në integrimin e Ballkanit Perëndimor dhe kuptimin e rëndësisë strategjike të këtij rajoni. Prandaj, perspektiva e integrimit të Ballkanit Perëndimor duhet të bëhet me të gjitha vendet dhe në të njëjtën kohë. Problemi im është se nuk mund të themi “ne”, për shkak se Zvicra nuk është pjesë e saj, por Bashkimi Evropian duhet ta hapë perspektivën për ta anëtarësuar të gjithë rajonin, edhe Kosovën. Ky është i vetmi opsion dhe nëse nuk e bëjmë këtë, do ta humbim Ballkanin Perëndimor për shkak të influencave nga fuqitë e tjera të mëdha. Në raport me Kosovën, hapi i parë është liberalizimi i vizave. Unë nuk e kuptoj dhe e kritikoj ashpër kundërshtimin e disa shteteve si Franca. Mendoj se duhet të lëvizet sa më shpejt në vendimmarrje, pasi është e drejtë e kosovarëve të lëvizin lirshëm dhe tani BE-ja duhet të tregojë vendime konkrete.

Problemi qëndron te shtetet jonjohëse dhe problemet e brendshme, si në Francë. Ka një keqinterpretim të rëndësisë së Ballkanit Perëndimor. E kuptoj se duhet të bëhet më shumë sa i përket situatës në rajon për adresimin e frikës që rrymat radikale i përdorin, sikurse është emigrimi ilegal. Mendoj se nuk mund të garosh kundër politikave ksenofobe duke pranuar premisat, por duke dëshmuar se edhe kosovarët janë njerëz normalë të Evropës. Faktikisht janë.

“Dialogu nuk është menaxhuar mirë”

Koha: A mendoni se proceset integruese po kushtëzohen edhe për shkak të problemeve të pazgjidhura me Serbinë?

Wermuth: Evropa nuk ka qenë ndihmuese në këtë proces. Nuk është menaxhuar mirë dialogu, pa të cilin sigurisht se nuk mund të lëvizet përpara. Por, nuk mund të presim që dy vendet t’i zgjidhin të vetme problemet. Kjo është arsyeja pse duhet ta kemi perspektivën e qartë për të gjitha vendet e Ballkanit që të anëtarësohen në Bashkim Evropian, e jo që kjo të ndodhë vetëm për disa shtete.

Koha: Që të arrihet kjo, a mund të kërkohen kompromise të dhimbshme prej Kosovës?

Wermuth: Nuk mendoj se Kosova duhet të bëjë kompromis me integritetin dhe sovranitetin territorial të shtetit. Duhet angazhuar për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si infrastrukturë e të tjera. Kosova shtet është fakt dhe ka të drejtë ta mbrojë veten. Prandaj, gjithë këta “non paperë” që qarkulluan së fundi dhe po ashtu idetë që flasin për shkëmbim territoresh, sjellin vetëm tensione në rajon. Sa herë që mundohemi t’i ndajmë njerëzit, e dimë se çfarë tragjedish ndodhin. Këtë e ka dëshmuar historia. Prandaj, nuk duhet të shkohet me qasje të tilla. Duhet perspektivë e barabartë për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe duhet që këto të japin kontributin e tyre për një shoqëri të përparuar.

Më duhet të them se jam impresionuar me disa debate që kisha gjatë vizitës në Kosovë. Në shumë aspekte, Kosova ka mundësi të bëhet vend i përparuar, sikurse shumë vende të Bashkimit Evropian, dhe shpresoj ta arrijë shpejt këtë. Marrë nga /koha.net/

Rruga Press


OPINION & AKTUALITET:

Next Post

NASA njofton dy misione të reja në planetin Afërditë mes viteve 2028-2030

ShpërndajeAgjencia hapësinore amerikane tha se do të jepte 500 milionë dollarë për zhvillimin e secilit prej dy misioneve. Misionit të parë në planetin Afërditë i është vendosur emri “Davinci +”, ndërsa misioni i dytë do të mbajë emrin “Veritas”. Agjencia hapësinore amerikane, NASA, njoftoi të mërkurën se do të nisë […]