Çernobil: Si ndodhi katastrofa më e rëndë bërthamore pas Luftës së Dytë Botërore

RrugaPress2
0 0
Shpërndaje

Në orët e para të mëngjesit të 26 Prillit 1986, shpërtheu centrali bërthamor i Çernobilit në Ukrainë, duke shkaktuar atë që shumë ekspertë e cilësojnë si katastrofën më të rëndë bërthamore që ka parë bota.

Edhe pas shumë vitesh investigime shkencore dhe hetimesh qeveritare, ka ende shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me atë aksident, sidomos në lidhje me ndikimet afatgjata shëndetësore që ka rrezatimi radioaktiv. Centrali ndodhet rreth 130 kilometra në veri të kryeqytetit të Ukrainës, Kiev, dhe rreth 20 km në jug të kufirit me Bjellorusinë.

Ai përbëhet nga 4 reaktorë që janë projektuar dhe ndërtuar gjatë viteve 1970-1980. Një rezervuar artificial me madhësi 22 km2i ushqyer nga lumi Pripiat, që do të shërbente
për të siguruar ujin për ftohjen e reaktorëve. Qyteti i ri i Pripiatit ishte zona e banuar më e afërt me termocentralin, më pak se 3 km, dhe në të jetonin gati 50.000 njerëz në vitin
1986.

Një qytet më i vogël dhe i vjetër, Çernobili, ndodhej rreth 24 km larg dhe banohej nga rreth 12.000 banorë. Pjesa tjetër e rajonit përbëhej kryesisht nga fermat dhe pyjet. Shpërthimi fatal ndodhi gjatë një kontrolli rutinë të mirëmbajtjes.

Operatorët po planifikonin të testonin sistemet elektrike dhe ç’aktivizuan gabimisht sistemet e kontrollit, duke shkelur rregulloret e sigurisë. Ky veprim bëri që reaktori të arrinte nivele rrezikshmërisht të paqëndrueshme. Reaktori 4 ishte mbyllur një ditë më parë në mënyrë që të kryheshin kontrollet e mirëmbajtjes mbi sistemet.

Edhe pse ka ende debate mbi shkakun e shpërthimit, besohet se shpërthimi i parë u shkaktua nga një tepricë e avullit, dhe i dyti u ndikua nga hidrogjeni. Shpërthimet ndodhën në orë1:23 të mëngjesit të 26 prillit, duke e shkatërruar Reaktorin 4, dhe shkaktuar një zjarr të fortë.
Mbetjet radioaktive të karburantit dhe përbërësve të reaktorit u përhapën me shpejtësi në zonë.
Shpërthimet e para vranë 2 punëtorë të impiantit. Por ditët e ardhshme, ndërsa ekipet e emergjencës u përpoqën me dëshpërim të frenonin zjarret dhe rrjedhjet e rrezatimit, numri i të vdekurve u rrit, pasi shumë nga punëtorët e impiantit iu nënshtruan sëmundjeve akute për shkak të pasojave të rrezatimit radioaktiv.

U deshën 10 ditë dhe 250 zjarrfikës që të fikej zjarri në reaktor. Ndërkohë, emetimet toksike vazhduan të derdhen në atmosferë edhe për 10 ditë të tjera. Evakuimet e banorëve nga Pripiati nisën më27 prill, rreth 36 orë pasi kishte ndodhur aksidenti. Në atë kohë, shumë banorë ankoheshin për të vjella, dhimbje koke dhe shenja të tjera të sëmundjes së rrezatimit. Zyrtarët mbyllën një zonë me rreze 30 km anembanë centralit bërthamor, duke evakuuar 116.000 banorë të tjerë.

Përgjatë viteve që pasuan 220.000 banorë të tjerë u këshilluan të zhvendoseshin në zona më pak të ndotura. Erërat mbizotëruese në kohën e aksidentit ishin nga jugu dhe lindja, ndaj pjesa më e madhe e resë radioaktive udhëtoi në veriperëndim drejt Bjellorusisë. Por autoritetet sovjetike në fillim e fshehën ngjarjen, dhe më pas ishin të ngadalta në dhënien e informacioneve. Brenda 3 muajve nga aksidenti i Çernobilit, 31 njerëz vdiqën nga ekspozimi ndaj rrezatimit apo efektet e tjera të drejtpërdrejta të katastrofës.

Ndërkohë, midis viteve 1991-2015, u diagnostikuan deri në 20.000 raste me tumor në tiroide tek pacientët që në vitin 1986 ishin nën moshën 18 vjeçare. Ndërsa mund të ketë akoma raste shtesë me tumor midis punëtorëve dhe banorëve të evakuuar, shkalla e njohur e përgjithshme e vdekjeve nga kanceri dhe efektet e tjera shëndetësore që lidhen drejtpërdrejt me rrjedhjen e rrezatimit në Çernobil, është më e ulët nga sa ishte menduar fillimisht. “Shumica e 5 milion banorëve që jetojnë në zona të ndotura… morën doza shumë të vogla rrezatimi, të krahasueshme me nivelet e rrezatimit natyror (0.1 sivert në vit).

Disa ekspertë thonë se frika e pabazuar nga rrezatimi, shkaktoi vuajtje më të mëdha sesa vetë katastrofa. Për shembull, shumë mjekë në të gjithë Evropën Lindore dhe Bashkimin Sovjetik, i këshilluan gratë shtatzëna të bëjnë aborte për të shmangur lindjen e fëmijëve me defekte të lindjes ose çrregullime të tjera, edhe pse niveli aktual i ekspozimit ndaj rrezatimit të këtyre grave ishte shumë i ulët për të shkaktuar ndonjë problem.

Menjëherë pasi ndodhën rrjedhjet e rrezatimit bërthamor nga Çernobil, pemët në pyjet përreth uzinës u shkatërruan nga nivelet e larta të rrezatimit. Ky rajon u bë i njohur si “Pylli i Kuq”, pasi pemët morën një ngjyrë të ndezur xhenxhefili. Ato u rrëzuan me buldozerë dhe u varrosën nën tokë.
Reaktori i dëmtuar u mbyll me shpejtësi nën një sarkofag betoni që synonte të frenonte daljen e rrezatimit të mbetur. Por ka një debat të vazhdueshëm shkencor mbi atë se sa efektiv ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë në të ardhmen ky sarkofag.

Një nga strukturat e reja mbrojtëse nisi të ndërtohej në fund të vitit 2006. Struktura e re, e përfunduar në vitin 2017, është 257 metra e gjatë,162 metra e gjerë dhe 108 metra e lartë, e projektuar për të mbyllur plotësisht reaktorin 4 dhe sarkofagun përreth tij për të paktën 100 vitet e ardhshme.


BOTA:

Next Post

Komploti, si u vra Presidenti Linkoln

ShpërndajeNë 14 prill të vitit 1865, Presidenti amerikan Abraham Linkoln qëllohet me plumb në Teatrin Ford në Uashington, DC. Presidenti i 16-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës u vra nga aktori i njohur amerikan John Wilkes Booth ndërsa ishte duke ndjekur Our American Cousin. Ai u qëllua nga John […]