GjeopolitikëKryesore

Çfarë do të thotë Afganistani për aleatët amerikanë në Azinë Lindore?

Nga Jacob Benjamin

Në prizmin e tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani, ekzistojnë dy logjika konkurruese mbi implikimet për angazhimet e sigurisë nga SHBA-ja ndaj aleatëve dhe partnerëve në Azinë Lindore.

Logjika e parë: Shtetet e Bashkuara nuk hezitojnë të braktisin befas miqtë dhe aleatët; prandaj, shtetet e Azisë Lindore duhet të rimendojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara, që të mos përballen me të njëjtin fat si Afganistani. Vendet e Azisë Lindore, veçanërisht Tajvani, nuk mund të mbështeten në garancitë e sigurisë amerikane.

Diplomatët kinezë “luftëtarë ujq” dhe burimet e lajmeve të shtetit nacionalist e përhapën bashkë këtë mesazh. Një editorial i Global Times thotë: “Nga ajo që ndodhi në Afganistan, ata në Tajvan duhet të kuptojnë se sapo të shpërthejë një luftë në Ngushticat, mbrojtja e ishullit do të bjerë brenda orësh dhe ushtria amerikane nuk do të vijë në ndihmë. Si rezultat, DPP-ja do të dorëzohet shpejtë. ” Kryeredaktori, Hu Xijin, shkroi në Twitter: “Pas rënies së regjimit të Kabulit, autoritetet e Tajvanit duhet të dridhen.” Këto janë forma të neveritshme të logjikës. Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kombëtar Chenchi të Taipei, Arthur Ding, i hedh poshtë këto paralajmërime si “luftë e pavlerë psikologjike”. Pekini ka një motiv për të nxitur dyshime mbi partnerët dhe aleatët amerikanë në rajon, pasi këto shtete potencialisht do t’i afrohen Kinës nëse këta janë dyshues ndaj angazhimeve amerikane.

Global Times është një rast ekstrem. Natyrisht, logjika ka përkrahësit e saj më të moderuar. Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Jinan, Dingding Chen, shkroi në Twitter se “implikimet për Tajvanin janë reale… nuk është se angazhimi i SHBA-ve ndaj tij tani po zbehet, është logjika se SHBA do të braktisë aleatin e saj KUR interesat e saj kombëtare nuk serviren më nga aleati. ”

Qartazi, mesazhi nuk vjen ekskluzivisht nga Kina. Senatori republikan Ben Sasse hodhi ​​një deklaratë ku thuhet: “Aleatët tanë do të na besojnë më pak dhe kundërshtarët tanë do të kenë më pak frikë nga ne. Kina tashmë po shfrytëzon këtë rast më të fundit të tërheqjes amerikane. ”

Si një rast i mëhershëm, tërheqja e administratës Trump në dhjetor të 2019-s nga Siria veriore futi në kokë shqetësime të ngjashme. Shpërthyen të njëjtat diskutime mbi angazhimet e Shteteve të Bashkuara ndaj Azisë Lindore, pasi administrata Trump braktisi dhe tradhtoi aleatin e vjetër besnik, Kurdët.

Lexo më shumë  DASH: Ndalimet arbitrare të qytetarëve dhe policëve të Kosovës, veprime përshkallëzuese

Megjithatë, ekziston logjika e dytë që kundërshton të parën: Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani pasqyron një ribalancim, për t’iu kundërvënë Kinës; prandaj, konkurrentët rajonalë të Kinës duhet të inkurajohen, në vend që të tronditen, duke shkartisur prioritetet e SHBA-ve. Misioni i fundit i Sekretarit të Mbrojtjes Lloyd Austin në Vietnam dhe Filipine, si dhe përkrahjen për angazhimin e gjithanshëm integral, tregon se administrata e Biden po zbaton këtë ribalancim. Detet e Kinës Jugore dhe Lindore janë zonat kryesore të fokusit të administratës Biden – jo Iraku, Siria ose Afganistani.

Por, ribalancimi i prioriteteve të sigurisë larg antiterrorizmit, drejt konkurrencës ndaj fuqive të mëdha, nuk është vërtet i drejtpërdrejtë. Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani mund të ketë pasoja strategjike për Azinë Lindore. Afganistani ishte shteti i vetëm që kishte një kufi tokësor me Kinën dhe strehonte forcat amerikane. Vance Serchuk, një bashkëpunëtor i lartë në “Qendrën për një Siguri të Re Amerikane”, argumenton se tërheqja e Shteteve të Bashkuara mund të rezultojë në angazhime të shpërndara në mënyrë më të barabartë midis anëtarëve të NATO -s, në operacionet e ardhshme në Afganistan. Jo çdo anëtar i NATO-s i ka burimet dhe financat për të zbatuar një qasje që përfshin shpenzime të mëdha. Për më tepër, meqenëse shtetet e Azisë Juglindore si Indonezia, Tajlanda, Malajzia dhe Filipinet luftojnë që të gjitha me grupet militante islamike, një qendër terroriste e përtërirë në Afganistan mund të përkeqësojë konfliktet dhe pjesëmarrjen e luftëtarëve të huaj.

Për të avancuar logjikën e dytë, shumë e shumë e theksojnë se është metodologjikisht problematike që vendet e Azisë Lindore – veçanërisht Tajvani – të shihen si të njëjta me Afganistanin. Tajvani është një pjesë integrale e aparatit të sigurisë amerikane në Azi-Paqësor; nga ana tjetër, sipas vërejtjeve të Bidenit në 16 gusht, misioni me “interesin e vetëm vital” në Afganistan ishte ndalimi i sulmeve terroriste në tokën amerikane (një pretendim i dobët). Lidhjet midis Taipeit dhe Uashingtonit janë dukshëm më të ngushta se ato të regjimit të mëparshëm afgan dhe Uashingtonit, që prej Traktatit të Mbrojtjes së Përbashkët Kinezo-Amerikane të vitit 1955. Ndërkohë që Jimmy Carter e anuloi këtë traktat për shkak të marrëdhënieve të reja të Shteteve të Bashkuara me Kinën Komuniste, Akti i Marrëdhënieve me Tajvanin kërkonte që Kongresi të sigurojë armë për mbrojtjen e Tajvanit. Tajvani mirëmban një demokraci liberale të cilën Shtetet e Bashkuara e mbështesin në kuadër të një gare ideologjike me Kinën. Në llogaritë e ftohta strategjike të Uashingtonit, Tajvani mbart më shumë interes kombëtar sesa Afganistani. Për ta përmbledhur, duke përdorur fjalët e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, Jake Sullivan në konferencën e tij në Shtëpinë e Bardhë, “Kur bëhet fjalë për Tajvanin, është një pyetje thelbësisht krejt tjetër, në një kontekst krejt tjetër.”

Lexo më shumë  Nënshkruhet marrëveshja 90 milionëshe me Bankën Botërore

Perceptimet kanë rëndësi

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani dhe tradhtia ndaj kurdëve kërkon ndëshkim të ashpër moral. Këto ngjarje mbartin gjithashtu pasoja të mëdha strategjike për Shtetet e Bashkuara. Kur bëhet fjalë për Azinë Lindore, a ka domosdoshmërisht implikime për angazhimet e sigurisë amerikane?

Ky artikull ka përshkruar dy logjika konkuruese. Në fund, janë perceptimet e shteteve të Azisë Lindore dhe udhëheqësve të tyre që do të vendosin kuptimin e tërheqjes së SHBA-ve, në kontekstin e angazhimeve amerikane të sigurisë në rajon. Kjo lloj analize është një ndërmarrje për empirizmin, jo racionalizmin.

Shumë ekspertë amerikanë janë të palëkundur se është e palogjikshme të vësh në dyshim angazhimet e SHBA-ve ndaj Tajvanit, nën prizmin e tërheqjes. Kur bëhet fjalë për perceptimet, megjithatë, mund të thuhet se më 18 gusht, Presidenti Tajvanez Tsai Ing-wen postoi: “Zhvillimet e fundit në situatën në Afganistan kanë çuar në shumë diskutime në Tajvan… për ne nuk është një opsion që vetë të mos bëjmë asgjë dhe të mbështetemi vetëm te mbrojtja e të tjerëve.” Anëtarët e Kuomintang (KMT) kanë shkuar edhe më tej, duke krahasuar Tajvanin në mënyrë eksplicite me Afganistanin. Jaw Shaw-kong, një politikan i KMT-së dhe personalitet i medias, hodhi dyshime mbi marrëdhënien SHBA-Tajvan në një postim në Facebook, që mori 17,000 pëlqime dhe shumë diskutime. Ndërkohë që këto mesazhe shkaktojnë fërkime, ato akoma marrin më shumë reagime. Dhe kundërshtimet shpesh janë të fuqishme. Në pjesën më të madhe, udhëheqësit dhe njerëzit e Tajvanit mbeten të sigurt në garancitë amerikane të sigurisë, edhe nëse tërheqja nga Afganistani ngjalli disa biseda të pakëndshme.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *