Çfarë ndryshon fitorja e VETËVENDOSJE!-s dhe listës së Vjosa Osmanit?

User2
2 0

Shkruan Elvis Hoxha

Vetëm pak fakte që e trondisin statukuonë politike të trevave shqiptare: 

  • Asnjëherë më parë publiku i Shqipërisë nuk ka ndjekur me kaq interes kontekstin politik që krijojnë zgjedhjet në Kosëvë. Kjo ka ndodhur falë Vetëvendosjes. Shënojeni mirë, ky është një nga aktet që merr pjesë në bashkimin politik dhe mendor të dy pjesëve. 
  • Asnjëherë më parë gratë dhe të rinjtë nuk kanë votuar përkatësisht më shumë se burrat dhe të moshuarit për një forcë politike. 
  • Asnjëherë më parë nuk është kuptuar se ndarjet ideologjike mbi zhvillimin ekonomik nuk duhet të pengojnë bashkimin për hir të sovranitetit shtetëror dhe luftës ndaj korrupsionit. 
  • Asnjëherë më parë mërgata nuk është parë si forca më dinamike e një vendi në aspektin e zgjedhjes së qeverisjes. Shënojeni: mërgata shqiptare e shqiptarisë është dy herë më shumë në numër se ajo që banon në treva. 
  • Asnjëherë më parë, një forcë politike nuk ka marrë mbështetje, përveçse kur luhej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe luftës çlirimtare, prej mjedisesh intelektualë botërorë. 
  • Asnjëherë më parë, zgjedhjet nuk kanë krijuar në Kosovë një ndjenjë të tillë entuziazmi. Dëshmitarët të gjithë thonë se 15 shkurti u kujton ditët e Kosovës së çliruar. 
  • Asnjëherë më parë reaksioni nuk është zhytur në depresion si tani. Shënojeni: realiteti i deritanishëm i Kosovës ka qenë deviza e regjimit dhe medieve të tij “Reaksion në pushtet / depresion në popull”. 
  • Asnjëherë më parë populli nuk ka regjistruar ndonjë vendim kolektiv dhe sovran përkundër institucioneve të regjimit që kanë kërkuar në të kundërt ta zëvendësojnë vendimin kolektiv të qytetarëve me pazaret e tyre sekretë. 
  • Asnjëherë më parë partitë e regjimit nuk kanë qenë të detyruara si sot të shohin mundësinë e ndonjë reformimi. Nëse munden ta bëjnë apo jo një gjë të tillë, këtë do të na e tregojë koha.  
  • Asnjëherë më parë vota nuk ka përcaktuar në pushtetin e Kosovës një forcë politike më krenare dhe një forcë vendimmarrjeje që nuk është e regjistruar nën kompleksiin e inferioritetit. Shënojeni: votuesi ka vendosur të drejtohet në arenën ndërkombëtare me përparësinë e vetvetes. 

Po shtoj edhe një fakt që është një përgëzim për votuesin e Lëvizjes: ky votues e ka votuar fuqishëm Vjosa Osmanin në shenjë të përkrahjes për çdo njeri të cilit i është mohuar padrejtësisht mbështetja popullore. Votuesi i Lëvizjes e ka mbështetur çdo nismë ndryshimi dhe nuk ka qenë i prirur asnjëherë të bëjë mbrojtësin fanatik të përfaqësuesve të vet të hershëm. Në këtë aspekt vota e zakonshme për Lëvizjen ka gjithnjë një rol emancipues dhe çlirues të vullnetetve, kudo ku ndodhen ato. 

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Bideni uron Osmanin për ditën e Pavarësisë/Letra e plotë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një telegram urimi ushtrueses së detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, për 13- vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Në letër thuhet se SHBA-ja është e interesuar që ta vazhdojë bashkëpunimin me Kosovën dhe të ndihmojë integrimin e saj në […]