CILA ËSHTË E ARDHMJA E BALLKANIT PERËNDIMOR?

RrugaPress2
0 0

Nga Sébeasien Gricourt

Cilat janë raportet mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit? Në bashkëpunim me Revistën diplomatike të Institutit të studimit të gjeopolitikës së aplikuar, Sébastien Gricourt, drejtor i Observatorit të Ballkanit, të Fondacionit Jean-Jaurès, i kthehet në këtë shkrim procesit të aderimit të vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin evropian – një proces i vështirë – por edhe interesave gjeopolitike që sillen rreth këtij rajoni të lakmuar nga aktorë të jashtëm, si Kina dhe Rusia, karshi të cilave Bashkimi evropian duhet të kujdeset për të afirmuar autonominë e tij strategjike.

Përfshirja e kësaj bashkësie brenda kufijve të Bashkimit evropian ilustron të ardhmen e përbashkët që i lidh ato në mënyrë të pashmangshme. Pasi u punua për atë që ishte më thelbësore në rindërtimin e entiteteve të vjetra që dolën nga shpërbërja e ish-federatës jugosllave dhe të Shqipërisë postkomuniste, më pas, për stabilizimin e këtyre vendeve në bashkëpunim me OKB, OSBE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara, procesi i aderimit ka hasur disa pengesa të brendshme mes BE-së dhe këtyre fqinjëve. Nëse gjendja e këtyre vendeve përbënte domosdoshmërisht shtysën e veprimit të jashtëm evropian, në të cilën procesi i stabilizimit dhe asocimit, i nisur në vitin 1999 shkaktoi një transformim të vendeve kandidatë, veçantitë e tyre nxjerrin në pah edhe shumë mangësi të ofertës evropiane. Rruga e aderimit u kthye në një objekt teknokratik të paidentifikuar për vendet anëtarë të zhgënjyer nga zgjerimi dhe në diçka të shkëputur nga jeta e popullsive ballkanike dhe të minuar nga fenomenet lokalë të kapjes së Shtetit, realiteti i të cilëve mbush rapotet vjetorë të Komisionit.

Por rilindja e interesit të BE-së për këtë rajon gjatë këtyre viteve të fundit, nuk vjen nga konstatimi i degradimit dhjetëvjeçar të Shtetit të së drejtës dhe të demokracisë, por nga rritja e fuqisë së aktorëve të jashtëm, kryesisht të Rusisë dhe Kinës. Vendi që zë Ballkani perëndimor në gjeopolitikën evropiane përbën një pjesë të pandashme të ambicieve evropiane për të shtrirë fuqinë e saj dhe mbi të gjitha, një provë të padiskutueshme të strategjisë së shpallur, në të cilën, përfshirja e plotë e këtyre vendeve në BE duhet të kryhet plotësisht një ditë.

I – NJË PROCES ADERIMI QË PO KËRKOHET

Njohja e rëndisisë së rajonit ka filluar që para se Komisioni evropian të shkruante në vitin 2018 në strategjinë e tij se aderimi i këtyre vendeve përbën një “investim gjeostrategjik”. Në vitin 2003, strategjia e sigurisë së BE-së nënvizonte se besueshmëria e politikës së jashtme evropiane kishte të bënte saktësisht me “konsolidimin e arritjeve tona” në Ballkan, i cili është një rajon “me rëndësi për sigurinë e BE-së”, e më pas, në vitin 2016, strategjia globale për një Evropë më të fortë do të pohojë se një perspektivë e besueshme e zgjerimit është një “investim strategjik”.

Kjo besueshmëri përballet shpesh me sfida, nga njëra anë për shkak të ngurimeve dhe stepjes që vënë në pikëpyetje angazhimin e vendeve kandidatë dhe nga ana tjetër, për shkak të bllokimeve dhe kompromiseve që vënë në diskutim vullnetin real të BE-së dhe të vendeve anëtarë për këtë integrim. Hendeku mes vendeve të Evropës juglindore dhe atyre të Evropës qendrore në vitet 1990 shpjegon pjesërisht prirjen për të qëndruar brenda komuniteteve të vjetra, por nuk mund të përligjë veprimet që bien në kundërshti me vlerat evropiane që duhet të udhëheqin rrugën e aderimit dhe që janë vënë re si në BE, ashtu dhe në Ballkan.

Bashkëpërgjegjësia e BE-së shprehet për shembull në anëmbajtjen karshi Serbisë dhe Malit të Zi, të cilët megjithëse kanë pasur regres demokratik, u konsideruan nga Brukseli si dy vendet e parë në radhën e vendeve që do të pranohen. Në fund të vitit 2017, lajmërimi për pranimin e mundshëm të tyre në vitin 2025 e theksoi mosbesimin te BE-ja. Kjo ndjenjë e shprehur gjerësisht nga shoqëria civile rajonale vjen nga burime të tjera frustrimi, si mosfunksionimi paralizues i Bosnje-Hercegovinës 25 vjet pas marrëveshjes së Dejtonit, apo ndërmjetësimi i Brukselit në dialogn mes Serbisë dhe Kosovës, i cili duhet riparë që të dalë nga qorrsokaku, dy çështje që përfaqësojnë dy sfidat e pazgjidhura evropiane, të cilat ushqejnë elitat populiste që luajnë më ndjesitë nacionaliste.

Në tetor të vitit 2019, kundërshtia e Francës ndaj hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut provokoi zhgënjime të reja ndaj BE-së. Madje shpresa se këta dy vende do të nisin takimet e para ndërqeveritare janë shuar krejtësisht një vit më pas, në pritje që të zhvillohet progres i ri nga Tirana dhe që Sofja të zgjidhë mosmarrëveshjet kulturore lidhur me gjuhën maqedonase. Në kontekstin e përfundimit të afateve të raportuara pareshtur, metodologjia e re e negociatave e përshtatur në mars të vitit 2020, për shkak të Francës së izoluar në veton e saj, duket se nuk po sjell ndonjë ndryshim as “nuk po e kupton rënien e demokracisë dhe të Shtetit të së drejtës” në rajon.

Ndërkaq, lëvrimi i 3.3 miliardë eurove nga BE në pranverë për të ndihmuar rajonin në këtë kohë pandemie, e më pas, plani ekonomik dhe investimet prej 9 miliardë (bashkë me efektin-levë potencial prej 20 miliardësh) të adoptuar në tetor, përbëjnë respektivisht akte solidariteti dhe mbështetjeje me qëllim forcimin e reformave dhe përshtatjen e tregut ndërrajonal me BE-në. Ato priren gjithashtu të tregojnë edhe vullnetin e vendeve ballkanike për t’iu bashkuar BE-së.

II – NJË RAJON KU KRYQËZOHEN INTERESAT GJEOPOLITIKE

Në fjalimin e saj lidhur me gjendjen e Bashkimit Evropian më 16 shtator të vitit 2020, presidentja e Komisionit evropian Ursula von der Leyen solli në kujtesë se vendet e Ballkanit perëndimor “janë pa dyshim pjesë e Evropës dhe jo një ndalesë e Rrugës së mëndafshit”. Në vitin 2009, konçesioni i portit grek të Pireut dhe partneriteti i Serbisë me Kinën e kanë kthyer rajonin në etapën e ardhshme të hyrjes në tregun evropian. Përveç Kosovës, e cila nuk njihet nga Kina, pesë vendet e tjerë i janë bashkuar nismës 17+1. Vendet që përfitojnë më shumë nga huadhënia dhe ekzpozohen më shumë ndaj rrezikut të borxhit janë Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi. Por është më shumë pushteti në Serbi ai që përfiton për të konsoliduar rrjetet e tij klienteliste në dëm të legjislacioneve komunitare, ndërkohë që Kina vendoset në rajon si ekonomikisht ashtu edhe teknologjikisht.

Në prag të përkujtimit të marrëveshjes së Dejtonit në Sarajevë, ministri i Punëve të jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov riafirmoi kundërshtinë ruse ndaj prekjes së rendit kushtetues të vendosur që prej vitit 1995, një mesazh për marrje masash nga ana e evropianëve dhe amerikanëve, i përsëritur në Beograd dhe në Zagreb. Mospajtimet që mban statu quo-ja mes tre popujve që përbëjnë vendin dhe zbatimi i interesave ruse në entitetin secesionist të Republika Srbska forcojnë strategjinë e pengimit të çdo progresi të Bosnje-Hervegovinës drejt BE-së dhe të hyrjes së saj në NATO. Me Serbinë, përveç bashkëpunimit politik, ekonomik dhe ushtarak, Moska ka në dorë mjaft mjete për të ushqyer narrativat  antiperëndimore, për t’i dhënë vetes të drejtën për të ndërhyrë në çështjet bosnjake, maqedonase apo malazeze, apo për të mos lejuar që Sebia t’i ikë nga duart duke normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.

Nga ana tjetër, me Gazprom që dominon sektorin e naftës dhe gazit në Serbi që prej vitit 2008, Rusia synon shtrirjen e gazsjellësit TurkStream në provincën e Azerbajxhanit nëpërmjet Turqisë, të inauguruar para një viti, duke mënjanuar Ukrainën dhe sanksionet e saj. Me këtë projekt po aq të kundështuar nga Uashingtoni sa dhe North Stream II, Moska ka përparuar në truallin evropian me inaugurimin më 1 janar të seksionit serb të lidhur me Bullgarinë. Paralelisht, gazsjellësi transadriatik i mbështetur nga BE që vjen gjithashtu nga Azerbajxhani nëpërmjet Turqisë me destinacion Italinë dhe që kalon nëpër Shqipëri, i hap rrugën një pavarësie më të madhe të Evropës nga furnizimi prej Rusisë, ashtu si dhe dërgesat aktuale apo të progrmuara të gazit të lëngshëm amerikan nëpërmjet Kroacisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

III – VËREJTJE PROSPEKTIVE

Para pandemisë, rajoni i kryente rreth 72% të shkëmbimeve tregtare me BE-në dhe megjithëse ajo i kushton vetëm një pjesë shumë të vogël të tregtisë së saj botërore (1,4%) e ardhmja e afërt e vendeve të Ballkanit perëndimor varet nga ristartimi i ekomonisë së saj. Sipas Bankës botërore, rajoni hyn në një “recesion të thellë” me defiçitet që do të kapin katër deri në dhjetë pikë sipas vendeve, pa asnjë përmirësim të dukshëm para vitit 2022. Ndërsa kriza sanitare e shton degradimin e qeverisjes demokratike, duke i lënë ndonjëherë dorë të lirë arbitraritetit dhe shkeljes së të drejtave themelore, pasojat socioekonomike mund të çojnë në rritjen e emigrimit (që prek rreth një të tretën e popullsisë). Recesioni mund të rëndojë pra shkeljen e Shtetit të së drejtës, gjë që do të vërë përballë vështirësive besueshmërinë e BE-së, e cila mbështetet pikërisht në këtë fushë.

Në këtë kontekst, zbatimi i planit ekonomik dhe e investimeve mund të hasin ngadalësim që do të pengojë progresin real, i cili varet gjithshtu edhe nga siguria që u jepet investitorëve, domethënë, nga cilësitë e Shtetit të së drejtës. BE-ja duhet pra t’i pëfshijë edhe më shumë shoqatat e shoqërisë civile – forca të gjalla në rritjen e ndjenjës pro-Be – si shoqëruese të transformimit demokratik dhe ekonomik të rajonit, si dhe të mendojë seriozisht një reformë që do të vendosë në Këshill votimin me shumicë të cilësuar, duke zëvendësuar votimin me unanimitet, i cili bllokon çdo etapë të procesit të aderimit.

Në planin gjeopolitik, kthimi i demokratëve në Shtëpinë e Bardhë dhe i qëndrimeve të ndjeshme ndaj rajonit që prej viteve 1990, përbën një mundësi për të ndrequr dy problemet më të mëdhenj të përmendur më lart, pavarësisht pengesave ruse, dhe me synimin për të frenuar interesat kineze. Kjo mund të bëhet nëse objektivi i lidershipit të BE-së është jo vetëm konsubstancial ndaj autonomisë strategjike, por merr parasysh edhe praninë amerikane në integrim, duke hequr dorë nga rritja e tensioneve me aktorët e jashtëm. Në këtë pikëpamje, duke pasur parasysh shfaqjet e fuqisë së Turqisë jo shumë kohë më parë, nëpërmjet intervencionizmit ushtarak, si dhe duke marrë në konsideratë politikën e saj ekonomike, energjitike dhe ndikimin kulturor në Ballkan, shqetësimet e NATO-s dhe të BE-së kundrejt Ankarasë duhet të shtrihen në rajon.

Përkthyer nga redaksia RrugaPress 

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

KËNGA QYTETARE E VLORËS, PASURI E TRADITËS MUZIKORE SHQIPTARE

Kënga popullore qytetare, si pjesë e trashëgimisë shpirtërore të popullit tonë, ka mbetur e pastër plot vlera estetike, sikundër e kanë krijuar mjeshtrit popullorë. Si gjini muzikore është kristalizuar brez pas brezi fal muzikantëve shqiptarë të fillimit të shek të XX, si: Palok Kurti, Isuf Myzyri, Kasëm Zhyri, Frano Ndoja, […]