Ç’të bëjmë me Doktor Tito-n?

User1
0 0

Shkruan Durim Abdullahu

Tito rikthehet në Prishtinë
Më 11 shkurt 2020, në kinemanë “Armata” të Prishtinës, ishte shfaqur një dokumentar 67 minutësh, në shënim të 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës (1970 – 2020), organizuar në kuadër të Javës së Universitetit 50 vjet UP. Në çerekun e dytë të këtij dokumentari, ishin përfshirë xhirime arkivore që shfaqnin diktatorin jugosllav Josip Broz – Tito, duke u shpallur “Doktor Nderi i Universitetit të Prishtinës”. Si gazetar televizioni e autor dokumentarësh historik dhe si asistent në Universitetin e Prishtinës, isha pjesë e ekipit që e kishte realizuar këtë dokumentar. Shkrues i skenarit të tij, isha unë ‘fajtori i pranisë’ së Titos atë natë në kinemanë “Armata” – dikur kinema e armatës jugosllave. Si një vërejtjte, këtë ma vunë në dukje që atë natë, disa nga publiku, kryesisht profesorë në UP, ndonëse më shumë si një ‘por, Tito…’.

Mirëpo, askush nuk e kishte kritikuar më ashpër dhe më me këmbëngulje se sa një profesor historian, megjithëse nuk e kishte parë fare dokumentarin, pasi që i pakënaqur me organizimet e 50-vjetorit të Universitetit të Prishtinës, i kishte bojkotuar fare ato. I bindur që Tito nuk duhej të ishte përfshirë assesi në një dokumentar për historinë e Universitetit të Prishtinës, madje që e kishte realizuar vet UP-ja, ai kishte nismuar të diskutohej si pikë e veçantë rendi dite në mbledhjen e Senatit të UP-së, aktivitetet e Javës së Universitetit. Duke qenë pjesë e organizimeve të #50vjetUP, isha ftuar në mbledhjen e senatit gati si një lloj dëshmitari, për të dhënë sqarime. Por ky diskutim u pat zhvendosur për në mbledhjen e Kolegjiumit të dekanëve, për të mos u zhvilluar kurrë, për shkak të shpërthimit të pandemisë pikërisht ato ditë. Sidoqoftë, një diskutim që nuk u bë më, por që si i përfshirë në të edhe si historian, më nxiti kurreshtje për trashëgiminë e Titos në Kosovë.

“Josip Broz Tito – Doktor i parë nderi i Universitetit të Prishtinës”

Me këtë titull hapej ballina e gazetës Rilindja, të shtunën e 5 prillit 1975. Ky ‘Organ i Lidhjes Socialiste të popullit punonjës të Kosovës’, e kishte paralajmëruar ardhjen e diktatorit jugosllav në Kosovë qysh më 2 prill, kur në ballinë kishte vendosur titullin: “Nesër Tito vjen në Kosovë”. Siç paralajmëronte kjo gazetë, Tito vinte “për vizitë dyditëshe në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës”, pas një vizite dyditore në Republikën e Maqedonisë. Bashkë me ftesën e shpallur nga komunat e Kaçanikut, Ferizajit, Lipjanit dhe Prishtinës për “njerëzit punonjës dhe qytetarët që ta përshëndesin mysafirin më të dashur”, gazeta Rilindja e bënte publike agjendën e Titos, duke paralajmëruar në krye të saj që “kryetari i Republikës do të shpallet doktor nderi i Universitetit të Prishtinës”. Sigurisht, diktatori do të takonte edhe krerët politikë të Kosovës, punëtorët, luftëtarët veteranë dhe popullin.

Radio Televizioni i Prishtinës paralajmëronte “një sërë emisionesh speciale dhe në termine të rregullta kushtuar kësaj vizite dhe takimeve e bisedave të kryetarit Tito në Kosovë”. Pikërisht këto pamje të asaj kohe të nxjerra nga arkivi i RTP-së, i patëm përfshirë në dokumentarin “UNIVERSITETI”, ndonëse paraprakisht e patëm diskutuar gjatë bashkë me regjisorin e dokumentarit Profesor Ekrem Xanin, të vetëdijshëm që do të gjykoheshim për këtë. Por ashtu siç Htileri apo Stalini janë të shpeshtë në dokumentarët për Luftën e Dytë Botërore, figura e Titos ishte e natyrshme në një dokumentar që për sfond historik kishte Kosovën e Jugosllavisë së Titos. Aq më tepër kur kihet parasysh roli që kishte pasur Tito në zhvillimet e kohës, përfshirë edhe në vetë themelimin e Universitetit të Prishtinës. Pamjet e diskutueshme, tregonin ish-rektorin e atëhershëm të UP-së, Idriz Ajetin, duke ia dorëzuar diplomën e parë të doktorit të nderit të Universitetit të Prishtinës, Kryetarit Tito.

Në arsyetimin e përpiluar nga Pleqësia e Universitetit dhe të lexuar nga rektori Ajeti, ndër të tjera shkruhej që “ky titull i lartë kryetarit Tito iu dha për kontributin e tij të jashtëzakonshëm krijues në teorinë dhe praktikën e zgjidhjes marksiste-leniniste të çështjes kombëtare gjatë LNÇ dhe të ndërtimit socialist, duke luftuar për rolin dominant të klasës punëtore mbi bazën e vetëqeverisjes socialiste; për zhvillimin dhe forcimin e barazisë, vëllazërimit dhe bashkimit midis kombeve dhe të kombësive për afimimin e republikave socialiste dhe të krahinave socialiste autonome të Republikës Socialiste Federative Vetëqeverisëse të Jugosllavisë; për kontribut të veçantë në zhvillimin dhe afirmimin e kombësive në parimet e barazisë së plotë dhe të vëllazërimit e bashkimit me kombet e Jugosllavisë dhe në këtë kuadër për zhvillimin dhe afirmimin e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe të kombësive të saj”.

Në fjalimin e tij, që ende përmendet si një nga fjalimet që diktatori ishte kujdesur ta shkruante vet, Tito kishte thënë që “ky universitet, me mësimim në shumë gjuhë, po bëhet jo vetëm fidanishte e kuadrove të çmueshme por edhe farkues i vëllazërimit dhe i bashkimit.” Mes fjalëve që lexoi Tito në amfiteatrin e madh të Fakultetit Filozofik, e që sot mban emrin pikërisht “Idriz Ajeti”, ai tha edhe këto: “një nga territoret më të ndërlikuara në vendin tonë, ku po sprovohet dhe verifikohet politika jonë dhe principieliteti i saj në çështjen kombëtare, është pikërisht Krahina e Kosovës, sepse këtu shekuj me radhë, në një formë shumë të ashpër u reflektuan të gjitha kundërthëniet shoqërore-socialiste, ekonomike, politike, kombëtare e të tjera… Në momentin historik vendimtar vetëm Partia Komuniste e Jugosllavisë ofroi programin e çlirimit klasor dhe kombëtar… Ja, ne edhe këtu jemi dëshmitarë se në bashkësinë sociale vetëqeverisëse të kombeve dhe të kombësive të barabarta të Jugosllavisë, edhe kombësia shqiptare i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë që të kontribuojë vazhdimisht për pëmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë socialiste”.

A duhet Universiteti i Prishtinës ta tërheq titullin “Doktor Nderi” për ish-diktatorin jugosllav Josip Broz – Tito?!

Që nga atëherë, duke numëruar edhe Titon si të parin, janë gjithsej 20 personalitete që janë shpallur doktor nderi të Universitetit të Prishtinës. Mes tyre dhe figura të mirënjohura që me të bëmat e tyre i kanë kontribuar lirisë së popullit të Kosovës dhe çështjes shqiptare, sikur Presidenti i SHBA-së Bill Clinton, Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Tony Blair, shkrimtari Ismail Kadare apo aktivisti politik Adem Demaçi. Sikur të ishte krejt normale dhe e natyrshme, kësaj liste, vazhdon t’i prijë Josip Broz – Tito!

Më gjerë se kaq, është e habitshme se sa i injoruar dhe i harruar është sot në Kosovë Tito, bashkë me trashëgiminë e tij në të! Deri në këtë gjendje, duket se ka kontribuar edhe fakti që mbase ndryshe nga të gjithë diktatorët komunistë të tjerë, që përgjithësisht u pasuan nga pasardhës disi më të dobët, të paktën në rrafshin e krimeve, Tito do të pasohej nga një diktator i egër e fashist si Sllobodan Millosheviqi, që për ca gjëra e tejkaloi dhe Titon. Në kujtesën kolektive në Kosovë, me sa duket, Tito dhe krimet e tij ndaj shqiptarëve, janë eklipsuar nga krimet dhe figura e diktatorit Millosheviq. Si më e vonë, dekada e viteve 1990-të, sikur ka bërë të harrohen gati katër dekada të diktaturës komuniste jugosllave, të kaluara nën vulën e Mareshallit Tito.

Përderisa gjatë vizitës së tij të vitit 1975, vetë Titos iu dhurua nga “Rilindja” një libër me titull “Tito në Kosovë”, edhe 46 vjet më pas, shqiptarët dhe së pari historianët e Kosovës, ende nuk kanë shkruar një biografi për Titon. Në mediat online mund të gjeni edhe artikuj për origjinën shqiptare të fshehur të Titos, por asnjë studim për të dhe epokën e tij. Ndërkohë, në libraritë e Prishtinës, mund të gjeni vetëm dy biografi të diktatorit jugosllav, e dyta e përkthyer në shqip vetëm para disa muajve: “Rasti i jashtëzakonshëm i Josip Broz Titos” nga John V. A. Fine; dhe “Tito dhe shokët” nga Joze Pirjevec. Por asnjëra prej tyre, nuk përmbledhë dhe as nuk flet për krimet e Titos ndaj shqiptarëve në Jugosllavi dhe veçanërisht ndaj Kosovës.

Do të ishte një ndërmarrje e gjerë historiografike, çdo projekt për të prodhuar tekst që rrëfen historinë e këtyre krimeve, që nga shtetrrethimi i vitit 1945 te shtypja e kryengritjes së Shaban Polluzhës; nga aksionet e përsëritura për mbledhjen e armëve te vrasjet, përndjekjet dhe burgosjet; nga marrëveshja e 28 shkurtit 1953 në Ankara mes Jugosllavisë, Turqisë dhe Greqisë pasuar po atë vit nga marrëveshja xhentëllmene në Split, mes Titos dhe Ministrit të Jashtëm të Turqisë Fuad Kyprili, që rezultuan me deportimin e rreth gjysmë milioni shqiptarë nga Jugosllavia drejt Turqisë. Kosova ishte krahina më e prapambetur dhe më e shtypur në Jugosllavi: me të drejta kulturore e politike të mohuara dhe me shkelje të lirive themelore të njeriut, e eksploatuar ekonomikisht dhe e lënë në një prapambeturi të gjithëmbarëshme!

Gati gjysmë shekulli më pas, doktori i parë i nderit i Universitetit t Prishtinës, Josip Broz Tito, vështirë se i bën nder më këtij universiteti. Megjithatë, ai vazhdon të jetë në krye të listës së atyre 20 doktorëve të nderit të UP-së edhe sot. Në këtë pikë, qoftë dhe naivisht, dikush, kushdo, një profesor i pensionuar i ‘kohës së Titos’ apo një student i zakonshëm sot, mund të pyes: A duhet Universiteti i Prishtinës ta tërheq titullin “Doktor Nderi” për ish-diktatorin jugosllav Josip Broz – Tito?! Ç’të bëjmë me Doktor Titon?

Rruga Press


Next Post

LEKË ZGJEDHJESH/ Ujësjellësi i Tiranës i jep tenderin prej 1 miliardë lekë të reja vëllait të Safet Gjicit, gara e dyshimtë për pajisjet elektronike, në kulmin e fushatës aplikuan vetëm 2 kompani (TË DHËNAT)

Ujësjellësi i Tiranës është një ndërmarrje publike në varësi të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.  Një tender i majmë me vlerë 999 miliardë lekë të reja po zhvillohet nga Ujësjellësi i Tiranës, dhe në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Edhe pse gara është ndërkombëtare, fituese është shpallur […]