EditorialKryesore

Demokracia shqiptare do të kthehet nga e brishtë në inekzistente, e për pasojë zgjedhjet, të panevojshme

Editorial nga Klejd Këlliçi

9 shtatori, ka për tu mbajtur gjatë në memorien e historisë politike të Shqipërisë. Përjashtim që Basha i bëri Berishës nga grupi parlamentar, nën presionin e Ambasadës së ShBA-së e autoriteteve të Departamentit të Shtetit, është dita më e zezë për këtë parti, ndofta qysh nga viti 1997. Shumë kush sulmoi Bashën, për skuthërinë, paburrërinë e treguar ndaj një personi që në të mirë e në të keq është historia e vetë PD-së. Por dhe sot e kësaj dite askush nuk di të thotë e të tregojë as benefitet e as arsyet e vërteta të këtij përjashtimi. Berisha ka mëkatet e tij, por ato duhen gjykuar e analizuar brenda një konteksti kombëtar, i cili me sa duket ka marrë fund pas anatemës së lëshuar nga Rruga e Elbasanit, e zbatuar me ‘dhimbje’ nga Basha. Thënë kjo, sovraniteti i Shqipërisë ka marrë tatëpjetën, jo sot por mot, që kur ‘hallet’ e brendëshme zgjidhen, jo me votë popullore por me urdhër e orientim nga një autoritet ekstraterritorial, qoftë ky BE-ja a ShBA-ja. E bjerrja e sovranitetit mund të kapërdihet, sa kohë që nuk ka asnjë personazh politik në këto vite demokraci, që ti ketë rezistuar sa do pak ndërhyrjes së jashtme. Përkundër, dorëzimi gradual i sovraniteti është bërë me dije e plot dëshirë, nën pretendimet se me kaq zgjidhen problemet madhore të vendit, sikurse stabiliteti e integrimi. Aq e fortë është dëshira e lëshimit të sovranitetit sa është marrë si e mirëqenë që askush nuk qeveris pa mbështetjen e ShBA apo të BE në Shqipëri, sa do që të ketë mbështetje popullore. E pikërisht kjo pikë i ka shpëtuar nga vëmendja shumë prej opinionistëve e analistëve shqiptarë. Këta të fundit luhaten mes dy pozicioneve në dukje të kundërta, paburrërisë së Bashës dhe pranimit në gjirin e Amerikës, të këtij të fundit. Në thelb të dy këto pozicione mbeten të njëjta në konsideratën finale, atë të zhbërjes totale të konceptit të sovranitetit, jo fort në logjikën e vendimarrjes finale por në atë të demokracisë. 

Lexo më shumë  Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, Kurti: Në këtë 11-vjetor shteti serb në Peshter të Sanxhakut do të lansojë ushtrime me dronë luftarakë kamikazë

Paburrëria e Bashës, i referohet forcës, sipas të cilës, udhëheqësi i fortë, nuk mundet ti përkulet një orientimi, qoftë ky dhe nga Ambasada e ShBA-së, e historia politike e Shqipërisë është karakterizuar nga njerëz të ‘fortë’, Basha, Nano e Rama. Njerëzit e ‘fortë’ nuk janë ata me karakter të fortë, por ata që kanë mundur të imponojnë vullnetin personal pavarësisht zgjedhjeve e reagimeve popullore. Në anën tjetër, njerëzit e ‘fortë’ në vend, kanë qeverisur me një ‘legjitimitet’ shtesë, i cili i mbivendoset atij popullor, e shpesh nuk e merr parasysh atë. Në këtë kuptim vendimi i Bashës, projekton një ‘fortësi’, hipotetike, në të ardhmen, e cila padyshim që duhet të pranohet e çertifikohet nga Rruga e Elbasanit. Kjo logjikë e projekton Bashën, në të ardhmen si kryeministër i mundshëm, i pastruar tashmë nga figura e kabashme e Berishës. Nëse është kështu, Basha e kushdo që do ta pasojë atë, qoftë majtas qoftë djathtas, nuk do të ketë nevojë as për parti, as për zgjedhje, as për opinion publik. Me pak fjalë demokracia shqiptare do të kthehet nga e brishtë në inekzistente, e për pasojë zgjedhjet, të panevojshme. 

Lexo më shumë  NATO shton trupat dhe artilerinë e rëndë në Kosovë dhe Bosnje

Shumëkush përmend në këtë mesele, shembullin e Kosovës, fitoren e dytë të Vetvendosjes, e cila i atribuohet jo shumë situatës në Kosovë se sa arrestimeve nga Gjykata Speciale e disa prej liderve kryesorë politikë. Shumëkush pretendon se ishin pikërisht amerikanët që i hapën rrugë Kurtit, duke i hequr pengesat si Veseli e Thaçi. Pakkush përmend se rrugëtimi i LVV drejt fitimit të zgjedhjeve, ka kaluar përmes presionit të ambasadorti Grennell që bëri bashkë kuç e maç në Prishtinë, për të rrëzuar Kurtin. E megjithatë, iluzioni i qeverisë Hoti, zgjati pak, e jo se nuk i mungoi mbështetja amerikane, por për shkak të kostove politike vendore qe ky proces pati. Leksioni i zgjedhjeve të fundit në Kosovë është i qartë: qeveris ai që fiton zgjedhjet, zgjedhjet nuk janë iluzion, por realitet. Çdo shtrembërim i tyre rezulton në degradimin e demokracisë, gjë që LVV, me fitoren e saj, arriti të parandalonte. Leksioni për Shqipërinë e Bashën është i qartë; ma maxhorancë parlamentare të fituar në zgjedhje nuk qeveriset. Pa vullnet të qartë politik, është e pamundur të fitohet. Patericat e mbështetjes ndërkombëtare pa vullnet popullor janë një hiç i madh e prandaj përjashtimi i Berishës, e për pasojë imagjinimi i Bashës si kryeminstër i ardhshëm janë një iluzion që më shumë gjasa do të zhbëhet shpejt.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *