Donik Sallova/ Dështimi i dialogut Kosovë-Serbi

User2
2 0
Shpërndaje

Shkruan Donik Sallova

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është sfondi konstant që e ka karakterizuar politikën e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë, madje edhe më herët. Që prej negociatave në Vienë mbi statusin e Kosovës e deri tek “marrëveshja” e fundit e ndërmjetësuar nga ish emisari amerikan Grenell në Uashington, dialogu me Serbinë ka qenë tematika, për të mos thënë edhe tema kryesore, rreth të cilës janë vërtitur fatet politike të shumë politikanëve të Kosovës. Madje, dialogu ka qenë aktiviteti politik i vetëm dhe kryesor i shumë pushtetarëve të Kosovës. Përmes kësaj “teme të madhe” politikanët dhe qeveritarët kosovarë i kanë fshehur keqqeverisjet dhe aferat korruptive, kanë arsyetuar ndërrimin e pamoralshëm të partnerëve politikë dhe kanë realizuar rrëzimin e paarsyeshëm të qeverive. Dialogu i Kosovës me Serbinë u shndërrua nga përpjekje për të normalizuar marrëdheniet me Serbinë, në instrument për të kërkuar dhe mbajtur pushtetin qeverisës në Kosovë. Ky dialog dhe “kompromiset e dhimbshme” që Kosova duhej të bënte në vazhdimësi, u shndërruan në burim të “legjitimitetit politik” të politikanëve kosovarë. Pra, s’mund të bëheshe udhëheqës i Kosovës nëse nuk ishe i gatshëm t’i bëjë kompromise Serbisë në kërkesat e saj të pafundme zvetnuese ndaj shtetësisë së Kosovës. Kjo është mënyra se si u shfrytëzua dialogu për qëllime të pushtetmbajtëse në Kosovë. Serbia natyrisht kishte dhe realizoi qëllime të tjera.

Por, cili ka qenë thelbi i dialogut me Serbinë në të cilin Kosova u bë pjesë pas shpalljes së pavarësisë? Përse kishte nevojë Kosova të vazhdonte të dialogonte me Serbinë kur dialogu i Vienës nuk përfundoi me marrëveshje? Kosova e zbatoi njëanshëm Pakon e Ahtisaarit në procesin e  shtetndërtimit, pra i zbatoi njëanshëm kompomiset dhe lëshimet që iu bënë Serbisë gjatë atyre negociatave. Atëherë përse u vazhdua dialogu? Dialogu i Brukselit erdhi pas miratimit nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara të Rezolutës që e njihte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010) mbi legalitetin ndërkombëtar të pavarësisë së Kosovës. Ky dialog që iu ngarkua Bashkimit Evropian nga OKB-ja kishte për synim normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si subjekte të ndara që kishin papajtueshmëri mbi shumë çështje teknike për të cilat mund të arriheshin marrëveshje. Për Asamblenë e OKB-së çështja e statusit, përkatësisht pavarësia ishte gjykuar si “e drejtë” nga GJND-ja, prandaj BE-së i mbetej që të zgjidhte konteste teknike të cilat do të lehtësonin jetën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë, pavarësisht se kur do të mund ta njihte edhe formalisht Serbia pavarësisë e Kosovës. Pavarësia dhe shtetësia e Kosovës nuk mund të ishte temë në dialogun me Serbinë. Sikurse as përligjja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të lidhej me njohjen e saj nga Serbia. Antarësimi i Kosovës në OKB është çështje politike, ndërkaq pavarësia e saj u gjykua të jetë juridikisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Dialogu me Serbinë pas pavarësisë kishte për qëllim diskutimin dhe marrëveshjen për tematika të interesit reciprok që lidheshin me frymën e relacioneve europiane fqinjësore, pra të ndërtimit të fqinjësisë së mirë. Për BE-në përmirësimi, përkatësisht normalizimi i këyre raporteve fqinjësore, paraqiste edhe kushtin për integrim europian për të dy shtetet dhe këtu natyrisht barra e përgjegjesisë së përmirësimit të këtyre raporteve binte mbi Serbinë, sepse ishte ajo që e mohonte faktin se tanimë Kosovën e kishte shtet fqinj sikurse çdo shtet tjetër përreth. Në këtë proces normalizimi marrëdhëniesh, Serbisë herët apo vonë do t’i duhet ta njohë Kosovën si shtet, sepse kur gjithçka rregullohet si marrëdhënie reciproke ndër-shtetërore, njohja politike-diplomatike bëhet fakt i kryer. Duke u marrë vesh me Kosovën për çështje teknike të interesit reciprok, si p.sh. njohja e diplomave, targave, apo certifikatave sanitare të mallrave etj., atëherë mos-njohja e Serbisë ndaj Kosovës reduktohet në refuzim të marrëdhënieve diplomatike, por ekzistenca e një entiteti politik sovran me të cilin ke interes të meresh vesh bëhet evidente, pavarësisht mungesës së relacioneve diplomatike. Ky është kursi që udhëheqësit tanë do duhej të kishin ndjekur në dialog, duke e plotësuar kështu kushtin europian të gatishmërisë për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Dialogu Kosovë-Serbi, ndër të tjera ka synuar që në procesin e përmirësimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ta afronte më shumë komunitetin serb me idenë e shtetit të Kosovës. Pra, duke eliminuar barrierat për bashkëpunim normal me Serbinë, qytetarët serbë të Kosovës do duhej që shtetin e Kosovës ta ndjenin edhe më shumë si shtetin e tyre. Kjo për faktin që shteti i Kosovës ka vullnet politik të përmirësojë raportet me shtetin e Serbisë me të cilin serbët kanë lidhje edhe emocionale. Një gjë e tillë do duhej të konsiderohej si një lloj dëshmie se Republika e Kosovës merr parasysh edhe ato që janë interesat e komuniteteve pakicë në politikat për rritjen e bashkëpunimit rajonal në përgjithësi dhe bashkëpunimit ndërfqinjësor me Serbinë në veçanti.

Por, cili ka qenë rezultati i dialogut Kosovë-Serbi i realizuar në Bruksel? A e ka arritur ky dialog të normalizojë raportet Kosovë – Serbi, duke e pasur parasysh faktin që pavarësia e Kosovës është punë e kryer dhe një akt politik i gjykuar si i drejtë nga GJND-ja? A ka ndikuar ky dialog që serbët e Kosovës ta përmirësojnë raportin e tyre me shtetin e Kosovës? Një gjë e tillë është e rëndësishme sepse para se të kërkohet njohja nga Serbia, shteti i Kosovës duhet të synojë “njohjen” nga serbët e Kosovës. Kur serbët vendas do ta njohin shtetin e Kosovës edhe si shtetin e tyre, atëherë do të jetë e vështirë për Serbinë ta refuzojë njohjen e pavarësisë, jo sepse ajo “bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare”, por edhe sepse ky shtet i Kosovës është pranuar si shteti i tyre edhe nga pakica serbe. Kosova ka bërë gjithçka që serbët e Kosovës të mos e ndjejnë shtetin e Kosovës si shtet të huaj. Përveç se i ka garantuar ata në ekzistencën e tyre kombëtare, fetare, kulturore, gjuhësore e arsimore, shteti i Kosovës u ka dhënë edhe pushtet vetëqeverisës, si mundësi autonome që ata ta determinojnë zhvillimin e tyre social e ekonomik. Pra, gjithçka që mund t’i jepet një pakice kombëtare brenda një shteti modern i është dhënë pakicës serbe. Prandaj, të çliruar nga presioni i Beogradit, me qytetarinë e barabartë të garantuar,  pakica serbe nuk ka asnjë arsye që të mos e ndjejë si të veten Republikën e Kosovës. Pengesa është Beogradi dhe qeveritë e mëparshme të Kosovës nuk kanë bërë sa duhet që ta denoncojnë këtë ndërhyrje të Serbisë në Kosovë, e cila serbët e Kosovës i ka shndërruar në instrument për të promovuar interesat e veta shtetërore në dialog.

Devijimi i dialogut Kosovë-Serbi nga një dialog që përmes marrëveshjeve mbi çështje teknike do t’i përmirësonte marrëdhëniet ndër-fqinjësore, në dialog politik i cili synonte të prekte natyrën e funksionimit të brendshëm të shtetit të Kosovës, përmes marrëveshjes mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe (Zajednicën) dhe etnizimin (serbizimin) e sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në komunat veriore të Kosovës, bëri që ky dialog të humbiste qëllimësinë e vet për të cilën ishte ngaruar BE-ja nga Asambleja e OKB-së. Tanimë, dialogu u shndërrua në instrument të Serbisë për të realizuar interesat e veta shtetërore në raport me Kosovën. Dihet që dy janë interesat aktuale shtetërore të Serbisë në raport me Kosovën: bosnjizimi i Kosovës përmes një Zajednice, si fazë e përkohshme e ndarjes së mëvonshme, si dhe ndarja e menjëhershme e Kosovës si aspiratë e hershme e Serbisë e ideuar nga qarqet e veta intelektuale nacionaliste.

Pranimi i qeverive të Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës për të dialoguar për tema që ishin përtej misionit që OKB i kishte dhënë BE-së, jo që nuk ka arritur normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por i ka shkaktuar Kosovës dëme shumë të mëdha si në aspektin e brendshëm ashtu edhe ne aspektin e jashtëm. Hapja dhe pranimi i temave që lidheshin e me interesat shtetërore hegjemoniste të Serbisë kundrejt Kosovës ka shkaktuar rënien e pranueshmërisë së shtetit të Kosovës nga qytetarët e saj serbë. Pse ta njohin serbët autoritetin shtetëror të Kosovës, kur qeveria e Kosovës po i bënte lëshime Serbisë, lëshime të cilat do të çonin kah krijimi i një instrumenti direkt të kontrollit të Serbisë mbi serbët e Kosovës, siç ishte marrëveshja për Asociacionin-Zajednicën? Pra, me marrëveshjen e 19 prillit 2013 dhe atë të 25 gushtit 2015, serbëve në Kosovë iu rikthye iluzioni se në Kosovë mund të jetojnë edhe pa e njohur shtetin e Kosovës, sepse Serbia po e çonte përpara idenë e krijimit të një Republika Srpska edhe në Kosovë. Dialogu i devijuar i Brukselit ka çuar në rienklavizimin dhe ekstremizimin politik të serbëve të Kosovës dhe të formacioneve të tyre politike, që tanimë identifikohen me Listën Srpska, që është një degë e partisë së presidentit të Serbisë në Kosovë. Pra, në kontekst të “realizimit të idealit ahtisaarian për ndërtimin e shoqërisë multietnike” dialogu i devijuar ka prodhuar efekte të kundërta, përkatësisht i ka shërbyer Serbisë në forcimin e synimit të saj për thellimin e ndarjes etnike territoriale të Kosovës.

Në aspektin e jashtëm, devijimi i dialogut nga dialog për çështje teknike në dialog për statusin, përkatësisht në “dialog për ta legjitimuar” pavarësinë e Kosovës nga njohja që duhet të vijë prej Serbisë, ka ndikuar që shumë shtete të “ngrijnë” vullnetin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës, përkatësisht shumë prej tyre kanë arritur deri aty sa të ‘pendohen’ për njohjen që i kanë bërë Kosovës dhe kanë vendosur për tërheqjen e saj. Ky ka qenë një gabim i madh i elitës sonë politike e cila ka pranuar që legjitimimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës të determinohej nga njohja e Serbisë. Serbia mundet që kurrë mos ta njohë formalisht pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk duhet ta bëj Kosovën të ndjehet më pak shtet. Shtetësia është fakt, e në rastin e Kosovës është realizuar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Shumë shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës që në aktin e saj të shpalljes, ndërkaq shumë shtete do ta njohin atë duke u bindur me faktin se Kosova është vërtetë shtet.

Pra, shtetësia edhe imponohet. Në rastin me Serbinë ajo nuk do të mund të imponohet me negociata e duke i bërë kompromise të cilat e zvetnojnë në thelb shtetësinë e Kosovës. Ndaj Serbisë u ndërmor një masë e cila e bëri atë të kuptojë se Kosovën e ka shtet fqinj dhe jo krahinë që e pretendon: masa e Reciprocitetit. Njohjen nga Serbia mund të na e sjellë vetëm reciprociteti në çdo relacion me të, edhe në dialog,  duke e pretenduar dhe shfaqur veten si të barabartë. Derisa njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të bëhet interes për Serbinë, përkatësisht derisa mosnjohja nuk do të bëhet problem për Serbinë, atëherë ajo asnjëherë nuk do të na njoh formalisht, pavarësisht kompromiseve që ne bëjmë. E kaluara na e ka dhënë këtë mësim. Prandaj, ne nuk duhet të presim të na njohë Serbia duke hequr dorë ne nga njohja e vetes sonë sovrane. Serbia do të na njohë atëherë kur ne të mos kemi asnjë dilemë në raportet që do kemi me të: pra vetëm raporte shtetërore reciproke.

Mbi këtë refleksion, qeveria e Kosovës duhet të bëjë një shqyrtim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, për të parë se sa ato marrëveshje i kanë përmirësuar raportet ndërshtetërore mes dy vendeve, sa prej tyre nuk i ka zbatuar Serbia etj. Vetë marrëveshjen më problematike, atë të 19 prillit 2013 mbi parimet e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, Serbia nuk e ka ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare në Kuvendin e Serbisë, por e ka miratuar vetëm si një raport të qeverisë serbe mbi dialogun me Kosovën. Kosova nuk duhet të tolerojë një raport të pabarabartë në dialog me Serbinë. Marrëveshjet ose do të nënshkruhen si palë të barabarta negociuese dhe do të zbatohen me përgjegjësi reciproke, ose Kosova duhet të refuzojë të marrë pjesë në dialogim farsë i cili i shërben Serbisë në qëllimin e saj final, prolongimin e pafundmë të procesit dialogues si instrument për ta penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shumë shtete të tjera. Serbisë duhet t’ia bëjmë të qartë se nga dialogu nuk presim legjitimimin tonë ndërkombëtar që varet nga njohja prej saj, por presim njohjen e pavarësisë nga Serbia si kusht i normalizimit të marrëdhënieve ndërfqinjësore në rrugëtimin e përbashkët integrues drejt BE-së.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Familja australiane gjen më shumë se 50 lëkura gjarpri në çatinë e shtëpisë së tyre

ShpërndajeNjë familje australiane mbeti e shtangur pasi më shumë se 50 lëkura gjarpri u gjetën brenda çatisë të shtëpisë së tyre. Sipas DailyMail, një gjuetar i gjarpërinjve u thirr në një shtëpi në Rocksberg afër bregdetit të diellit të Queensland të martën për të larguar 30 lëkurat që ishin zhveshur […]