EditorialKryesore

Dua Lipa duhet të zgjedhë mes Dua Lipës dhe Goran Bregoviçit

Pikërisht pak ditë pas largimit të Dua Lipës nga Shqipëria, shqiptares që na bën të gjithëve krenarë, vendin e saj e zë Goran Bregoviçi, serbi tallavaxhi që i këndon tytes së kallashit të paramilitarëve që zbrazej mbi trupat e civilëve shqiptarë

Editorial nga Rruga Press

Për fatin tonë të mirë dhe si për të treguar se shqiptarët shpërthejnë në talentet e tyre kur rrethanat e mbështesin këtë talent, sfera publike ndërkombëtare sot është e populluar nga shqiptarë që me punen e tyre i kanë dhënë famë të mirë sa vetes aq edhe shqiptarëve, Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fushën e muzikës emrat e Rita Orës, Bebe Rexhës dhe Dua Lipës i përkasin niveleve më të larta dhe janë të padiskutueshme, si në talent edhe në sukses.

Që të trija, secila në mënyrën e vetë, janë kujdesur që imazhin e tyre ta lidhin me Shqipërinë dhe Kosovën. Dhe kjo gjë ka shumë rëndësi. Kjo tregon edhe për angazhimin e tyre “politik”, si “të dërguara” te atdheut të tyre, që këtë të fundit t’ia paraqesin sa më mirë dhe sa më shumë botës.

Dua Lipa ka pak ditë që është larguar nga Shqipëria, ku ajo kaloi disa ditë duke pushuar në brigjet e bukur të jugut shqiptar.

Ajo nuk harroi të na thotë edhe njëherë lidhjen e saj të brendshme me gjithçka që është shqiptare dhe që i përket asaj, kur nxorri videon ku ishte duke kërcyer nën tingujt e Qyqekut.

Dhe nga ky imazh i Dua Lipës, imazhi i shqiptares pa kompleks që Qyqekun e bën të duket po aq “cool” sa Jerusalema, nuk nguruan së përfituari edhe oportunistët me emrin Rama dhe Veliaj.

Sa i përket këtij të fundit, pa u marrë gjatë me të mjafton të themi vetem se Veliaj është saktësisht Anti-Dua Lipa. Nëse Dua e bën Qyqekun të duket Jerusalema, Veliaj me një prekje arrin ta bëjë shpifarake edhe gjënë më dinjitoze. Bie fjala, nëse Veliaj do të bënte nje video ku flet për arritjet e tij, me Moxartin në sfond, radhës tjetër kur të dëgjojmë Moxartin na duhet të mbajmë me vete edhe një legen, sepse nuk i dihet deri në ç’pikë do shkojnë të përzierat.

Lexo më shumë  Pas votimit pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare, Haxholli: Serbia po i mban të bllokuar disa autobusë të Kosovës

Dua Lipa, përveç asaj çka i jep Shqipërisë me punën e saj, ajo ka zgjedhur që të ndihmojë shqiptarët e prekur nga dëmet që shkaktoi tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit të 2019-s, me një projekt të financuar prej saj. Dhe kjo e bën atë që kur vjen në Shqipëri të takohet me Ramën dhe Veliajn, ndoshta edhe pa dëshirën e saj, por ndoshta ngaqë një figure botërore si asaj i duhet njëfarë neutraliteti kur vjen puna tek udhëheqësit politikë shqiptarë.

Ajo iku dhe fill mbas ikjes së saj Bashkia e Korçës thërret Goran Bregoviçin si të ftuarin më të veçantë në Festën e përvitshme të Birrës.

Tani Ramës i ngelet që jo me krahun që mbështolli Dua Lipën, por me krahun tjetër të shkojë e të përqafojë Bregoviçin, tallavaxhiun serb që i këndon tytes së kallashit të paramilitarëve që zbrazej mbi trupat e civilëve shqiptarë.

Pasi Rama shfrytëzoi imazhin e shqiptares patriote me famë botërore, tani Rama do shfrytëzojë imazhin e Bregoviçit, serbit ballkanist (këngëtari më i famshëm në ish-Jugosllavi) i cili inaguron me aheng minishengenin serb që shkatërron ekonominë shqiptare dhe që përbuz viktimat shqiptare, në kohën kur kryeministri Rama ka lidhur aleancë të përzemërt me ish-ministrin e Millosheviqit, me presidentin aktual të Serbisë së papenduar.

Dua Lipa e di të gjithën këtë. Ajo e di se kush është Bregoviçi, ashtu siç e di se çfarë projekti ka shteti serb në lidhje me shqiptarët dhe shtetet shqiptarë. I ngelet vetëm që të marrë guximin, atë që e ka me okë dhe t”‘ia plasë në fytyrë” kryeministrit të Shqipërisë, atij që e kishte përqafuar para ca ditësh vetëm me një krah, sepse tjetrin ia kishte rezervuar Bregoviçit. Do të mjaftonte vetëm një postim i saj në instagram që Bregoviçi të shkonte për dreq, bashkë me të paskrupulltin Rama.

Lexo më shumë  Knaus zbulon pse po eskalon Serbia: Dhunë për kërcënim

Sot, është detyra e gjithkujt, por sidomos e artistëve që ta ndalojnë këtë shfaqje të turpshme, duke mbajtur qëndrim dhe duke bërë thirrje bojkoti.

Ka artistë shqiptarë të cilët tashmë e kanë humbur shancin dhe e kanë dëshmuar se janë të pa integritet, përsa i përket shërbimit që ata ia kryejnë pushtetit tonë të pervertuar. Bie fjala, nuk ka nevojë që pjesë e kësaj thirrje për bojkot të bëhen artistë të llojit të Vikena Kamenicës. Ajo e ka dëshmuar se s’ka integritet kur këndoi përpara ish-ministrit të Millosheviqit, pra, para Vuçiqit. Ajo nuk ka edhe aq shumë dallim nga një balerinë serbe e rëndomtë në ndonjë prej strip-clubeve të Tiranës. Balerina serbe dredh të pasmet me “twerk”, kurse Vikena i dredh zërin Vuciqit me vibrato.

Cilido artist tjetër me një fije dinjiteti i ngelet që të shprehet, kurse Dua Lipa duhet tu prijë të gjithëve.

Nuk mundet që një emër si Dua Lipa ta lejojë këtë ndyrësi të shtetit shqiptar. Ajo nuk mund të jetë në njërin krah të Ramës, kur Rama në krahun tjetër mban Bregoviçin.

Dua Lipa duhet të zgjedhë mes Dua Lipës dhe Goran Bregoviçit.

Rruga Press ©

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *