Editorial

Trembëdhjetë gjëra që mësuam nga protesta e antarësisë së Partisë Demokratike

Pas një periudhe disa mujore të ngjeshur me ato që lideri opozitar i partisë opozitare në Shqipëri, Sali Berisha, i quajti “Foltore”, si dhe pas një vote masive nga antarësia e PD-së për shkarkim të Lulzim Bashës si kryetar i partisë, sot antarësia e kësaj partie, e drejtuar nga Berisha protestoi përpara selisë, duke tentuar që të futen brenda dhe ta marrin në dorë vetë fatin e partisë, e cila, sipas tyre, është e marrë peng nga Basha.

Nga ana tjetër, ata akuzojnë Lulzim Bashën se ashtu siç ka marrë peng Partinë Demokratike, ashtu edhe vetë ai është një peng i kryeministrit Edi Rama.

Çfarë mësua sot duke parë ecurinë e protestës?

Mësuam se:

  1. Të drejtën e përdorimit të armëve, siç është gazi lotësjellës, nuk e ka vetëm Policia e Shtetit, por edhe Lulzim Basha me ushtarët e tij, të cilët hodhën gaz shumë kohë përpara se policia ta merrte situatën në dorë.
  2. Partinë Demokratike e kontrollon një person që nuk e ka mbështetjen e antarësisë.
  3. Liderin formal të PD-së e mbrojnë prej mësymjes së antarësisë në seli një grup special i përbërë prej të fortësh të lidhur me botën e krimit.
  4. Hedhja e gazit lotsjellës dhe përdorimi i dhunës prej njerëzve të z. Basha, duke qenë se nuk u pa prej Policisë së Shtetit si akt kundërligjor, do të thotë se strukturat shtetërore dhe udhëheqësia ilegjitime e Partisë Demokratike janë në kordinim të plotë.
  5. Lulzim Basha vazhdon ta mbajë Partinë Demokratike fal ndihmës që i vjen prej Policisë së Shtetit dhe vetë pushtetit të kryeministrit Rama, kundër Sali Berishës dhe antarësisë së PD-së.
  6. Përplasja e antarësisë së Partisë Demokratike me Lulzim Bashën është përplasje e Partisë Demokratike me kryeministrin Rama.
  7. Kryeministri Rama nuk ka zaptuar vetëm ekzekutivin, legjislativin, gjyqësorin, policinë, administratën dhe shumicën e medias, por edhe vetë partinë më të madhe opozitare.
  8. Protesta e antarësisë së PD-së nuk është protestë kundër PD-së, por është protestë që synon çkapjen e Partisë Demokratike prej pushtetit dhe kontrollit që ka mbi të kryeministri Rama.
  9. Fitorja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e shkuara është meritë e padiskutueshme e vartësit të z. Rama, i cili njihet formalisht si kryetar i Partisë Demokratike.
  10. Një opozitë e kapur dhe parandalimi i lindjes së subjekteve të rinj politik garanton një pushtet me disa mandate të tjerë për Partinë Socialiste, liderin e saj, si dhe liderin që do të vij.
  11. Shqipëria është shtet policor, ku potencialitetin dhe aktualitetin politik e përcakton ai që e ka në dorë policinë.
  12. Shqiptarët dinë të protestojnë për partinë, edhe kur ajo është e kapur, por jo për Shqipërinë, pavarësisht se ajo ka qenë gjithnjë e kapur.
  13. Politika shqiptare është po aq e vjetër, pa imagjinatë, pa sfond ligjërimor dhe pa risi sa ç’është lideri i protestës së sotme, Sali Berisha.
Lexo më shumë  Bejtja: Gati gjysma e Partisë së Melonit votoi kundra Kosovës edhe pse me Ramën përqafohen dhe bëjnë shqiponjën. "O Kazanova mund t'ia kishe bëre dhe një puthje më shumë qafë që të votonte si duhet për Kosovën në KiE"

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *