E kuqe vatre

RrugaPress2
1 0

Nga Krenar Zejno

E ka një vepër Gani Gashi që quhet “Sofër e kuqe”. E ka kryer prej vitesh dhe titullin e saj në katalog na e shfaqi mes të tjera sugjerimesh, për ritualin e dilemës lojcake të emrit të ekspozitës “Vatër e kuqe”. I pëlqeu ky emërim edhe gazetares, ngase ia rroku përfytyrimi për titull shkrimi. Pse jo, edhe pak ngarkesë patetike dhe mënyrë me premisa mediatizimi. E lash në besë, për t’u kthyer me shpejtësinë e erës, atë dhe një varg për festivalin e Poetekës dhe ia graha në studion grafike, ku inercia e muzës poetike e porositi ftesën me titullin anasjelltas: “E kuqe vatre”. E shkroi dizajneri; pyeti për preferenca kolori, karaktere e detaje dhe dëgjoi, që mundësisht të mos pahej një vatër më e kuqe se vatra, por një vatër në të kuqe… si e kuqe vatre! Tundi kokën, pak a shumë sipas kuptimit të pohimit, që zakonisht të huajve iu duket anasjelltas, dhe e hartoi korrektësisht, përveç rrenës për afatin e dorëzimit dhe çmimit. 
E dëgjoi miku i piktorit justifikimin për vonesën: se makineria, mesa duket, nuk gjen interes nga kaq pak ftesa për kaq pak miq arti, por nuk e besoi. Jo se nuk e besonte që kjo ndodhte, por nuk besonte tek tjetri, që thoshte se po ndodhte! Tekembramja është përkujdesje ndaj artistit që beson symbyllazi të tjerët… Porse është edhe nga kjo kredo, dhe që shpesh lypset e verbër, që arti ndodh.
* * *
E këqyri ftesën filozofi, kur kthehej nga provimet antiromantike të vjeshtës tek hyri për seancën e prehjes në galeri, pastaj tha se që prej atij çasti e kishim pra, edhe një klasifikim të ri të kuqeje, madje dhe vatrën si kategori të së kuqes…. kësodore, secili e dha një dorë për të nisur një ekspozitë. E kjo do t’i mjaftonte aksionit për të bërë gjëra! Ndërkohë, e kuqja e Gani e Gashit, e ngjizur në tablo siç e do e mira, po dukej sikur kërkonte të rridhte, edhe kjo siç i ka hije, e të derdhej edhe në letër. U afrova me letrën e bardhë, sikur për të mbledhur ca pika nga paradigma e gjatë e së kuqes. E kuqe zemre, e kuqe bozhuri, e kuqe e zezë, e kuqe Onufri, e kuqe ikone, e kuqe bizanti, e kuqe gjaku, e kuqe miqësie, e kuqe mikpritjeje, e kuqe shenje, e kuqe shenjtërie. E kuqe Rubensi, e kuqe rubini. E kuqe Vremeri, e kuqe e Tasos për Ëine Day. E kuqe korali. E kuqe lëkure, e kuqe racizmi, e kuqe… E kuqe përralle, e kuqe kësulëkuqe, e kuqe stralli, e kuqe zjarri që rrëmbeu në flakë dhjetëra vepra arti me shtëpinë e Gashit në luftën e Kosovës, e kuqe rrëfimi, kryepleqërimi, e kuqe halli, e kuqe malli,
* * *
E kuqja e kësulave të turqve, e megjithë praninë e tyre ndër arkëmorte ishte e pamundur të dalloheshin kombësitë e kockave në varrezat e njëjta me grekët të këtyre dy palë njerëzve, që në kohëra ishin aq shumë afruar, miqësuar, dashuruar, dehur, lënduar e gëzuar së bashku, saqë e kuqja e urrejtjes – e kuqja e irredentizmit e kishte pasur pisk tek rrekej të shkulte tjetrën palë nga varri. Megjithatë, kushedi, atë emfazë shpërthimi egërshan: rroftë e kuqja! Me të njëjtën dëshirore ngjyre a ngjyrë në dëshirore, me të cilën shekujt më parë patën yshtur fatin për t’i prurë deri këtu falangat festekuqe. Por që shekujt më vonë kishin dhënë e marrë aq shumë mes të kuqeve, saqë i kishin bërë që njerëzit, t’i merrnin në varre të kuqet e njëri-tjetrit, se tashmë po linin pjella dashurish ndër bij të përbashkët.
Se po të jetë për njerëzinë, përzihen lehtë të kuqet e dashurive, sagapove e sevdave e bëhen njësh në të kuqen e pikturës!  E kuqe dielli, e kuqe perëndimi, e kuqe stop, e kuqe dioniziake, e kuqe biblike, e kuqe puthjeje, e kuqe Ballkani, e kuqe rishtazi e kuqe krishtazi, e kuqe vullkani, e kuqe e mirë, e kuqe e keqe! E kuqe etnos e kuqe eros. E kuqe muze, e kuqe muzike, e kuqe tingull, e kuqe mazurke, e kuqe Shopen, e kuqe Wagner, e kuqe Niçe, e kuqe Marks. E kuqja magjike e Markezit, e kuqja sadike e Markezit. Një pikë e kuqe anonimati në pambuk, se dhurimi i një pike zemër s’do dëshmi! E kuqe e nobelit Pamuk, e kuqe klasike Stendali, e kuqe skandali, e kuqe dhënie, e kuqe marrje, e kuqe marrëzie, e kuqe gjakmarrje… Ja, edhe pak: e kuqe kanuni, e kuqe kau, e kuqe demi, e kuqe nuni, e kuqe pagëzimi, e kuqe gëzimi, e kuqe organesh, e kuqe parullash e kuqe sloganesh.  E kuqe shpejtësie, e kuqe dehje, e kuqe dalldie, e kuqe mjerimi, e kuqe etheje, e kuqe shkëlqimi… Pastaj njësh në të kuqen e pasionit, të kuqen e poezisë, të kuqen e pikturës.
* * *
Dhe pastaj ndonjë njeri paksa i lëçitur, që i trembet njëjtësimit, do dalë të na thotë se Gani Gashi i ngjaka, ta zëmë, Pollokut! Dhe pastaj, Gashi që të kallëzon me vepra se kur e thërriste muza të ngjizte vizatimin, ngjyrën e kuqe, grafikën, qysh prej dekadash përpara, Polloku nuk njihej e s’kishte marrë famë. Dhe pastaj, Michel Ginsberg, zbuluesi i tij dhe kritiku i shekullit në Amerikë, që e vë gishtin pikërisht në elementin ikonografik prej arti bizantin, që tabloja e Jacsonit përcjell! I cili nuk do të ishte bërë Pollok pa sensin e principet e pikturës së Bizantit dhe tendencës së saj drejt shfigurimit dhe modernitetit. E pat studiuar aq shumë, kishte vizituar plot herë Ballkanin, dhe kur u bë i pasur kreshtat e ngjyrave të shpërhedhura i plotësonte me fije ari. E kështu vijojmë të bëjmë gjëra nga tonat-simbole, kostume, xhingla dhe etnos, që kur janë të mira ngjajnë si të atyre, dhe ata që vijojnë të bëjnë gjëra, që për të qenë të mira duhet të ngjajnë me tonat!

Rruga Press

Next Post

Priten reshje intensive në vijim, KESH: Përgjysmohen shkarkimet në Vaun e Dejës

Korporata Energjitike Shqiptare ka vendosur të përgjysmojë ditën e sotme shkarkimet në HEC-in e Vaut të Dejës nga 700m3/s në 500 m3/s. Ky vendim erdhi për shkak të reshjeve intensive që priten mbrëmjen e sotme dhe ditën e nesërme, të cilat mund të ndikojnë në situatën e përmbytjeve në zonën […]