Ese e filozofit spanjoll Unamuno ku i thur lavde përtacisë

user3
0 0
Shpërndaje

Pjesë nga eseja e përkthyer nga Bekim Qoku

“Pse nuk ka një Ditë ndërkombëtare të përtacisë?”, pyet përkthyesi Bekim Qoku

…. poeti para se gjithash është një përtac, një bjerrakohës, dhe këtë po e them si punë lavdi për poetin.

Dua t’ju them që përtaci është një nga njerëzit më aktiv.Përtaci (sloth) është një njeri rrebemadh, i cili për ta zënë armikun ngushtë, me imagjinatën e tij përshkon më shumë milje sesa gjenerali në marshim.

Në të vërtetë, ç’nuk i bie ndërmend një përtacit si të vrasë kohën. Ku s’i shkon mendja tjetrit vetëm e vetëm të ndërrojë pozicionin e fjetjes?

Njëherë dikush pat thënë, se s’ka kurrgjë më frymëzuese se burgu, dhe atje, në burg, janë shkruar disa nga veprat më poetike, ndër të cilat dhe Kishoti. A s’është vallë plogëtia një burg ku rri i burgosur shpirti?

Ka veprimtari që mashtrojnë rëndshëm dhe që në themel s’janë veçse trajta të plogëtisë, të përtacisë. Është njësoj si me qejfin për të udhëtuar, që nuk është se të vjen nga dashuria për viset, pra nga topofilia apo filotropia, porse nga urrejtja për ta, pra nga topofobia. Shumica nga ata që udhëtojnë shumë, në të vërtet arratisen nga i njëjti. Ata s’durojnë dot të qëndrojnë gjatë në të njëjtin vend. Jo se tërhiqen nga vendi ku duan të shkojnë, jo, ata në fakt dëbohen nga vendi i prejardhjes.

Ka forma të veprimtarive intensive që mund të ushtrohen në përtacinë më evidente.

Në fund të fundit, ne për qytetërimin tonë u detyrohemi pikërisht përtacëve dhe të papunëve. Qytetërimi filloi kur njeriu e nënshtroi tjetrin si skllav dhe e detyroi të punojë për të dy, ashtu që, me të eliminuar domosdoshmërinë e rrekjes për bukën e ditës, mund të hidhte vështrimin drejt yjeve, për ta pyetur paskëtaj veten: përse thua sillen këta yje në këtë mënyrë? Përse thua shfaqen sot aty e nesër atje?

Një nga miqtë e mi thotë se punëtorët kanë neveri për përtacët. Kjo ngjet sepse këta i vëzhgojën të parët duke ndaluar për të parë se sa punojë dhe si punojnë ata. “E shikon këtë pastiçier?”, më tha njëri, “epo ja, ky pastiçier s’flet keq për kërrkënd përveç për ata kalimtarë, ata përtacë, të cilët, sa për të kaluar kohën, çdo ditë të lume ndalojnë një copë herë para vitrinës së pastiçerisë. Meqë të tjerët kalojnë aty pranë dhe hedhin vetëm një shikim të shkurtër, siç do i pëlqente pastiçierit, ky, përtaci, qëndron mu aty përpara dhe i thotë tjetrit: I shikon këto torta? Ka tetë ditë që të njëjtat rrinë aty në vitrinë.

Po patë ndonjërin që bredh i hallakatur rrugëve, mund të jeni të sigurt që ai është një përtac. Ai do veçse të lërë përshtypjen që kinse është shumë i zënë.

Puna është një gjë shumë e mirë dhe e shenjtë, por… Por një ditë një baba m’u ankua hidhërueshëm se çfarë fëmijësh të paedukatë që kishte. “Me gjithë ato sakrifica që kam bërë për ta…, tha. Sakrificat e tij ishte grumbullimi i një pasurie për të cilën ai kishte neglizhuar fëmijët e vet. Kalonte orë të tëra në tavolinë, kohë që duhet t’ua kishte kushtuar fëmijëve. Besonte se obligimi i tij atësor qe vetëm sa t’u linte një pasuri fëmijëve të vet. Kjo do të thotë se ai as këtë nuk e besonte, sepse kohën që e kalonte për të grumbulluar pasuri, e bënte vetëm për arsye se s’dinte si ta kalonte ndryshe. Puna për të ishte njëlloj devijimi.

Ashtu si shumë të tjerë, edhe mua më ka indinjuar gjithmonë fabula e famshme e gjinkallës dhe milingonës. Aty del qartazi në shesh egoizmi dhe mizoria e të mbrames. Duket qartas – dhe këtë e kam studiuar mirë – se ajo ngazëllehej nga këndimi i gjinkallës përderisa vazhdonte punën.

Nuk e di se kush është ai që e ka thënë se veprat më virtuoze janë pjellë e frikës. Përsaqë s’e ka thënë kurrkush, po e them unë tani, që i bie njëlloj. Mund të thuhet po ashtu se frytet e përpjekjeve më të mëdha të shpirtit njerëzor janë pjellë e përtesës, e ngehësisë. Njeriu punon për t’i bërë bisht punës, ai punon për të mos punuar. Është e pabesueshme se ç’lloj punësh ai merr përsipër të kryejë, vetëm e vetëm që të mos punojë.

Se mos qe Sokrati gjë tjetër pos një përtac. Ai s’na ka lënë asnjë skulpturë si dëshmi, megjithëse ishte skulptor. Dhe nëse s’ka shkruar kurrgjë, më ha mendja se këtë e ka bërë për hir të rehatisë së tij, ngaqë s’deshte të marrë mundin të kapet për pende. Kohën që duhet ta harxhonte për të shkruar, e harxhonte duke u endur rrugëve në kërkim të çunit të radhës, me të cilin do bisedonte për çmos e për çdo gjë. Po të kishte jetuar sot, me siguri atë do ta gjenit në ndonjë lokal duke kuvenduar me të tjerë përtacë nga sëra e tij. Sa e sa Sokratë vdesin pa dëgjuar për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, për shkak se s’kanë një Platon apo Ksenofon, që do i ruante të shkruar.

………

Rruga Press


Next Post

Teksa vetëm 8% e Botës kanë marrë një dozë, Britania do të jap dozën e tretë të vaksinës për personat mbi 50 vjeç

ShpërndajeZyrtarët shpresojnë se para krishtlindjeve, e gjithë popullata mbi 50 vjeç veçse do të ketë marrë 3 doza vaksine. Deri më sot, 7,9% e popullsisë së botës kanë marrë të paktën një dozë vaksine, dhe vetëm 3,65% kanë marrë të dy dozat, shkruan lajmi.net. Mirëpo disa shtete që kanë vënë […]