BallinaLajme

FMN: Grumbullohen më shumë se 27% të PBB të ardhura, por nevojat vjetore për financime të Shqipërisë kërkojnë edhe një buxhet tjetër

Nevojat buxhetore të Shqipërisë për të financuar funksionet publike janë sa dyfishi i mundësive reale që gjenerohen nga të ardhurat.

Rishikimi i fundit i kushteve ekonomike të vendit tonë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregon, se Shqipëria grumbullon pak më shumë se 27% të PBB të ardhura buxhetore, por ndërkohë ka nevojë edhe për 21% të PBB financime për t’i përmbushur funksionet publike. Për të plotësuar hendeqet e financimeve, Shqipëria duhet të çojë mbi 48% të PBB-së te të ardhurat buxhetore.

Por asnjë parashikim, sado optimist, nuk jep shpresë që Shqipëria të arrijë rendimentin fiskal që i nevojitet. Për të përmirësuar eficiencën në grumbullimin e të ardhurave, FMN i sugjeron qeverisë shqiptare që të përmirësojë dobësitë dhe të investojë në burime të afta njerëzore.

Lexo më shumë  Nisin zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut

Fondi ka sugjeruar që të miratohet një strategji e plotë në formën e një paketë fiskale afatmesme, e cila duhet të zbatohet pa vonesa të mëtejshme.

Përgatitja e një Strategjie Afatmesme të të Ardhurave ofron mundësi për të rishikuar dhe për të ridizenjuar në mënyrë gjithëpërfshirëse sistemin e taksave. Shqipëria duhet të japë fund ndryshimeve të shpeshta të politikës tatimore dhe të mos aplikojë amnistinë fiskale.

Shqipëria dhe Kosova vitin e kaluar u renditën ndër vendet e Europës që grumbullojnë më pak të ardhura buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Sipas të dhënave të Eurostat, vendet e BE-së vitin e kaluar grumbulluan mesatarisht 41.1% të ardhura të PBB-së, me një ulje të lehtë në raport me vitin 2018, kur ky tregues ishte 41.2%.

Lexo më shumë  Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Ndërkohë Irlanda (22.7%), Kosova (26.7%), Rumania (26.7), Zvicra (27.4%) dhe Shqipëria (27.4%) kishin rendimentin më të dobët fiskal.

Irlanda dhe Zvicra grumbullojnë më pak të ardhura, pasi ekonomia e tyre ka zhvilluar offshore-t, në të cilat aplikojnë norma më të ulëta tatimore se sa vendet e tjera të Europës, që kanë një sistem tatimor klasik.

Grupi tjetër i vendeve që mbledhin më pak të ardhura të tilla si Shqipëria, Kosova dhe Rumania e kanë të ulët rendimentin fiskal, për shkak të dobësive në grumbullimin e të ardhurave dhe nivelit të lartë të informalitetit. Për më tepër, Shqipëria i përkeqësoi rezultatet më 2019, pasi të ardhurat në raport me PBB shënuan rënie me 0.2 pikë përqindje.

Monitor

YouTube player