Gabimi i analogjisë franko-gjermane

User1
3 0
Shpërndaje

Shkruan Shaban Murati

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në një intervistë me televizonin serb në 11 qershor rekomandoi për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë modelin franko-gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Është një rekomandim i vjetër dhe i komprometuar dhe nuk kuptohen arsyet përse Tirana ia ofron përsëri Beogradit. Për këtë arsye e ndjej si të dobishme të rijap për lexuesit analizën time për modelin franko-gjerman, të botuar në 30 maj 2016.

Modeli franko-gjerman dhe marrëdhëniet Shqipëri-Serbi

Nuk dihet se si dhe përse, pas fillimit në 28 gusht 2014 nga Gjermania të “Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor”, u fut në përdorim si aspiratë për marrëdhëniet problematike midis Shqipërisë dhe Serbisë modeli franko-gjerman. Nisi të flitej në Ballkan në disa qarqe diplomatike, politike, NGO-iste, mediatike etj. si rruga, si modeli, si formula etj. e cila mund të çojë në realizimin e pajtimit të madh midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe në krijimin e një marrëdhënieje shembullore midis dy shteteve ballkanike, si ajo që u arrit midis Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore.

Duket se nxitimi për reklamimin e modelit franko-gjerman në komunikimin publik e mediatik ishte më shumë produkt i konformizmit tipik ballkanik, për të qenen më të pëlqyeshëm për dy shtetet kryesore të BE. Mund të thuhet se ndikoi edhe mentaliteti provincial i dy shteteve ballkanike për të imituar modën politike europiane, e cila natyrisht përcaktohet nga dy shtetet e mëdha, Gjermania dhe Franca. Nuk është konstatuar deri tani në Ballkan asnjë përpjekje serioze për t’i shpjeguar opinionit se përse mendohet se formula apo modeli franko-gjerman është i përshtatshëm dhe do të ketë sukses për marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Duke hulumtuar historikun e marrëdhënieve midis Francës dhe Gjermanisë, dhe historikun e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë, është tepër e vështirë të qëmtosh prova apo faktorë, që mund të afrojnë tek ideja se ka hapësirë për imitim dhe përdorim të formulës franko-gjermane në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Së pari, duhet vënë në dukje se është e paafrueshmi nga pikëpamja analitike dhe shkencore që të bësh paralelizma midis marrëdhënieve të dy shteteve më të mëdha dhe më të fuqishme të Europës me dy shtete të vogla dhe të varfra të gadishullit ballkanik. Historia, dinamika, nivelet e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe demokratik, ndërvarjet, shtrirjet, efektet kontinentale, rajonale dhe botërore, kuadri gjeopolitik dhe gjeostrategjik, janë krejtësisht të kundërta, të pakrahasueshme dhe të pangjashme, saqë imitimi sinjalizon shenja të megalomanisë rurale ballkanike. Pajtimet midis shteteve të mëdha si Gjermania dhe Franca, Amerika dhe Japonia, Rusia dhe Kina etj., janë dimensione planetare, ku diplomacia e vërtetë dhe shkenca e vërtetë nuk mund të guxojnë të kërkojnë paralelizma.

Së dyti, Franca dhe Gjermania janë shtete fqinje, fuqi të mëdha europiane në plan historik, ku dimensioni europian ka vënë vulën si në mosmarrëveshjet, ashtu dhe në aleancën dhe në procesin e bashkimit strategjik midis tyre. Fqinjësia midis dy shteteve të mëdha Francë-Gjermani ka lozur dhe luan rol të veçantë në krijimin e aleancës së tyre dypalëshe, gjë që asnjëri prej tyre nuk e ka me ndonjë shtet tjetër të madh europian, që nuk është fqinj i tyre. Jo rastësisht sot binomi Francë-Gjermani është boshti dhe motori lëvizës dhe drejtues i Bashkimit Europian. Shqipëria dhe Serbia nuk janë shtete fqinje, dhe nuk kuptohet se cila specifikë do t’i bashkonte këto dy shtete për të ecur në rrugën e modelit franko-gjerman. Serbia nuk ka dhënë dhe nuk po jep akoma prova se ka realizuar pajtimin e madh me shtete fqinje të saj, me të cilat ka zhvilluar luftëra para 15-20 vjetësh, si me Kroacinë, me Kosovën, me Bosnjën. Vështirë të mendohet se Beogradi, i cili nuk e zbaton modelin franko-gjerman me tri shtete fqinje, dhe në radhë të parë me Kosovën, do të ketë interes ta zbatojë me një shtet si Shqipëria, të cilën nuk e ka në kufi.

Së treti, Franca dhje Gjermania në Luftën e Dytë Botërore u ballafaquan si shtete armike dhe luftuan ndaj njëra-tjetrës, gjë që natyrisht u pasua me pajtimin e madh historik dhe marrëveshjen e një aleance historike midis tyre. Shqipëria dhe Serbia ishin pjesë e të njëjtit koalicion antifashist gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe kjo pasoi raportin nënshtrues, ku Shqipëria u kthye në një satelit të Beogradit në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore.

Së katërti, Franca dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore kishin qeveri demokratike të zgjedhura demokratikisht dhe udhëheqës demokratë me vizion historik, që farkëtuan pajtimin dhe aleancën. Kurse Shqipëria dhe Serbia kishin diktatura komuniste, nga të cilat dy vendet u çliruan; Shqipëria në vitin 1992 dhe Serbia në vitin 2000.

Së pesti, pajtimi shtetëror midis Francës dhe Gjermanisë nuk la pas vetes implikime të çështjes kombëtare të njërit apo tjetrit. Marrëdhëniet shtetërore midis Shqipërisë dhe Serbisë kanë një implikim të drejtpërdrejtë të çështjes kombëtare shqiptare, hija e së cilës qëndron në mes të marrëdhënieve dypalëshe. Marrëdhëniet Shqipëri-Serbi kanë në mes hendekun e madh, që quhet Kosovë. Kosova është pjesë e trungut, e historisë, e identitetit dhe e kontinuitetit të kombit shqiptar, e ekzistencës dhe e perspektivës së kombit shqiptar. Serbia, jo vetëm nuk e njeh dhe nuk e pranon, por zyrtarisht dhe publikisht kërkon t’i rikthejë statusin e kolonisë serbe, që e ka pasur për njëqind vjet. Do të jetë pajtimi midis Serbisë dhe Kosovës ai që do të çojë te pajtimi i Shqipërisë me Serbinë, dhe nuk mund të jetë pajtimi i Shqipërisë me Serbinë që do të çojë te pajtimi i Serbisë me Kosovën.

Teza e vjetër e diplomacisë serbe, çuditërisht e përqafuar në disa periudha edhe nga diplomacia shqiptare, se Serbia dhe Shqipëria nuk duhet të shohin Kosovën, por duhet të ecin përpara në trasenë dypalëshe shtetërore, ka rezultuar një fiasko e madhe. Asnjë analizë apo platformë serioze nuk mund të pajtohet me mendimin se Tirana do të ketë sukses në marrëdhëniet me Serbinë, nëse e neglizhon interesin dhe kohezionin e vet kombëtar me Kosovën. Franca vërtet ishte një nga katër fuqitë aleate, që vendosën kontrollin mbi Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore, por ajo nuk pretendoi kurrë Gjermaninë Lindore, siç bën sot Serbia me Kosovën. Për Shqipërinë, Kosova është si Gjermania Lindore për Gjermaninë Perëndimore.

Së gjashti, çelësi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë nuk është modeli. Çelësi është dhe do të jetë simetria e marrëdhënieve midis dy shteteve. Modeli franko-gjerman apo binomi apo dyarkia franko- gjermane mbështetet në simetrinë e marrëdhënieve, në barazinë e marrëdhënieve, në harmoninë e respektimit të interesave jetike e kombëtare reciproke. Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë zhvilluar gjithmonë mbi bazën e asimetrisë dhe të pabarazisë, me konceptin hierarkik, sipas të cilit njëra palë dikton e tjetra palë bindet. Pa u thyer ky koncept bazal historik dhe psikomental në udhëheqjen e Serbisë, do të ishte naive të besohet se dy shtetet mund të ndërtojnë një bashkëpunim normal dhe afrim miqësor. Kthesë duhet të ndërmerret edhe në Shqipëri, për të braktisur kompleksin e inferioritetit ndaj Serbisë, kompleks që shfaqet në format më fyese edhe sot, kur mohohet historia kombëtare me teza idiote se Shqipëria dhe Serbia nuk kanë zhvilluar luftëra me njëra-tjetrën, kur Serbia edhe disa vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë mbante të pushtuara pjesë të Shqipërisë së Veriut. Në librin tim “Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit”, duke analizuar asimetrinë e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi në tre tipat e saj: si asimetri sjelljeje, asimetri strategjie dhe asimetri angazhimi diplomatik, kam theksuar se “vetëm mënjanimi i asimetrisë “mospërfillje-inferioritet” mund të ndihmojë të krijohen marrëdhënie të barabarta, në të mirë të dy shteteve dhe të stabilitetit në rajon”.(Tiranë, 2013, fq.106)

Mendoj se është i gabuar dhe i rrezikshëm çdo lloj aludimi apo iluzioni se Shqipëria dhe Serbia duhet të bashkohen mbi bazën e një projekti, që të drejtojnë Ballkanin, siç drejtojnë Franca dhe Gjermania Bashkimin Europian. Në shikimin më naiv, ky projekt do të ishte një joshje donkishoteske, që do të kundërvinte shqiptarët dhe serbët ndaj gjithë shteteve dhe popujve të tjerë të Ballkanit. Jo vetëm që është e paarritshme, por do të shndërrohej në një pengesë të madhe për integrimin real europian dhe atlantik të rajonit. Nuk mund të zbatohet modeli franko-gjerman për Shqipërinë dhe Serbinë, sepse është një model euroatlantik. Nga pikëpamja strategjike dhe gjeopolitike Shqipëria është pjesë e arkitekturës atlantike të sigurisë, kurse Serbia e ka orientuar vizionin e saj strategjik te Rusia. Është gjë tjetër dhe pozitive të marrësh një element të përvojës së marrëdhënieve franko-gjermane, siç është ajo e bashkëpunimit rinor, dhe krejt tjetër është të pretendosh për modelim të marrëdhënieve Shqipëri-Serbi sipas modelit Francë-Gjermani.

Në përfundim të këtyre elementeve dhe faktorëve, mund të thuhet se modeli franko-gjerman shfaqet si një prirje për të mbuluar disi problemet reale dhe vështirësitë e mëdha reale të një bashkëpunimi të vërtetë midis dy shteteve. Si Shqipëria, ashtu edhe Serbia, dhe natyrisht edhe rajoni, kanë nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë, më miqësor, por ky bashkëpunim arrihet në kushtet e të qenit të barabartë midis gjithë shteteve të barabarta të rajonit. Asociacionet dhe precedentët janë instrumente të përdorshme në jurisprudencë, por në diplomaci ato nuk këshillohen, sepse shkaktojnë deviacione dhe pengesa në arritjen e objektivit të normalizimit të marrëdhënieve.

(Libri “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, 2018, fq.166)

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Osmani përfundon vizitën në Estoni, merr mbështetje për rrugën euro-atlantike të Kosovës

ShpërndajePresidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe delegacioni i bizneseve nga fusha e teknologjisë informative kanë përfunduar vizitën dyditore zyrtare në Estoni. Bashkë me delegacionin, Presidentja ka vizituar e-Estonia Briefing Center, Qytetin Kreativ Telliskivi dhe Qendrën Pipedrive. Sipas komunikatës nga presidenca, gjatë vizitës në të tri këto qendra digjitale, Osmani ka […]