Gërvalla dhe rrotullia mes dhimbjes dhe sëmundjes

User1
1 0

Shkruan Elvis Hoxha

Nuk është data e lindjes, as ajo e vdekjes. Para do kohësh po lexoja novelën Rrotulli të Jusuf Gërvallës. Data e vërtetë e shkrimtarit është në fakt ajo e takimit me leuxesin. Ndaj dhe ç’shënova mbi këtë prozë, po e hedh në portalin Rrugapress, pa respektuar data të domosdoshme të qiellit, por ato të rastësisë të takimeve të dheut.

Ndonjëherë, në ndonjë lexim proze të bëhet se ritmi është sekret. Diç prej afrie i prozës me poezinë e bën të domosdoshëm një lexim tjetër. Edhe afrimi i poezisë kah proza, pra afria e kundërt po njësoj. Ndërhyrje, hibrid, pavendosmëri autoriale për me rënë në gjykimin transparent mes ndodhisë dhe rrëfimit.

Shkruesi ka për të rrëfyer diçka. Mes përkatësisë dhe të largtës, mes të jetuarit mu në gji të ndodhisë dhe rrëfimit diku tjetër, një përzjerje vetvetiu del si forma e papërsëritshme e leximit. Vështirë e llogaritshme, vështirë e pastrueshme. Distopi stili dhe ngjarjeje, psiqikë autori dhe personazhi, ndryshje kolektive dhe ndrydhje komunitare. Duhet rrëfyer mbyllja në hapje, jo thjesht e brendshmja së jashtmi.

Mjeku të kërkon shenja të dhimbjeve, por jo dhimbjen. Përgjegjësi e lartë: t’i thuash mjekut se ç’të dhemb kur veç shenjat të dhembin. Diç nuk shkon së brendshmi. Mbyllje brenda mbylljes. Në një farë mënyre të kërkohet të të dhemb më tepër, vetëm për me mund me e rrëfy dhimbjen. Të kërkohet ta thuash dhimbjen për me kuptu sëmundjen… Por ti e kupton se duhet të sëmuresh për me e thënë dhimbjen. Kur sillesh nëpër këtë rrotulli, rrekja quhet Ketë Avdia.

Me veç një shpresë, që tërë sekreti i sëmundjes së gjithkahshme të jetë në atë dhimbje. Me e pasë një shpresë të tillë madhështore te dhimbja, kryqi i ekzistencës… mes dhimbjes dhe sëmundjes. Si me e thënë: po qe se nuk të dhembi, ti s’mund. Si me e pasë për qëllim sëmundjen… për me ekzistu. Si me e pasë një farë detyrimi zanafillor mos mund për me ekzistu. Tërë trupi duhet të dëgjojë gjendjen e vet deri përtej ku s’mundesh me të dhimb aq shumë sa i lipset fisnikërisë së sëmundjes. Trupi të dëgjon ty.

Ti je i detyruar me e lexu prozën me zë të lartë. Jeni ti dhe trupi, krejt vetëm. Letërsia e një bote të mbyllur e ka ngjizur realizmin magjik. Ti je i detyruar me e lexu poezinë me zë të lartë. Jeni ti dhe tjetri, krejt vetëm. Ndrydhja para një bote pa cak e ka shpënë letërsinë drejt surealizmit. Në atë mesqëndron Jusufi.

Toponimi speciale e së mbyllurës në Rrotull – cikli i mbyllur i një bote natyrore me bojë njeriu: “Dhe do të niseshin pas djalit, sikur kjo të kishte ndodhur në Rudinat e Vijujit. Atje jehu i këngës, pasi të ketë marrë njëherë dhenë, s’ka si tretet në largësi, por ngel duke u sjellë e duke e pështjellë nga lëmi në lëmë, nga qileri në qiler, ndër arkat me pajë që bien erë misku, mes gjinjve të valë të çikave dhe pështjellakëve me qenar të bardhë të grave ndër rangë të shtëpisë. Kurse këndej, kënga e Ketës, pasi arriti një herë në veshët e Zonjës së Shaqës, që po milte dhentë në shtrungë, te fëmijët e bunishtës që po mblidhnin boronica në Zheginë, u përplas mbi Gurin e Lëpjetave, nga i cili e mori me rrëmbim Suka dhe ia përcolli, nëpër gryka, qatipit në Bashkinë e Pejës, i cili seç po shënonte diçka në defterin e vet të pluhurosur”.

Nuk ka nyje, breg e thukë, nuk ka moshë e karakter që të mos ketë një emër të përveçëm kategorie. Prej shekujsh koha ka ndalur në emra të pashqyrtueshëm. Emri këtu është pragu i qenies që nuk duhet tejkaluar. Krejt si një rreth i bërë prej pikash ku përplasesh dhe rikthehesh duke ardhur gjithnjë rrotull nga lëmi në lëmë. Duhen shumë përplasje për me kuptu se Peja është një prag që i përket një bote tjetër. E gjithçka duhet të funksionojë mirë, rrotull, asi që zëri të mos e çajë rrethinën për me mbërrit Pejën, për me këput perin, perimetrin. S’mundet. Dhimba duhet thënë asi që të mos e ndëshkojë dhimbjen me një emër të ri, për mos me e këput autoritetin e tmerrshëm të sëmundjes. Avdi Keta është trupi i domosdoshëm i legjendës. Nëse ai nuk vdes, do të duhet ta mbajë pezull mundësinë e saj, pamundësinë e saj. Dhimbja është mbajtja në pezull mes mundjes dhe sëmundjes së legjendës.

Por ja që sëmundja iu diagnostikua me tepri, po sipas mënyrës së vjetër të krijimit, por me tepri. Jo më pak se dragua, jo më lehtë se gjuhëflakë. Quhet Ketë, Avdi Keta. Dhe këtë diagnozë nuk ia përcakton ndonjë mjek, por një nga njerëzit e rrotullisë. Në rrotulli nuk ka mjekë, këta nisin prej Pejës e tutjetej. Në rrotulli nuk ka mjekë, por vetëm profetë. Dhe më pastaj “dhimba që t’apin litarin t’shkosh fill e t’varesh, ndryshe bahesh fli e mjerë paragrafesh”. Dhimba nëpër rrotulli të mjerimit legjendar.

Natyrë legjendare e kategorive që përshkojnë e bien mbi trupa. Kur është Vija, ajo është e ujit, kur fëmijtë janë, ata janë të bunishtës, kur zonja është, ajo është e Shaqës, kur guri është, ai është i lëpjetave. Kënga e Ketës nuk dihet pse shkon e përplaset nëpër këto pasqyra që nuk thonë hiç prej vetes veçse atë që ka ngecur si e thënë për një të lindur të ri, një të sapolindur, një të lindur, nuk dihet hiç se përse, dragua. Duhet të lindë sëmundja për me e thënë dhimbjen. Të gjithë e kanë shpresën se sëmundja e tyre do të lindë te një kërthi, bash me një kërthi. Dhe, kësisoj kjo rrotulli do të thotë e do të ndjejë më në fund dhimbjen e vet. E që këtej do të shpallë haptas se s’mundet më. Se është e sëmurë përfundimisht dhe se është e falshme, e ligjëruar për mos me kry më asnjë provë, për me hesht e për mos me u ndëshku. Rrotullia kërkon ethshëm lavdinë e mjerimit të vet.

Botës së mbyllur i shërben hapja e përtejme, legjenda. Legjenda është i vetmi marifet që e shpëton prej qytetërimit. Për mos me shku në horizontin e abstraktit, zgjidhje është thellësia në një kujtesë pa objekt, e dhimbjeve që nuk e thonë dot sëmundjen e tyre. Je i detyruar ta bësh legjendën tënde, por të kemi bërë të dobët që mos mundesh, që të smundesh.

Makineria e prodhimit të legjendave prodhoi diçka të tepërt, një hero që duhet të bëjë diçka për me meritu shqetësimin që do të sjellë. Nuk ia kishin përcaktuar mirë, krejt mirë, funksionin për me mbledhë boronica. E lanë bëmën e madhe të dragoit mes peizazhit ku e udhëhiqnin bajgat e lopës së tij të vetme, Murra, dhe gjestet e së bukurës së katundit, Kumrie. Në këtë mes, në këtë troshitje, mes dhimbjes së gjëmës së parathënë dhe smundjes së peizazhit ku bredh trupi, Keta vendosi me përdorë bajrakun mitik të Kralit për me mbathë trupin e legjendës së vet.

Në kthim, po i njëjti Ketë mendon se “paskan ndryshuar me kohë” katundarët e tij. “Nuk paska shaka me ta. Si tek austriakët!” Katundarët e vet, por si njerëzit e tutjetej! A mos vallë e kanë përbashku diagnozë e dhimbje?

Dragoit i shkon nami i flakës së pafolur, rapsodit i shkon turpi i bëmës së pabërë. E nëse Dakë Skela ka shku me kohë, Keta është pranë vatrës së dhëndrit të vet e duhet me folë flakë. Një herë e një kohë, mes vdekjes së rapsodit të vet, rapsodit vetanak – sepse gjithkush këtu lind për me e pasë një rapsod të vetin – dhe bëmës që përflitej se Keta duhet ta kryente mbi fatin e katundarëve të vet, ai ishte gjendur pranë së njëjtës vatër. Tashmë ishte hera e dytë. Mjaft janë në rrotullimë dy herë në të njëjtin vend, dy herë në të njëjtën vatër, dy raste për fjalën. Veç rapsodi mund të përsëritet pa fund. Gjëma e fjalëve përkund rastin e gjamës.

Në këtë soj vendi bota takohet si mbretëri ose perandori. Nuk ka takime të urtë e të përditshëm. Rrotullia çahet veç me bujë. Rapsodi punon për me e shpikë heroin e vet, ndërsa ky duhet ta vrasë karadaken e vet se si me e taku madhështinë. Çdo hero duhet ta shpëtojë rapsodin e vet. E aty përmbyset gjithçka. Dhemb e nuk mund me e dit se ç’dhemb. Rapsodi është smundja, dhe heroi është dhimbja. Dhimbja duhet ta shpëtojë smundjen, duhet ta bëjë të vërtetë. Kur s’mundesh je. Descartesi i këtyre trojeve ka zëvendësuar mendjen me mundjen, madje me smundjen.

Rapsodi s’mundet me qenë hero. Dhimbja është heroi vetë. Sëmundja është historiani. Kjo histori e rrotullt nuk përmban fakte, por vetëm fat. Dhe mirë e jep Gërvalla veshin që qëndron para një heroi të papërfund: “Shtinte lesh në vesh, e dëlirte zdralin dhe e hidhte në hi të tangarit”.  Një rapsod i stërkequr e një hero i papërfund vijnë në rrotullinë e një kolektivi rapsodësh të mundshëm. Kjo është skema e përmbysur që mbyllja i propozon historisë.

Mes seksinës dhe Rudinës, si mes thashethemnajës dhe legjendës, vlon ndërgjegja e mbyllur. Mes dy formulave të rënda secila në skaj të vet: “He, vashërinë ta ngrënça!” dhe/ose bajrakun ta rrëmbefsha, peshorja e jetës së cubit dhe komitit e bën ekzistencën e përditshme rrugnajë. Lehtë bie nga krali te bukuroshja. Dhe fati i trimit nuk bën hajër. Dhe trimit, këtij trimi të detyruar për me qenë i tillë, i shkon mendja në strategjinë e sëmundjes: “I shkoi mendja të etohej edhe vetë shumë e shumë e të sëmurej”. Por s’mundet me rrok s’mundjen. “Po për dreq, kurrgjë se kurrgjë: gjallë e shëndoshë!” Trimi rri për varur shëndetit të tij, në rrotullinë apo qerthullinë, ama përkëndej fatit. Si një varkë që s’mundet me dalë prej dhimbjes së valës për me mbërritë Skelën e vet. Për emra ditësh është më mirë të shkojë drejt e tek emrat e stinëve. Katër ditë i mjaftojnë vitit.

Gërvalla na e ka marrë vendimin për ODISEU, Ujiksin e vet: në Vijuj “bredh e bredh kudo e thotë/ e vogël është kjo tokë”. Në Vijuj gjejmë aq shumë shprehje zjarri.  Sepse mes cubit e komitit, tërë jeta njerëzore luan lojën e vet, derisa një ditë të lodhet e të pranojë plakjen, plakjen pa e nxjerrë asnjë sëmundje në pah. Pa e nxjerr fuqinë që shpallet vetëm në pafuqi, në smundësi. Ndërkohë, mes ujit dhe zjarrit punon sinonimia e transhendencës, KULLA. E dimë nga vargje të tjerë të Gërvallës. “Ashtu e lartësuar ajo i bie territ si pirg drite/ me ato shkallë që përherë shpien lartësive”. Në brezni trashëgimia themel ka kralinë e GRUAS, “si grua e bukur fort që askujt s’i takon”. Kumria ka me u martu jashtë qarkut të vet. Kori i grave pas gardhit ia ngrit sëmundjen.  Përposhtë endja mes dhimbjes dhe sëmundjes është përcaktuar po gjetkë: mes gjuhës si s’mundje dhe fjalës si dhimbje: “një himalajë në gjuhë një saharë në fjalë”.

Epistemologjinë e rrotullisë mes dhimbjes dhe sëmundjes vjen dhe e kris jo një mjek çudibërës, por një shkrimtar. Ky është funksioni i shkrimtarit, të dëmtojë pakthyeshëm rrathët e mangësisë së ekzistencës. /Rruga Press

© Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

Rusia kërcënon Ukrainën me luftë

Tensionohet situata në rajonet kufitare të Ukrainës Lindore pasi Rusia ka kërcënuar me ndërhyrje ushtarake për të mbrojtur qytetarët e saj. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov mësohet të ketë thënë se në rast të ndezjes së konfliktit, atëherë Rusia nuk do të qëndrojë duarkryq. Ushtria në Ukrainë i hodhi poshtë […]