Lajme

Gjykata e Posaçme mbyll dyert për gazetarët me pretekstin e masave anti-COVID

Gazetarët e kronikës protestuan të hënën kundër ‘bunkerizimit’ të Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi kjo e fundit nuk i lejoi ata të ndiqnin seancën gjyqësore të radhës me preteksin e një Akti Normativ të qeverisë për masat anti-COVID, që mbetet në fuqi prej marsit 2020.

Sipas gazetarit të A2 CNN, Armand Bajrami, vendimi për mbylljen e seancave gjyqësore për gazetarët është i pakuptimtë, në një kohë kur stadiumet janë të mbushura me tifozë.

“Gazetarët nuk u lejuan të ndjekin një seancë gjyqësore publike me arsyetimin e masave COVID, edhe pse ne ishim 5 gazetarë, të gjithë të vaksinuar,” tha Bajrami për BIRN.

Ndërsa shumë prej masave për parandalimin e pandemisë janë lehtësuar që prej pranverës së vitit të kaluar, akti normativ që përcakton mbylljen e seancave gjyqësore për mediat dhe publikun vazhdon të mbahet në fuqi.

Prej majit të këtij viti, gazetarët e kronikës e kanë kundërshtuar atë përmes ankesave zyrtare në Këshillin e Lartë Gjyqësor, ku kanë kërkuar që të lejohen të jenë të pranishëm në sallë.

Lexo më shumë  S’janë liruar të gjithë shtetasit të Kosovës të ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

Sipas një letërkëmbimi që BIRN e disponon, në proces është përfshirë edhe gjyqtarja për mediat, Saida Dollani, e cila pas një takimi me zv.kryetaren e Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka, ka shprehur angazhimin për lejimin e mediave në sallë.

“…Drejtuesja e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, në kuadër të menaxhimit të përgjithshëm gjyqësor, u angazhua në marrjen e masave për të mundësuar marrjen e lajmit drejtëpërdrejt nga gazetarët në sallat e gjykimit, duke u respektuar rregullat e sigurisë së shëndetit..,” shkruan Dollani në njërin prej emaileve.

Megjithatë, Gjykata e Posaçme nuk i është përmbajtur angazhimit për transparencë, duke ua vështirësuar punën gazetarëve.

“Puna jonë është bërë shumë e vështirë që nga nisja e pandemisë, ne nuk marrim dot informacion për seanca që janë publike,” tha Glidona Daci, gazetare e Klan News.

Lexo më shumë  BE: Serbia shkeli marrëveshjen për liri të lëvizjes, t’i lirojë menjëherë qytetarët e Kosovës

Sipas gazetarit të Fax News, Elvis Myrto, gjykata ndjek standarde të dyfishta dhe e përdor si pretekst aktin normativ anti-Covid.

“Gjykata e Posaçme na ka lejuar të ndjekim çështje që u ka interesuar atyre, siç ishte gjyqi për ish-prokurorin Adriatik Llalla, ku jemi futur 30 veta në një sallë, ndërsa nuk na lejon për çështjet e tjera me justifikimin e aktit normativ,” tha ai.

Gazetarët ngrenë shqetësimin se mbyllja e dyerve nga gjykata cënon punën e tyre dhe informimin e drejtë dhe të paanshëm të publikut.

“Kjo cënon në thelb cilësinë e raportimeve dhe informimin e drejtë dhe të paanshëm të publikut, pasi në seancat me dyer të mbyllura mund të ndodhin një sërë situatash, publikimi i të cilave nuk është në interes të asnjërës prej palëve në gjykim,”përfundoi Bajrami.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *