I. Rusia dhe Serbia autorë të “non pejpërsave” kundër Republikës së Kosovës

user3
0 0
Shpërndaje

Shkruan Shaban Murati te Gazeta Dita mbi çështjen e “non pejpërsave”, që mbas shumë aludimesh dalin të jenë plan i mirëmenduar ruso-serb brenda zyrave në Beograd, kundër Kosovës dhe linjës së dialogut që propozon dhe mbron administrata e presidentit Joe Biden. Më poshtë gjeni pjesën e parë të shkrimit të z. Shaban Murati.

Në diplomaci nuk ka rastësi veprimi apo qëndrimi. Dalja brenda muajit prill e dy “non pejpërve”, (letra jozyrtare) për rivizatimin radikal të kufijve të shteteve në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm që nuk është e rastit, por përbën një fushatë të orkestruar.

Së pari, të dy non-pejpërat kanë objekt rihapjen e konflikteve midis shteteve në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet shkëputjeve apo shkëmbimit të territoreve.

Së dyti, të dy non-pejpërat u publikuan njëri pas tjetrit në Ballkanin Perëndimor ose në ish-Jugosllavi, njëri në Ljubjanë dhe tjetri në Prishtinë.

Së treti, të dy non-pejpërat në mënyrën më të qartë të lexueshme merren me ish-Jugosllavinë dhe fjala “Ballkan apo Ballkan Perëndimor” e përdorur në tonë është një eufemizëm neojugosllav. Në një parametër të përbashkët ato kërkojnë rindezjen nga e para të krizës dhe luftrave në ish-Jugosllavi.

Së katërti, në të dy non-pejpërat kemi si objekt prishjen e shteteve, që dolën nga ish-Jugosllavia, prishjen e shtetit të Bosnje-Hercegovinës, të shtetit të Kosovës, të shtetit të Malit të Zi dhe të shtetit të Maqedonisë së Veriut.

Së pesti, të dy non-pejpërat i kundërvihen në mënyrë flagrante dy parimeve qëndrore të Perëndimit në trajtimin e prishjes së Jugosllavisë.

Parimi i parë është që kufijtë e shteteve, që dolën nga federata Jugosllave, do të jenë kufijtë administrativë, që ata kanë patur në atë federatë. Parimi i dytë perëndimor, i sanksionuar edhe me rezolutë të KS të OKB, është që asnjë nga shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia, pra as Serbia, nuk është trashëgimtare e Federatës Jugosllave, dhe të gjithë ato shtete u pranuan në OKB si shtete të rinj.

Tani non-pejpërat duan të trazojnë ujrat dhe ta kthejnë në gjendjen e luftrave të përgjakshme të viteve 1991-1999 dhe t’i bëjnë çorap shtetet dhe rajonin, duke nxitur shtetet ish-jugosllave që të mos pranojnë kufijtë ekzistues zyrtarë, por të përleshen prapë me njëri-tjetrin.

Së gjashti, megjithëse në mënyrë tinzare iu faturua autorësia e planeve të non-pejpërve qeverisë së Sllovenisë dhe diplomacisë së Gjermanisë dhe të Francës, askush nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej vërejtjes së thjeshtë se përse Gjermania dhe Franca kishin nevojë t’ia çonin në kutinë e postës së mediave periferike të shteteve të vegjël ish-jugosllave idetë e tyre të reja diplomatike dhe nuk gjenin dot media gjermane dhe franceze me qarkullim europian dhe botëror për të lëshuar ballonat e provës.

Veç kësaj, askush nuk ishte në gjendje t’i përgjgjej vërejtjes tjetër të thjeshtë se si ishte e mundur që Gjermania dhe kancelarja e madhe Merkel, kundërshtarët kryesorë të vendosur të idesë serbo-ruse të shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë, dolën tani befas për prishjen e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve në gjithë hapësirat jugosllave.

Pas gjithë këtyre nuk mund të mos shkosh tek udhërrëfimi i vjetër i latinëve të mençur, që e shpjegonin thjesht se për të gjetur rrënjët e një fenomeni apo ngjarje duhet pyetur se kush përfiton. Pra kush përfiton nga një plan diabolik për prishje shtetesh dhe kufijsh në rajon dhe nga grishje të shteteve ballkanike për luftra të marrjes apo të mbrojtjes së territoreve.

E parë në kuadrin e tërësishëm të përpjekjeve, intrigave dhe të prirjeve të hapura dhe subversive, që po zhvillohen në territoret e asaj që dikur quhej “Jugosllavi”, del shumë e qartë se përfituesit e një katrahure të re të përgjakshme në Ballkanin Perëndimor apo në Jugosllavinë e re, do të ishin dy shtete: Rusia dhe Serbia.

Natyrisht bota demokratike dhe shtetet e fuqishme demokratike, SHBA, NATO, BE, etj. kanë potencialet e duhura për të ndalur çdo lloj aventure apo udhëheqës aventurier ballkanik, që do të tentonte ndonjë zbatim sado ëndërrimtar të planeve diabolike të prishjes së shteteve dhe rindezjes së luftrave ish-jugosllave. Por Rusia dhe Serbia synojnë të shkaktojnë trazira me duart e vetë ballkanikoperëndimorëve, ndaj shpërthyen non-pejpërat e zinj njëri pas tjetrit.

Nuk është rasti që pas daljes se dy non-pejpërave presidenti serb Vuçiç u krekos dhe mori guximin në 28 prill t’i dalë hapur kundër qëndrimit të SHBA për njohjen reciproke, duke deklaruar se “Kosova as duhet të ëndërrojë se Serbia do të pranojë njohjen e pavarësisë së saj”. Madje në stilin e megallomanisë millosheviçiane Vuçiç ironizoi faktin që rrjeti i mirënjohur amerikan “Netflix” përfshiu Kosovën në listën e shteteve që përfitojnë shërbimin e tij, dhe iu drejtua Kosovës: “Çfarë ju duhet OKB dhe Interpoli? Shifni filma dhe luani me top”.

Fushata diplomatike e non-pejpërave ka dy qëllime strategjike. Së pari, të prishë klimën dhe orientimin euroatlantik të shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia duke i nxitur ata në makthet nacionaliste dhe mitet folklorike të shteteve të mëdha nëpërmjet prishjes së kufijve dhe grabitjes së territoreve të njëri-tjetrit. Së dyti dhe kryesorja t’i kundërvihen vendimit dhe qëndrimit të qeverisë amerikane të presidentit Xho Bajden për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet njohjes reciproke midis tyre si dy shtete sovrane.

Shkrimin e plotë e lexoni në: http://www.gazetadita.al/kush-fshihet-pas-tyre-dalja-brenda-muajit-prill-e-dy-non-pejperve-per-rivizatimin-radikal-te-kufijve-ne-ballkanin-perendimor-e-rastit-apo-fushate-e-orkestruar/?fbclid=IwAR0wDHJiSGXPThcx5w8qP_r-Xx2hhrqru59x3hKOLm3ulp1RtUJTOYTZ9I0


Next Post

II. "Qendra ballkanike e Rusisë” në Beograd, përpjekje për të sabotuar aksionin diplomatik amerikan për njohje reciproke

ShpërndajeFushata diplomatike e non-pejpërave ka dy qëllime strategjike. Së pari, të prishë klimën dhe orientimin euroatlantik të shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia duke i nxitur ata në makthet nacionaliste dhe mitet folklorike të shteteve të mëdha nëpërmjet prishjes së kufijve dhe grabitjes së territoreve të njëri-tjetrit. Së dyti dhe kryesorja t’i kundërvihen vendimit dhe […]