II. “Qendra ballkanike e Rusisë” në Beograd, përpjekje për të sabotuar aksionin diplomatik amerikan për njohje reciproke

user3
0 0
Shpërndaje
Shkruan Shaban Murati te Gazeta Dita mbi çështjen e “non pejpërsave”, që mbas shumë aludimesh dalin të jenë plan i mirëmenduar ruso-serb brenda zyrave në Beograd, kundër Kosovës dhe linjës së dialogut që propozon dhe mbron administrata e presidentit Joe Biden. Më poshtë gjeni pjesën e dytë të shkrimit të z. Shaban Murati.

Fushata diplomatike e non-pejpërave ka dy qëllime strategjike. Së pari, të prishë klimën dhe orientimin euroatlantik të shteteve që dolën nga ish-Jugosllavia duke i nxitur ata në makthet nacionaliste dhe mitet folklorike të shteteve të mëdha nëpërmjet prishjes së kufijve dhe grabitjes së territoreve të njëri-tjetrit. Së dyti dhe kryesorja t’i kundërvihen vendimit dhe qëndrimit të qeverisë amerikane të presidentit Xho Bajden për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nëpërmjet njohjes reciproke midis tyre si dy shtete sovrane.

Qeveria e re amerikane në vitin 2021 shënoi një kthesë të rëndësishme dhe një kuadrim të ri të dinamikës së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Qeveria e re amerikane përcaktoi vijën e re të “qendërzimit të dialogut Serbi-Kosovë në njohjen reciproke”, çka përbën një revolucion në mendimin diplomatik dhe në zgjidhjen përfundimtare të dialogut, që ka hyrë në dekadën e dytë.

Pas shpalljes se dy non-pejpërave diversivë, në 28 prill zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit Ned Price përsëriti edhe një herë vijën e re të dialogut Serbi-Kosovë, të përcaktuar nga presidenti amerikan Bajden në muajin shkurt të këtij viti dhe nga sekretari amerikan i shtetit Blinken në muajin mars të këtij viti se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës, që zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e BE, duhet të qendërzohet në çështjen e njohjes reciproke midis dy shteteve finje.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit deklaroi se “SHBA janë gati të mbështesin punën për një marrëveshje normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë të qendërzuar në njohjen reciproke”. Është një hartë e qartë diplomatike, e cila ngriti alarme dhe mobilizime shtetërore në Rusi dhe në Serbi. Rusia dhe Serbia janë strategjikisht kundër normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinjë ballkanike nëpërmjet njohjes reciproke.

Rusia dhe Serbia refuzojnë këtë normalizim, sepse të dy shteteve u intereson vazhdimi dhe mbajtja ndezur e konfliktit midis Serbisë dhe Kosovës. Moskës i intereson t’i shtyjë urat e zjarrit të atij konflikti, që i lejon të përdorë Serbinë si instrument të ndërhyrjes dhe të influencës ruse në Ballkanin Perëndimor. Serbisë i intereson ngrirja e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, sepse ajo nuk ka hequr dorë nga plani i madh shovinist serb i rikthimit të hegjemonisë së saj në federatën e re jugosllave, që quhet Ballkan Perëndimor.

Ndaj Rusia dhe Serbia nxitojnë që të krijojnë klima bllokuese dhe stuhi diplomatike zjarrvënëse për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe për gjithë rajonin. Rusia dhe Serbia e ndërmorën këtë fushatë non-pejpërash me një objektiv të qartë të kundërshtimit të aksionit diplomatik dhe kursit të qeverisë së re amerikane për dialogun dhe për Ballkanin.

Në funksion të kësaj strategjie u lëshuan si predha diplomatike njëri pas tjetrit dy non-pejpërat e provokimit diplomatik serbo-rus. SHBA, BE, NATO, Gjermania, Franca dhe shumë shtete të rajonit i hodhën poshtë menjëherë non-pejpërat provokuese, duke i dënuar me terma të ashpra si përpjekje të reja për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet prishjes së shteteve dhe të kufijve. Gjermania dhe Franca, për të cilat u aludua në mënyrë perfide si autorë të non-pejpërit të dytë të Prishtinës, e denoncuan zyrtarisht me shpejtësi si një njoftim të rremë. E përgënjeshtroi edhe qeveria sllovene autorësinë e non-pejpërit të parë. Vetëm Moska nuk i dënoi non-pejpërat, që bëjnë thirrje për prishje shtetesh dhe kufijsh.

Moska nuk i dënoi, sepse për shtetin dhe diplomacinë ruse një zjarr i ri ballkanik është një rast i artë për të dalë Rusia në rol protagonisti në Ballkan dhe për të marrë një copë më të madhe influence, se sa vetëm Serbinë dhe “serpska repubblikën”, që ka tani.

Në kulmin e kësaj fushate diplomatike antiamerikane, antieuropiane dhe antiballkanike, për plane me prishje shtetesh dhe kufijsh, Rusia përuroi në Beograd në 30 prill “Qendrën ballkanike të Rusisë”, si nismë e parlamentit të Rusisë dhe që drejtohet nga Kostantin Zatulin, zëvendëskryetar i parë i Komitetit të Dumës shtetërore ruse për organizatën e “Komonuellthit të shteteve të pavarura”, e krijuar nga Moska me 11 shtete ish-republika të Bashkimit Sovjetik. “Qendra ballkanike e Rusisë” në Beograd është një mekanizëm i ri i diplomacisë dhe shërbimeve sekrete ruse për krijimin e turbullirave të reja në shkallë ballkanike.

Kaq e rëndësishme është për diplomacinë ruse në situatën e tanishme veprimtaria e “Qendrës ballkanike të Rusisë” në Beograd, sa që ministri i jashtëm Sergej Lavrov i dëroi një letër të posaçme përshëndetje themelimit të saj.

Në fjalën e rastit ambasadori rus në Serbi, Aleksandër Bocan-Harçenko, deklaroi se “Qendra ballkanike e Rusisë” në Beograd do t’i japë përgjigje intelektuale dilemave që ngrihen para Serbisë dhe Ballkanit që të jenë me Rusinë apo me BE dhe Perëndimin. Kryetari i bordit të “Qendrës ballkanike të Rusisë” Zatulin doli më hapur për ambiciet e kësaj qendre ballkanike të Rusisë, duke deklaruar se “Serbia ka plagë të pashërueshme lidhur me Kosovën dhe rënien e Jugosllavisë dhe ne kemi histori të ngjashme me rënien e Bashkimit Sovjetik.

Fati i Serbisë varet shumë nga fati i marrëdhënieve me Rusinë”. Formula e përbashkët diplomatike dhe strategjike e trajtimit të humbjes gjeopolitike të Serbisë me rënien e Jugosllavisë dhe të humbjes gjeopolitike të Rusisë me rënien e Bashkimit Sovjetik, është intonim i ri i bashkëpunimit të Rusisë dhe Serbisë në rajonin e Ballkanit. Kjo do të thotë se Serbia, ashtu si Rusia, po kërkon ribërjen e federatës jugosllave, ku Beogradi sundonte me dorë të hekurt.

Se Serbia ashtu si Rusia po synojnë që të rikthejnë në një formë apo tjetër hartat e federatave të mëparshme. Serbia po kërkon ta ribëjë me projektet diplomatike dhe subversive të rikrijimit të Jugosllavisë së vjetër, përfshirë dhe vulëhumburën Shqipëri brenda saj.

Rusia dhe Serbia po intensifikojnë përpjekjet për të sabotuar aksionin diplomatik amerikan të zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen reciproke. SHBA afishuan këtë vijë të rëndësishme diplomatike në prag të rihapjes së dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Shkrimin e plotë e lexoni në: http://www.gazetadita.al/kush-fshihet-pas-tyre-dalja-brenda-muajit-prill-e-dy-non-pejperve-per-rivizatimin-radikal-te-kufijve-ne-ballkanin-perendimor-e-rastit-apo-fushate-e-orkestruar/?fbclid=IwAR0wDHJiSGXPThcx5w8qP_r-Xx2hhrqru59x3hKOLm3ulp1RtUJTOYTZ9I0


Next Post

III. Duhet qendërzim i dialogut në njohjen reciproke midis dy shteteve

ShpërndajeRusia dhe Serbia po intensifikojnë përpjekjet për të sabotuar aksionin diplomatik amerikan të zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen reciproke. SHBA afishuan këtë vijë të rëndësishme diplomatike në prag të rihapjes së dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel. Është një mesazh […]