III. Duhet qendërzim i dialogut në njohjen reciproke midis dy shteteve

user3
0 0
Shpërndaje
Shkruan Shaban Murati te Gazeta Dita mbi çështjen e “non pejpërsave”, që mbas shumë aludimesh dalin të jenë plan i mirëmenduar ruso-serb brenda zyrave në Beograd, kundër Kosovës dhe linjës së dialogut që propozon dhe mbron administrata e presidentit Joe Biden. Më poshtë gjeni pjesën e tretë të shkrimit të z. Shaban Murati.

Rusia dhe Serbia po intensifikojnë përpjekjet për të sabotuar aksionin diplomatik amerikan të zgjidhjes përfundimtare të çeshtjes së normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës me njohjen reciproke. SHBA afishuan këtë vijë të rëndësishme diplomatike në prag të rihapjes së dialogut midis Serbisë dhe Kosovës në Bruksel.

Është një mesazh i madh dhe dritëdhënës për veprimin diplomatik të qeverisë së re të Albin Kurtit. Platforma e re e bisedimeve të kësaj qeverie me qeverinë e Serbisë duhet të ndërtohet mbi bazën e qendrimit amerikan të “qendërzimit të dialogut në njohjen reciproke midis dy shteteve”.

Qeveria e re e Prishtinës duhet të ndahet nga mendjet e mykura neojugosllave të paraardhësve dhe të këshilltarëve jugosllavë, që i vërtiten rreth saj me hashashin e tezave proserbe, që e torolitën dialogun mbi dhjetë vjet në karuzelin serb të çeshtjeve teknike. Jo rastësisht zëdhënësi i departamentit të shtetit Ned Price në 28 prill parashtroi kërkesën që dialogu të trajtojë çështjet politike, ku çeshtja e parë dhe e fundit është njohja reciproke.

E kam theksuar me qindra herë në analizat dhe në librat e mij, qysh kur nisi dialogu e deri më sot, se çështja themelore duhet të jetë njohja reciproke midis dy shteteve dhe pastaj dy shtetet të diskutojnë çeshtjet e hapura midis tyre. Të gjitha tezat serbe, që kanë qarkulluar në Prishtinën politike me gojën e neojugosllavëve shqiptarë, se nuk na duhet njohja,se na duhet vetëm ulsja në OKB, se mund të shkëmbejmë territoret, se mund të shkojmë në KS të OKB, dhe të tjera idiotizma diplomatike antishqiptare, kanë dështuar vetëm nga ndihma e SHBA.

Qeveria e re e Kosovës duhet të qendërzojë dialogun, ashtu siç na mësojnë amerikanët, te njohja reciproke midis dy shteteve. Devijimet e tjera janë në favor të Serbisë dhe nuk i shërbejnë pavarësisë së Kosovës.

Duhet të kujtohet se kjo qe praktika edhe me shtetet e tjera ish-jugosllave, pavarësinë e të cilave refuzonte Serbia ta njihte. U vendos në fillim njohja reciproke si shtete në Dejton dhe pastaj vazhduan palët bisedimet për ndarjen e pasurive jugosllave, për të zhdukurit e luftës, për regjistrat kadastrale, etj.

Prishtina duhet të ketë vetëm një numër telefoni për dialogun, atë të Uashingtonit. E duam shumë dhe e respektojmë BE, por ajo nuk është akoma një numër unik telefoni. Brenda saj ka disa zëra proserbë dhe prorusë. Nuk duhet harruar se dy diplomatët kryesorë të BE, të ngarkuar me dialogun, janë nga dy shtete që nuk e njohin Kosovën.

Nuk del rastësisht provokimi diplomatik i shefit të politikës së jashtme të BE, spanjollit Borrel, i cili diskuton datën e bisedimeve Serbi-Kosovë për 11 maj vetëm me presidentin serb dhe kërkon ta vërë Kosovën në statusin e provincës për të cilën vendos metropoli serb. Qeveria e Prishtinës veproi drejt nga pikpamja diplomatike që nuk pranoi të shkonte në një takim për të cilin as nuk ishte konsultuar dhe as nuk kishte dhënë pëlqimin.

Kosova i ka borxh Amerikës çlirimin e saj dhe pavarësinë e saj. Harta rrugore diplomatike, që duhet të përdorë Kosova duhet të jetë vetëm harta amerikane, pavarësisht se cili është kryeqyteti ku zhvillohen bisedimet.

Shkrimin e plotë e lexoni në: http://www.gazetadita.al/kush-fshihet-pas-tyre-dalja-brenda-muajit-prill-e-dy-non-pejperve-per-rivizatimin-radikal-te-kufijve-ne-ballkanin-perendimor-e-rastit-apo-fushate-e-orkestruar/?fbclid=IwAR0wDHJiSGXPThcx5w8qP_r-Xx2hhrqru59x3hKOLm3ulp1RtUJTOYTZ9I0


Next Post

Nga njëra tezë e Vuçiçit te tjetra, Rama rikthen Minishengenin

ShpërndajeKomisionieri i lartë për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi në konferencën e përbashkët që pati në Rinas, me kryeministrin Edi Rama është pyetur për “Non-Papers”, i cili ka krijuar shqetësim edhe në Bruksel, për një rishikim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Varhelyi tha se këto lajme nuk janë të […]