Incidenti i rëndë diplomatik në mes të Beogradit, Shaban Murati: Përse Serbia po krijon vazhdimisht tensione me Kroacinë: Mendjelehtësi apo strategji?

RrugaPress2
0 0

Nga Shaban Murati

Ka krijuar habi dhe një objekt të ri vëzhgimi dhe analize në qarqet diplomatike rajonale dhe europiane këmbëngulja e Serbisë për të krijuar vazhdimisht tensione me Kroacinë, një shtet anëtar i BE pa votën e të cilit Serbia nuk mund të pranohet në BE. Në datën 22 prill ndodhi një incident i rëndë diplomatik, kur forca të caktuara antikroate hoqën flamurin kroat nga rezidenca zyrtare e ambasadorit të Kroacisë në Beograd. Ministri i jashtëm kroat, Gordan Gërliç Radman, në 23 prill dënoi heqjen e flamurit kroat nga rezidenca diplomatike kroate në Beograd, duke theksuar se incidente të tilla ushqejnë atmosferën e urrejtjes, armiqësisë dhe intolerancës. Ambasadori kroat në Serbi, Hido Bishçeviç, deklaroi se kjo ngjarje nuk është aksidentale dhe shpreh atmosferën e shoqërisë serbe, e cila vazhdon të ushqejë gjuhën e urrejtjes.

Fakti, që guxohet në mes të kryeqytetit të hiqet flamuri i një shteti në rezidencën zyrtare të ambasadorit, flet për një akt të paramenduar qëllimisht për të krijuar tensione në marrëdhëniet midis dy shteteve fqinjë. Është e thjeshtë për të kuptuar se kjo nuk është ngjarje e izoluar, sikurse u përpoq ta justifikonte Ministria e Jashtme e Serbisë, por është pjesë e një zinxhiri të pandërprerë qëndrimesh dhe aktesh antikroate, që flasin për një strategji të planifikuar të Serbisë ndaj shtetit fqinj anëtar të BE dhe të NATO-s.

Në datën 13 prill presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, i tërhoqi vëmendjen Beogradit zyrtar lidhur me një çështje të rëndësishme të pazgjidhur midis dy vendeve siç është ajo e ushtarëve dhe civilëve kroatë, të zhdukur nga forcat ushtarake dhe policore serbe, që ndërmorën agresionin kundër pavarësisë së Kroacisë në vitet 1992-1995. Presidenti shprehu ankesën zyrtare për mungesën e gatishmërisë së Beogradit për zgjidhjen e këtij problemi dhe theksoi se “Ne e dimë që fqinji ynë din dhe duhet të dijë akoma më shumë rreth të zhdukurve nga sa po bën dhe nga sa tregon ai”. Kjo konsiderohet një çështje e pazgjidhur e marrëdhënieve kroato-serbe dhe tepër e ndjeshme e interesit kombëtar të Kroacisë, sepse janë afër dy mijë të zhdukur kroatë nga forcat ushtarake dhe policore të Serbisë gjatë agresionit të saj në vitet 1992-1995. Në të njëjtën kohë  kabineti i presidentit kroat njoftoi në 13 prill se presidenti ka ngritur edhe çështjen e pazgjidhur të padive kundër Serbisë të të burgosurve kroatë në kampet serbe të përqendrimit gjatë luftës dhe kërkesat e kompensimit të tyre.

Serbia po acaron qëllimisht marrëdhëniet edhe për çështjen e minoritetit etnik kroat në Serbi. Në mars të këtij viti Ministria e Jashtme e Kroacisë i dërgoi një letër proteste Ministrisë së Jashtme të Serbisë lidhur me fushatën e kërcënimeve të vazhdueshme të autoriteteve serbe ndaj minoritetit kroat në Serbi. Ministri i jashtëm kroat Radman denoncoi përgjigjen e papërgjegjshme të ministrit të jashtëm serb, Nikolla Selakoviç, për këtë çështje, duke e cilësuar “as europiane dhe as në frymën e fqinjësisë së mirë”. Ministri i jashtëm kroat nënvizoi se minoriteti etnik kroat në Serbi nuk gëzon të njëjtat të drejta si minoriteti serb në Kroaci dhe parashtroi kërkesën që edhe minoriteti kroat të ketë përfaqësuesit e tij në parlamentin serb, siç ka minoriteti serb në Kroaci tre vende të garantuara në parlamentin kroat.

Të gjitha këto veprime dhe qëndrime provokuese të Serbisë në marrëdhëniet me Kroacinë konkretizojnë një kurs të qëllimshëm strategjik serb për të mbajtur në nivel tensioni marrëdhëniet midis dy vendeve. Natyrisht kjo nuk është vetëm çështje e mosrespektimit nga Serbia të parimeve të fqinjësisë së mirë midis dy shteteve. Kjo është në radhë të parë një politikë e jashtme e papërgjegjshme e qeverisë dhe e diplomacisë së Serbisë, që mban në vlim tensionet e shumta të vjetra dhe të reja me një shtet anëtar të BE, i cili ka të drejtën e vetos ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE.

Veprimet provokative të Serbisë ndaj marrëdhënieve dhe interesave të Kroacisë nuk mund të mos kenë ndikimin e tyre në raportet midis dy shteteve. Siç theksoi në 23 prill ministri i jashtëm kroat Radman për shkak të këtyre incidenteve nuk mund të themi që marrëdhëniet tona kanë perspektiva të mira, nuk mund të flasim për një të ardhme të mirë. Moszgjidhja e problemeve të trashëguara nga e kaluara apo të krijuara sot nga politika provokative serbe nuk mund të mos merren në konsideratë nga shteti dhe nga diplomacia kroate në formulimin e vlerësimeve të tyre ndaj kapaciteteve juridike, politike dhe diplomatike të Serbisë për t’u kualifikuar si e pjekur për anëtarësim në BE.  Ministri i jashtëm kroat Radman e përkufizoi qartë dhe pa ekuivok në 23 prill se “Rruga e Serbisë për në BE kalon nga Kroacia”. Me të drejtë Zagrebi vendos kushtin që Beogradi të zgjidhë çështjet e hapura dhe të pazgjidhura me Kroacinë përpara se të anëtarësohet në BE. Madje normalizimi i marrëdhënieve me shtetet fqinjë është një nga kushtet kryesore të Traktatit të pranimit në BE, që duhet të plotësojë Serbia.

Padyshim që Serbia, qeveria dhe diplomacia serbe, e kanë të qartë se pa konsensusin e Kroacisë nuk mund të anëtarësohen në BE. Nuk mendohet se Serbia e ndjek nga mendjelehtësia këtë politike alogjike të ngritjes së tensioneve me shtetin anëtar të BE, Kroacinë. Ndaj lind një pyetje e karakterit strategjik: Përse Serbia në mënyrë të qëllimshme po zbaton linjën e krijimit të tensioneve të reja dhe të acarimit të tensioneve të vjetra me Kroacinë, megjithëse e di që përpara ka veton e Zagrebit nëse vazhdon në këtë rrugë të gabuar?

Përgjigja e parë është se Serbia e presidentit Aleksandër Vuçiç, ish-ministër i kabinetit të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviç, vazhdon ta konsiderojë Kroacinë me të njëjtin këndvështrim politik megalloman dhe me të njëjtën strategji armiqësore etnike dhe fetare si në kohën e agresionit të Serbisë kundër Kroacisë në vitet 1992-1995. Serbia vazhdon që të ketë përsëri rivendikime territoriale ndaj Kroacisë, rivendikime të projektit të “Serbisë së Madhe” nga të cilat Beogradi nuk ka hequr dorë, por i shpreh herë pas here në një mënyrë apo tjetër. Nuk ishte i rastit skandali diplomatik me Kroacinë, që krijoi delegacioni shtetëror i Ministrisë serbe të administratës shtetërore dhe të pushtetit lokal, i kryesuar nga sekretari i shtetit i asaj ministrie, kur gjatë një vizite në muajin janar të këtij viti në qytetin kroat të Kninit, nëpërmjet një anëtari të delegacionit shtetëror serb publikoi dhe shpërndau me video rivendikimin se qyteti kroat i Kninit “është qytet i okupuar serb” dhe shprehu shpresën se “flamuri serb do të valëvitet mbi këtë qytet”. Në 29 janar 2021 Kroacia protestoi ashpër ndaj Serbisë për këtë rivendikim territorial, duke paraqitur kërkesën që Beogradi ta përgënjeshtrojë këtë rivendikim territorial dhe të kërkojë falje. Në datën 1 prill Kroacia paditi për krime lufte ish-komandantin serb të korpusit të 7 të ushtrisë së të ashtuquajturës “republikë e Krajinës”, e krijuar nga Serbia në territorin kroat në fillim të agresionit serb kundër Kroacisë. Sipas mediave, ky kriminel lufte fshihet në Serbi dhe mbrohet nga shteti serb.

Përgjigja e dytë për vijën e planifikuar serbe të tensioneve me Kroacinë me sa duket është zhvillimi i ri që Serbia nuk e ka më prioritet anëtarësimin e saj në BE. Në datën 23 prill nënpresidenti i “Lëvizjes Europiane në Serbi”, Vladimir Medjak, deklaroi në portalin serb “europeanwesternbalkans” se “Integrimi europian nuk është një prioritet i qeverisë së Serbisë”. Në funksion të këtij orientimi të ri të tërheqjes faktike nga integrimi europian qeveria dhe diplomacia serbe po krijojnë pretekste për pengesa në rrugën e anëtarësimit të vetes në BE. Kështu shpjegohet intransigjenca e intensifikuar e Serbisë në çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, njohja e së cilës është kusht i BE për Serbinë që të anëtarësohet në BE.  Kështu shpjegohet edhe kursi strategjik serb i acarimit në ngritje të tensioneve me Kroacinë. Në një stil karamboli diplomatik Serbia provokon dhe krijon acarime dhe tensione të reja e të vjetra me Kroacinë, që ta detyrojë Zagrebin t’i drejtohet të drejtës së tij për vendosjen e vetos ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE.

Serbia, shtet kandidat për në BE, qëllimisht nuk ka plotësuar një pjesë të mirë të kushteve dhe të parametrave, që kërkon Traktati i pranimit në BE në kapitujt e tij të shumtë. Serbia ka keqpërdorur si mbulesë indulgjencat e pamerituara, që Brukseli i ka darovitur asaj në avancimin e integrimit europian. Duhet të rikujtojmë se Serbia nuk është përputhur me qëndrimet dhe interesat e BE në pothuajse të gjitha çështjet strategjike të politikës së jashtme të BE, siç janë sanksionet e BE ndaj Rusisë për agresionin rus në Ukrainë, ku Beogradi nuk është bashkuar me BE, por i ka dënuar sanksionet. Serbia nuk është bashkuar me vendimin e BE për dënimin e diplomatëve ruse nga vendet e BE për shkak të agresivitetit rus ndaj vendeve të BE. Serbia nuk është bashkuar me politikën e BE për Ukrainën dhe nuk e ka dënuar aneksimin e dhunshëm rus të Krimesë dhe as separatizmin prorus të organizuar nga Moska në pjesën lindore të Ukrainës. Pas agresionit rus në Ukrainë Serbia  me nxitjen dhe financimin e Moskës i ka hyrë një spiraleje të ethshme armatimesh me armë të sofistikuara ruse, me synimin e hapur të kërcënimit dhe përgatitjeve ushtarake ndaj Kroacisë dhe Kosovës.

Përgjigja e tretë për kursin serb të tensioneve në rritje me Kroacinë është se acarimet dhe agresiviteti politik e diplomatik i Serbisë ndaj Kroacisë përbën një interes të Rusisë, strategjia e së cilës është që Serbia të mos bëhet anëtare e organizatës perëndimore të BE. Rusisë i intereson që Serbia të lidhet gjithnjë më ngushtë me Moskën dhe të shërbejë si gjenerator i tensioneve ruse me shtetet e NATO-s në Ballkan. Interesi rus është që Serbia të vazhdojë të qandrojë anëtare e organizatës së “Unionit Ekonomik Euroaziatik”, të krijuar nga Rusia. Nëse Serbia anëtarësohet në BE, ajo automatikisht është e detyruar të ikë nga organizata ruse e “Unionit Ekonomik Euroaziatik”.

Politika, që po ndjek qeveria dhe diplomacia serbe për tensione të vazhdueshme në rajon, tërheq vëmendjen se tehun e saj e ka ndaj shteteve anëtare të NATO-s në rajon. Nuk është rastësi që kemi pareshtur acarime të marrëdhënieve të Serbisë me Kroacinë dhe me Malin e Zi si anëtarë të NATO-s, ashtu dhe me shtete të tjera që aspirojnë për në NATO si Bosnje-Hercegovina dhe Kosova. Demonstrohet kështu një rol destabilizues në rritje i Serbisë në rajon si kundërvënie ndaj arkitekturës atlantike të sigurisë në Ballkan. Në shkëmbim të këtij roli Serbisë i është premtuar nga Rusia hegjemonia në ish-Jugosllavi, e cila sot ka emrin “Ballkan Perëndimor”. Presidenti i Serbisë Vuçiç në 15 shkurt 2021 në Beograd, në prani të zëvendëskryeministrit rus, foli publikisht për planin e tij të “Serbisë së Madhe”. Nuk u ndje kush në Bruksel, që të dënonte këtë rivendikim rajonal të Serbisë, që vjen era luftë. Acarimet dhe provokimet e rregullta të Serbisë ndaj Kroacisë, shtet anëtar i BE dhe i NATO-s, kanë efekte negative destabilizuese në vendet e rajonit dhe në kursin e tyre të integrimit europian. Politika e indulgjencave të pamerituara, që BE ka ndjekur ndaj integrimit europian të Serbisë, jo vetëm doli e paefektshme, por po bëhet e rrezikshme.

Agresiviteti në rritje i Serbisë ndaj Kroacisë, ndërhyrjet flagrante të Serbisë në punët e brendshme të Malit të Zi, kërcënimet e përditshme të Serbisë ndaj pavarësisë së Kosovës, duhet të shkundin nga qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë pluhurin narkotik të projekteve serbe të tipit të “mini Shengenit”, që sanksionojnë hegjemoninë serbe në Ballkanin Perëndimor ose në ish-Jugosllavi plus Shqipërinë. Shqipëria dhe Kosova duhet të marrin shembull nga Kroacia se si mbrohen interesat shtetërore dhe kombëtare përballë një Serbie agresive dhe recidiviste.  Përrallat serbe për të bërë ripajtimin në Ballkanin Perëndimor duke harruar agresionet e përgjakshme, që Serbia shkaktoi ndaj popujve joserbë, dhe pa dhënë llogari dhe pa paguar për to, janë përpjekje për amnistimin e krimeve të saj shtetërore dhe një leje për t’i përsëritur ato.

Shqipëria dhe Kosova nuk mund dhe nuk duhet flasin për normalizim real të marrëdhënieve të tyre me Serbinë pa pastruar llogaritë me Beogradin për gjenocidin serb mbi Kosovën. Merrni shembull nga Kroacia se si duhet të sillet një shtet dinjitoz.

Burimi dita.al


OPINION & AKTUALITET:

Next Post

Hagë/ Apeli refuzon kërkesën e krerëve të UÇK-së për mbrojtje në liri

Paneli i Gjykatës së Apelit në Gjykatën Speciale, ka refuzuar sot kërkesën për mbrojtje në gjendje të lirë të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët akuzohen për krime në luftën e Kosovës për liri. Ky panel nuk ka marrë në konsideratë argumentet e ofruara nga […]