Integrimi në Evropë, emancipim i Evropës

RrugaPress2
6 0
Shpërndaje

 Nga Elvis Hoxha

Një Bashkim Evropian në përputhje me amerikanët dhe jo me Rusinë, do ta kuptonte krejtësisht ndryshe integrimin e Serbisë në gjirin e saj. Ajo më së paku do të vendoste para vetes disa kushte që kanë vlerën e parimeve. Dhe këto parime dalin prej vetë logjikës së demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Nëse Evropa është kontinent i vlerave, duhet patjetër të shtrojë kushte para Serbisë, të cilat nuk mund të reduktohen thjesht në njohjen e Kosovës: 

  1. Ajo do të kërkonte nga Serbia të hiqte dorë prej ligjëratës që stigmatizon fqinjët e saj. 
  2. Të pastronte trupin e saj prej varrezave masive, përndryshe këto varreza masive do të ishin pjesë e trupit të Evropës së Bashkuar në rast integrimi. Varrezat mund të shndërroheshin lehtë nga fakt i gjenocidit në pikë turistike për të gjithë negacionistët e shquar të holokausteve. 
  3. Të kërkojë që Serbia të zbulojë fatin e atyre që aparati i saj gjenocidal ka zhdukur, qoftë shqiptarë të Kosovës apo muslimanë të Bosnjë-Herzegovinës. Përndryshe, integrimi i Serbisë do të ishte edhe integrimi i të zhdukurve. 
  4. Të kërkojë nga Serbia mendimin e një plani reparacioni për krimet që ka kryer në Kroaci, Bosnjë-Herzegovinë dhe Kosovë. 
  5. Serbia duhet të dorëzojë vetë tërë listat me emrat që kanë porositur, organizuar dhe komanduar masakrat. 
  6. Serbia duhet të lejojë kalimin e pasurive që u takojnë si trashëgimi shteteve të tjerë të dalë prej ish-Jugosllavisë. 
  7. T’i kërkojë Serbisë mos të ndajë më vlerësime publike personave, të cilitdo status, që kanë mbështetur dhe glorifikuar regjimin e Milosheviçit. 

Natyrisht që ka edhe kërkesa të tjera, të cilët të mençurit e Evropës i gjejnë vetë. Evropës nuk i vlen më t’i bëjë dhurata një të dashure që dashuron dikë tjetër. Çdo marifet i vendeve lindore të Evropës që janë më afër vlerave ksenofobe dhe qëndrimeve ruse, e dobëson Evropën. Si një prej dy shteteve më të fuqishëm sot në Evropë, dhe prej të cilit kërkohet një natyrë parimore më e lartë, le të marrim rastin e Francës: 

  1. Presidenti Macron nuk është i kënaqur me zgjerimet e fundit, ndaj dhe ka kërkuar që të mos ketë një herë për një herë zgjerim tjetër. Por vetë Macroni nuk ka hezituar të mbajë një fjalim të dashur në Beograd, edhe pse në Serbi nuk janë zbuluar ende tërë varrezat masive.  
  2. Presidenti Macron ka bërë shumë përpjekje për të njohur pjesëmarrjet e Francës në krime kundër njerëzimit si dhe në gjenocide. Akti më i fundit është ai për Rwandën. Por, për të njëjtin president Macron, viktimat nuk i përkasin të njëjtës rëndësi e interes. Ka viktima që nuk hapin shumë punë, siç ka viktima që hapin probleme.  
  3. Presidenti Macron duhet të kuptojë dallimin kryesor mes tij dhe Vuçiçit. Macroni është i përkohshëm si president i Republikës Franceze, ndërsa Vuçiçi (si dhe krerë të tjerë të Serbisë) është aty si vazhdim afatgjatë dhe përjetësim i politikës së Milosheviçit. Kur e përkohëshmja e Evropës demokratike përligj përjetësinë e një shteti gjenocidal, atëherë nuk duhet vënë dyshimi mbi natyrën gjenocidale të këtij të dytit, por mbi natyrën demokratike të së parës. 
  4. Presidenti Macron ndoshta në kushtet e pandemisë nuk ia jep dorën udhëheqësit serb. Por ama po flet me një njeri që ka deklaruar në parlament hapur natyrën e vet prej partizani të gjenocidit. Fraza e Vuçiçit nuk mund të harrohet: për një serb do të vrasim 100 muslimanë. 
  5. Presidenti Macron duhet të ndjejë se nuk mund t’u japë dorën viktimave. Viktimat kanë vdekur dhe të zhdukurit nuk e dimë a janë gjallë e ku janë. Por kjo nuk përbën arsye t’i japë dorën atij që ka bërë të mundur të popullohet ky rajon me viktima dhe masakra, me varreza masive dhe të zhdukur. 

Qëllimi i Evropës, nëse ekziston  një e tillë, është të na integrojë në të drejtë e në dinjitet, e jo në përlyerje me krimin kundër njerëzimit. Integrimet evropiane janë emancipim edhe për vendet që integrohen në të, por edhe për vetë Bashkimin Evropian. 


TË TJERA EDITORIALE NGA RRUGA PRESS:

Next Post

Pesë ndryshimet që UEFA bëri para nisjes së Euro 2020

ShpërndajeUEFA ka bërë disa ndryshime jo edhe aq të vogla për të ndihmuar ekipet kombëtare për Kampionatin Evropian që do të zhvillohet këtë muaj. Kanë mbetur vetëm edhe nëntë ditë deri në nisjen zyrtare të ‘Euro 2020’ dhe ekipet kombëtaret tashmë kanë bërë përgatitjet e fundit. Megjithatë, ishte UEFA e […]