Komisionerja e BE thirrje për “kandidatë me integritet”, çfarë diskutoi me Ramën e Bashën

user3
0 0

Rreth dy javë nga skadimi i afatit për partitë politike për të regjistruar kandidatët për deputetë ka ardhur një paralajmërim i fortë edhe nga Bashkimi Europian.

Komisionerja për Punët e Brendshme në BE, Ylva Johansson, zhvilloi një takim në Shqipëri me drejtuesit kryesorë politikë në vend ku edhe u kërkoi partive politike që të vendosin në listë kandidatë me integritet. “Shqipëria po u afrohet zgjedhjeve dhe të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë që të kenë integritet të kandidatëve në lista. Ky ka qenë një takim vërtet shumë i mirë dhe jam këtu për t’iu uruar për këtë progres, por sigurisht që akoma më shumë duhet bërë”, tha Komisionerja europiane.

Ajo u takua fillimisht me Kryeministrin Edi Rama, me të cilin ishte planifikuar edhe një deklaratë e përbashkët pas takimit, por që në fakt deklarata u bë pa prezencën e kreut të qeverisëm por ishte kryenegociatori Zef Mazi ai që zbuloi detaje nga takimi i kreut të qeverisë dhe Komisioneres.

“Sot Kryeministri pati kënaqësi që të presë në një takim Komisioneren për Çështjet e Brendshme në BE, zonjën Johansson, me të cilën pati një diskutim të hapur mbi bashkëpunimin tonë të deritanishëm me BE-në, rreth gjithë gamës së çështjeve që përfshirin tematika e çështjeve të brendshme.

Çështjet që diskutuan Kryeministri me Komisioneren kanë ndikim në përparim tonë përpara. Kryeministri dhe Komisonerja ranë dakord se bashkëpunimi i ngushtë mes Shqipërisë dhe BE-së bazohet jo vetëm te vlerat e përbashkëta që ndajnë, por tek interesi ynë i ndërsjellë për më shumë siguri për qytetarët tanë”, tha Mazi teksa bëri me dije se Kryeministri Rama i ka kujtuar Komisioneres edhe arritjet e qeverisë. Ndërkohë Komisionerja për Punët e Brendshme theksoi nevojën e një bashkëpunimi më të mirë policor dhe një zbulim të krimit në kufijtë tanë.

“Shqipëria dhe BE-ja kanë një bashkëpunim me të gjitha agjencitë në fushën e drejtësisë dhe çështjeve të brendshme. Është një model që duam ta përsërisim në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Jam po kështu e kënaqur që reforma të mëdha në vend, si Reforma në Drejtësi, ligji i azilit që Shqipëria ka mundur të miratojë. Sigurisht që ka shumë fusha për përmirësim. Për shembull, problemi me kërkesat e pabazuara për azil në disa nga shtetet anëtare të BE-së. Është e rëndësishme të vazhdohen reformat në këtë drejtim, për sundimin e ligjit dhe për të pasur këtë bashkëpunim të mirë”, tha Johansson.

TAKIMI ME BASHËN

Po ashtu, Komisionerja Johansson pati një takim edhe me kryedemokratin Lulzim Basha. Në përfundim të takimit kryedemokrati Basha tregoi për mediat zotimet që i kishte dhënë Komisioneres së Punëve të Brendshme në BE. “Në veçanti e njoha me planin tonë antimafia dhe vullnetin politik për ta zbatuar atë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Tani është detyra e qeverisë që do të dalë pas 25 prillit dhe vullneti im politik që ta drejtoj atë qeveri drejt përmbushjes së kushteve për të hapur negociatat në mënyrë që Shqipëria dhe shqiptarët të fitojnë të tjera të mira materiale dhe jomateriale që do të vijnë nga procesi i integrimit të vendit. Angazhimi për t’i përmbushur këto kushte do të sjellë një përmirësim real në jetën e shqiptarëve”, deklaroi kreu i PD-së Basha. /Panorama

Next Post

Protestë në Kumanovë “Drejtësi për Almirin”

Për sot janë paralajmëruar protesta kundër vendimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, e cila ka urdhëruar që babai i Almir Aliut, 4-vjeçarit që u shkel për vdekje me makinë nga Boban Iliqi në korrik të vitit 2016 të paraqitet në burg më 1 mars. Sipas vendimit të gjykatës, babai i […]