Kroacia akuzon ish-luftëtarët serbë për vrasje të reporterëve rusë të luftës

RrugaPress2
0 0

Tre dekada pasi reporterët rusë Viktor Nogin dhe Gennadiy Kurinnoy u qëlluan për vdekje gjatë luftës në Kroaci, dy anëtarë pa emër të një njësie speciale serbe të policisë rebele janë akuzuar për vrasjen e tyre.

Policia kroate tha të martën se ata kanë ngritur akuza kundër dy burrave, anëtarë të një njësie speciale policore të Rajonit Autonom të Krajinës Serbe, një shtet rebel serb i kohës së luftës në Kroaci, për vrasjen e reporterëve rusë Viktor Nogin dhe Gennadiy Kurinnoy në shtator 1991.

Të dy të dyshuarit ishin të moshës 26 dhe 33 vjeçare kur qëlluan dy rusët pranë qytetit Hrvatska Kostajnica në rajonin e Banijas të Kroacisë qendrore më 1 shtator 1991, zbuloi hetimi i policisë. Asnjë nga të dyshuarit nuk është në Kroaci dhe në dispozicion të autoriteteve.

Nogin dhe Kurinnoy, të cilët ishin reporterë me përvojë që punonin për Kompaninë Shtetërore të Televizionit dhe Radios të Rusisë, po kalonin me makinë nëpër rajonin e Banijas, i cili në atë kohë ishte në epiqendrën e luftës, me trupa të ndryshme kroate dhe serbe dhe njësi paraushtarake që mbante fshatrat dhe kishte nën kontroll rrugët.

Një grup anëtarësh të një njësie speciale policore të Rajonit Autonom të Krajinës Serbe, përfshirë dy të dyshuarit, kishin pushtuar zonën përreth qytetit të Hrvatska Kostajnicas.

“Në momentin kur automjeti privat me targa diplomatike erdhi nga drejtimi i Hrvatska Kostajnicas, grupi hapi zjarr ndaj automjetit me pushkë”, tha një deklaratë e policisë.

Ndërsa makina ndaloi, policët special iu afruan gazetarëve, të cilët ishin plagosur.

I dyshuari që ishte 26 vjeç në atë kohë “ishte ndër të parët që arriti” dhe kërkoi që rusët të tregonin dokumentet e tyre të identitetit, përfshirë pasaportat dhe kartat e shtypit. Ai më pas qëlloi dhe vrau të dy gazetarët.

Vrasja u dëshmua nga shumica e anëtarëve të grupit të njësisë speciale, duke përfshirë të dyshuarin e atëhershëm 33-vjeçar, i cili ishte në komandë gjatë incidentit.

“Edhe pse i dyshuari i atëhershëm 33-vjeçar, si komandanti aktual në terren, ishte i detyruar ta ndalonte 26-vjeçarin e atëhershëm, ai nuk bëri asgjë, por së bashku me anëtarët e grupit dhe 26-vjeçarin, ndërmori disa veprime për të mbuluar rrethanat e këtij krimi”, tha policia.

Ata thanë se policët special morën pajisjet gazetareske të viktimave, i vunë zjarrin makinës së tyre dhe më vonë i çuan rrënojat e djegura së bashku me eshtrat e gazetarëve të vrarë në një vend përgjatë shtratit të lumit Sunja në fshatin Donji Kukuruzari.

“Mbeturinat e makinës u gjetën në 1992, ndërsa eshtrat e gazetarëve të vrarë nuk janë gjetur deri më sot dhe ata janë ende të listuara si të zhdukur”, tha policia.

Autoritetet kroate, serbe, boshnjake dhe ruse bashkëpunuan në hetimin e çështjes, por e vërteta rreth vrasjeve të burrave është mbështjellë me mister për tre dekada, me autoritetet kroate dhe serbe që fajësojnë njëra-tjetrën për vdekjet e tyre.

Gazetari dhe profesori universitar rus Vladimir Mukusev gjithashtu u përpoq të hedhë dritë mbi atë që ndodhi me hetimin e tij të gjatë dhe botoi një libër në lidhje me rastin në 2011, me titull “Dosja e Zezë”.

Në mars 2017, presidenti rus Vladimir Putin i dha pas vdekjes Nogin dhe Kurinnoy Urdhrin e Guximit të vendit.birn

Rruga Press

Next Post

Osmani: Presim që certifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejt

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka thënë se presin që certifikimi i rezultateve të ndodhë sa më shpejtë dhe të respektohen të gjitha procedurat ligjore në këtë proces, në mënyrë që konstituimi i institucioneve të ndodhë sa më parë. Ajo ka thënë se […]