Lindur në Tiranë më… Tashmë në rrugën Torino-Prishtinë 13-15 shkurt 2021

User1
2 0

Shkuan Erald Korra

Entuziazmi i javëve të fundit i diasporës në Itali është fruti i një ndërgjegjie kolektive që piqej në një pritshmëri të gjatë e të vetmuar individuale. Kjo ishte e dhëna e para ca kohëve nga harresa e qëllimshme e një pakice nga vendi amë.

Konfuzionit fillestar që solli shpallja e votimeve iu vu përballë mobilizimi total i aktivistëve bashkë me grupin e punës së Qendrës në Itali. Këta dy elementë ishin struktura dhe motorri. U desh vetëm pak që të kuptohej se optimizmi fillestar duhej të kuantifikohej, të shprehej me numra. Dhe vërtetë u shpreh në numra. Por entuziazmi mendohet naivisht se mund të përcaktohet me përqindje. Në realitet dhe tani që fitorja u shpall, ne jemi në gjendje vetëm t’jua përshkruajmë.

Konfuzioni i parë u ndoq nga ndërgjegjësimi, pa u identifikuar me realizimin e një ambicjeje të thjeshtë elektorale. Ne ishim pjesë e një projekti afatgjatë. Ende tani nuk e dimë sa te thella janë rrënjët e frymës
që na mbartte nëpër rrugët e Italisë. Sa më shumë frymëzoheshim individualisht, aq më tepër depërtonim në të shkuarën tonë.

Rrugës u vetëdijësuam që përqindjet e sondazheve duhet t’i injoronim, dhe të përqëndroheshim tek puna e milingonave. Sa më e padukshme do ishte puna jonë, aq më i madh do të rezultonte anonimiteti i fitores, aq më e pakthyeshme fitorja. Sondazhet fotografojnë momentin, mllefin, shpresën, por kurrësesi mundin, lodhjen, vetminë. Sondazhet janë ushqim për analistët, kurse përkrahja është frymë dhe jetë për vullnetarët.

Jemi të gjithë pa emër, por të gjithë në lëvizje.

Patëm mundësinë t’i kthenim borxhin aktivistëve që kanë qenë aty që në fillesë. Sepse ata na mundësuan në të tashmen të jepnim edhe ne ndihmesën tonë. Ne u nënshkruam sadopak në planin e mobilizimeve të hershme ku çështja e një populli dhe përkatësia e një kombi merrnin fuqinë e amanetit.

Kjo ishte ngjarje. E ashtu si në rrëfimet e ngjarjeve të mëdha, ne kuptuam ato kohë kur veçantia bënte që të shiheshim si vëllezër dhe motra. Si të kuptohet kjo vëllazëri e madhe? Personi para nesh, në atë çast dhe në vend ishte gjithmonë ai apo ajo ku do të gjenim frymëzim për të shkuar më tej. Tjetri ekzistonte për ne. Kjo ishte ngjarja e përjetur në mërgatën shqiptare të Italisë. Dhe ky është sekreti dhe fryma që dominon në Lëvizjen Vetvëvendosje!

Çdokush nga ne është votuesi dhe ambasadori, stafeta dhe shembulli i prekshëm për cilindo që zgjedh të mos jetë më spektator. Sepse në të vërtetë mund edhe të mbeteshim vetëm spektator. Por ne zbuluam, apo unë zbulova se në një Lëvizje e tërë përbëhej nga aktorët që para se të ishin aktorë ishin dëshmitarë. Ajo çka na dëshmuan ishte VETËVENDOSJE.

E si mund të qëndrosh indiferent kur vullneti individual i të paktëve të mërgatës, me këmbëngulje vite më parë në Gjermani dhe Zvicër, sot na mundëson zgjimin kombëtar. Shqipatrë që rigjejnë njëri-tjetrin
dhe historinë e tyre në bërje duke përshkuar rrugët e gjata të Italisë, duke bërë takime të shpejtë nëpër autogrilat mu në periudhë pandemie. Çfarë rëndësie ka se ne quheshim Sabile o Salih, Arta ose Bekim, Nasuf, Lulzim apo Driton; fitorja erdhi dhe pa ia ditur emrat mirë njëri-tjetrit, pa patur kohë të dëgjonim hallet e njëri-tjetrit. NE ishim thirrur të ndiqnim vetëm vektorët e asaj fryme që quhet bashkim kombëtar.

Dhe ky ishte rasti, kjo ishte ngjarja që çdoherë na provokon të gjithëve vëllazërinë në emër të njëpërkatësie që i ka rrënjët në të shkuarën dhe që punohet në të tashmen.

Ata janë në mërgatë bashkë me frymën. Mërgata trashëgon intensivisht frymën. Mërgata jonë është trashëgimtare e historisë.Historia e trishtë e kombit kërkoi tribute të madh flijimi. Heronjtë kurrë nuk munguan. Ata ishin kurbani i përçimit të mesazhit. Vetëmohimi i tyre ishte vetë lënda e mesazhit.

Shtendërtimi ynë është i tradhtuar sepse këto vlera të fshehura në çdo njeri, por të përbashkëta për të gjithë, në trojet tona fatkeqësisht u uzurpuan nga njerëz pa vlera. Fryma u rrënua në forma zyrtare, ndërsa mërgata e mbante gjallë. Fryma kolektive për vetëvendosje nuk u përcoll por u shpërdorua, u sabotua, u përdhos. Mërgata, secili anëtar i saj, në vetmi e individualisht e kërkoi dhe e ringriti. “Kur kam nevojë për t’u qetësuar dhe për t’u frymëzuar unë shkoj në Prekaz”, më tha një nga aktivistët në Itali,
biri i një veterani lufte, vetë ky bir i patriotizmit të Kosovës, trashëgimtar i aspiratës kombëtare.

Secili nga ne ka Prekazin e tij, prandaj jemi këtu, që mos kemi Prekaz tjetër. Jemi këtu që persona me vlera mos t’i lemë më as vetëm dhe as t’i sakrifikojmë, por t’i përdorim si aktorë e dëshmitarë, në më të hijshmen e vlerave kombëtare që duhet t’u trashëgojmë bijve tanë.

Por nuk kuptuam këtë, nuk do të kuptojmë emocionet, përqafimet dhe premtimet që këto javë përjetuam. Dhe sado të përpiqem, kurrë nuk mund t’jua them entuziazmin që mbart fryma. Kurrë nuk do t’jua përkufizoja fjalën FRYMË, po të mos e kisha provuar unë vetë më parë.

Kur dikujt ja ke dëgjuar zërin vetëm në bisedë telefonike, kur i njeh veç zërin, por kur takohesh të përqafon, përlotet dhe me pas fillon të të flasë, do të thotë që paska patur mall për ty pa të njohur. Madje nuk paska qenë mall për ty, por për veten, për vendin, për historinë e tij. Ti je bërë dëshmia dhe
aktori i historisë së tij.

Eh pra, fryma qenka jetë: ne qenkemi më të bashkuar se sa mendojmë. Ne qenkemi dëshmitarët më të zellshëm të vlerave që vetvetiu trashëguam.

Tani duhet të bashkohemi dhe të organizohemi që nga votues të bëhemi komunitet, aktorët e një ndryshimit ku historia po na sprovon. Sprova është e thjeshtë: si e sa jemi trashëgimtarë.

Prandaj jua them me vendosmëri që 14 Shkurti në Kosovë ishte fillimi i madh, 25 Prilli në Shqipëri nuk do të jetë më formalitet, por shpallja e një pikëpyetje të madhe.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

Regjisori Gurakuqi denoncon shkatërrimin e skenografive të Teatrit të Operas dhe Baletit

Regjisori Nikolin Gurakuqi i ka drejtuar një letër ministres së Kulturës, Elva Margariti, ku denoncon disa shkelje që sipas tij janë bërë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit nga drejtoresha Zana Çela. Përmes letrës, Gurakuqi i kërkon ministres ngritjen e një komisioni për të verifikuar nëse logoja e re e TKOBS-së […]