Mandati si mospërfaqësim

RrugaPress2
1 0

Shkruan Klejd Këlliçi

Shkruante Montanelli dikur ‘Turarsi il naso e votare DC’, e perifrazuar do të thotë, mbaj frymën dhe voto Demokracinë Kristiane. Ishte Lufta e Ftohtë, e në Itali ajo zhvillohej në terrenin e politikës kombëtare, me përballjen e Demokracisë Kristiane dhe Partisë Komuniste. Lufta e Ftohtë mbaroi, e italianët u lodhën së mbajturi frymën për të votuar Demokracinë Kristiane. Në Shqipëri mbajtja e frymës është kthyer në rrezik asfiksie, gati kalim në gjendje kome, Për shumë kjo është historia e për disa shpresa e vetme që i mban në këmbë në letargjinë tetëvjeçare që kap forcat politike. Me rregull treshi shumë kush ka kuptuar atë që quhet logjika e rrotacionit, një lëvizje rrethore a përmbysëse që sjell në pushtet të kundërtën. Problemi i lëvizjeve rrethore e rrotulluese është kthimi 360 gradë, e pra të kthyerit në vend. E kjo e kthyer në vend nuk është as më shumë e as më pak se e ndenjura në vend.

E pra rrotullimi u krye, jo 180 por 360 grade. Me pak fjale jemi po në vend. Me hir e pahir, ku me blerje vote, ku me kërcënime, ku me nostalgjikët e PPSh-së, PS arriti të mbante pushtetin. E mbajti në nivelet e vitit 2017, aq sa për të mos pasur nevojë për ‘gomë’ rezërvë, pra e vetme, sikurse donte Rama mandatin e kaluar. Përpos këtij lajmi të kobshëm shtrohet pyetja, po tani çfarë? Si do të reflektojë vota në mandatin tjetër, të tretin, një kufi përpara i pakapërcyeshëm e kështu një tabu që më nuk ekziston. Përgjigjet mund të jenë pak ose shumë. Çfarëdo hipoteze të hedhim, përgjigjja duhet të niset nga një premisë: ajo e blerjes së votës, e për pasojë e blerjes së të drejtës jo më për të përfaqsuar por për të sunduar. E sundimi nuk kërkon, as jep e as do kufizim. Është e mbetet thjeshtë një raport tashmë force ose legjitimim përdorimi force që duam s’duam do të marrë për bazë rezultatin. Ai është i vetmi që vlen në sytë e mazhorancës e do të vlejë si vlerësuesi i vetëm në  vendimmarrje. E thënë akoma më ndryshe, rezultati është ai i 26 prillit, e mbaron aty. Pas 26 prillit e deri në zgjedhjet e ardhshme, për maxhorancën nuk vlen asgjë tjetër. Në këtë mënyrë dhe pretendimi për llogaridhënie bie si për së brendshmi si për së jashtmi. Për së brendshmi bie prej rezultatit e për së jashtmi po prapë prej rezultatit. Nëse në vitin 1996 apo 1997, faktori ndërkombëtar ishte rezerva e fundit e kufizimit të pushtetit të mazhorancave, me këto zgjedhje ai humb arsyen për tu shfaqur. Blerja e votës është e dënueshme por gjithsesi fenomen jo lehtësisht i konstatueshëm, kjo falë dhe dispozitave ligjore, që e ngarkojnë me faj dhe atë që pohon se është paguar.

Qetësia formale e tyre, vë faktorin ndërkombëtar përpara një fakti të kryer, rregullsisë formale të procesit. Me shumë gjasa ky mund të jetë dhe argumenti para të cilit faktori ndërkombëtar nuk do të ketë mundësi të influencojë e shtrëngojë qeverinë. Por efekti i zgjedhjeve ‘të qeta’ do të jetë thuajse zero. ‘Pastrimi’ formal i parlamentit nga të shënjestruarit e ambasdores Kim, nuk eliminon problemin e lidhjen e mazhorancës me krimin. E po kështu edhe zgjedhjet ‘e qeta’ zor se do të riçelin rrugën drejt integrimit.

Me shumë gjasa Shqipëria do të mbetet për shumë kohë jashtë BE-së. Vaksina diplomatike e Erdoganit me shumë gjasë do të kërkojë ‘kurbanin’ e rradhës, ndoshta mbylljen e plotë të aktiviteteve të fondacionit ‘Gylen’ në Shqipëri. Në planin e brendshëm kjo mund të duket si sakrificë e pranueshme. Në atë të jashtmin zor se do të pranohet. Nese ka diçka ndaj të cilës në perëndim janë të ndjeshëm, janë të drejtat e njeriut. Mbetet për të zgjedhur, o me Turqinë o me Evropën. Shqipëria nuk ka luksin e Serbisë të luajë me dy e me tre porta, zgjedhja e njërës do të thotë përjashtimin e tjetrës.

Në planin e brendshëm vota, është baraz me vijimin e shkatërrimit të pronës publike, privatizimit më të thellë të shërbimeve shtetërore, dëmtimit të ambientit e kështu me rradhë. Mandati i tretë, në sytë e Ramës nuk ka ekuivok e për pasojë çdo përpjekje e brendshme sado minimale do të përballet me represion policor akoma e më të dhunshëm e më të shtrirë.

Ajo të cilën zor se qeveria mund të manipulojë e mbulojë, është borxhi publik. Borxhi është një e vërtetë të cilën zor se e mbulon ‘fitorja’. Herët a vonë ai do të dalë në sipërfaqe. Fatin e uljes së rrogave të Albkontrollit, nesër mund ta kenë dhe kategori të tjera jo aq të privilegjuara.

Në këtë kuptim vota e 25 prillit është e vërteta e madhe e qeverisjeve Rama 1,2 dhe 3. Në borxh me borxhe, në shitje e të shitur, këto 1, 2, 3 ose 4 vjet do të tregojnë jo vetëm bilancin 12 vjetëve por më së shumti fatin e Shqipërisë.  Nëse vala e emigrimit do të vazhdojë, nga pikëpamja numerike vendi do të reduktohet në nivelet e 1912. Nëse grabitja e pasurisë publike do të vijojë, shteti shqiptar do të humbë arsyen e brendshme insititucionale për të ekzistuar. Nëse territori do të vijojë të kanabizohet, atëhere perdja e errët e izolimit të jashtëm do të bjerë mbi Shqipërinë. Ky mandat është më shumë hall se sa sukses. Hall për pamundësinë për të zgjidhur problemet e shumta që vendi ka e hall sepse në horizont, kriza do të jetë e pashmangshme.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara


Editoriale të tjera nga RRUGA PRESS:

Next Post

Kurti e fton Engelin ta festojë ditëlindjen në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-kongresistin Eliot Engel, të cilin e ka ftuar ta festojë datëlindjen e tij të 75-të në Kosovë. Kurti në një postim në Twitter ka shkruar se Engel është mik i përhershëm i Kosovës, i cili e ka përfaqësuar vendin […]