Më në fund ide të reja! (2)

user3
0 0

Nga Alain Brossat

Përktheu Elvis Hoxha

Ja dhe një ide tjetër budalle, krejt ide-reflekse e ngjallur në të menduarin-rrëmujë (mendimi i aparatuar nga pushteti): ideja se pushtimi i Kapitolit nga lukunia pro-Trump është domosdoshmërisht një spektakël i dhimbshëm. Po qe se, përkundrazi, këta imazhe na nxjerrin përpara fundin grotesk të «Make America great again» të frymëzuesit të kësaj feste të egër, së cilës i shtohet edhe zhytja në varr e  arrogancës pushtuese të kësaj Amerike, ka vërtet vend me u kënaq. Madje, përkundrazi, mund të zhgënjehemi që çrregulli brenda nureve të një prej simboleve më të bujshëm të arrogancës zgjati aq pak.

Mos prisni të shkojmë e të derdhim lotë në tryezën e punës së znj. Pelosi (përfaqësuese shembullore e patriarkatit të bardhë dhe hegjemonist amerikan), që u shqye prej hordhisë së xhindosur dhe plebeiane të së njëjtës racë. Le t’i zgjidhin punët e tyre mes vedi.

Siç e nënvizonte Jeffrey Sachs në një artikull tani së fundmi, ngaqë lukunitë fashiste pro-Trump iu futën një vendi kaq të lartë të pushtetit të bardhë po gjendemi para këtij koncerti tronditjeje – për ç’mbetet, në këtë vend përherë bandat e armatosura e kanë inatin me afro-amerikanët, me amerindianët, me meksikanët dhe të tjerë ameriko-latinë që prej çastit që tërë këta të fundit kërkojnë të vlerësohen të drejtat e tyre ballë dhunës së shtetit dhe suprematistëve të bardhë… dhe kjo nuk zgjon ndonjë emocion të veçantë tek elitat që, sot, shpallin indinjatën e tyre kundrejt tejkalimeve të fundit [1]. 

Nga ana tjetër, në vetvete, ideja e pushtimit të një vendit të lartë të pushtetit nuk ka asgjë të neveritshme, përkundrazi, ajo është e pandashme nga kujtesa që na kanë lënë revolucionet e mëdha – ai francez, ai rus, ai kuban, etj. Nuk ka asnjë vlerë pra të dëshpërohemi për pushtimin, posaçërisht, të Kapitolit – ky mund të ishte një fillim i mbarë për t’ia nisur nga zero një revolucioni amerikan që është i nevojshëm –, duhet të dëshpërohemi më shumë për faktin se atë e bënë lukunitë fashiste – kjo është më shqetësuesja, por dhe kjo është gjendja e gjërave në këtë vend dhe, edhe një herë, po të qe preludi i rënies së perandorisë amerikane (ky është titulli i një filmi të Denys Arcand, 2018), do të kishte më tepër vend për festime

Në shoqëritë ku brengat politike janë të lidhura fuqishëm me mediat, makinat politike, fabrikat e opinionit publik, njerëzit aty poshtë vazhdimisht janë të kushtëzuar të dëshpërohen (të përjetojnë si një lloj fatkeqësie që i prek personalisht) prej vështirësive, dështimeve, brejtjeve, humbjeve, mposhtjeve që kanë pësuar ata që janë atje sipër, tamam kur në të kundërt do të duhej dhe do të mundnin, për të mirën e tyre, të përjetonin një përmbushje shpëtimtare dhe jo domosdoshmërisht të ligë; aty ku do të ishte urgjente t’i iknin infektimit ndjesor për me mund me e riformulu çështjen lidhur me kushtet e tyre: pushtimi i Kapitolit, e përse jo? – por do të ishte më mirë të bëhej nga indianët Sioux ose, le të themi, ndonjë koalicion i trashëgimtarëve të Sitting Bull, Geronimo, John Brown, Nat Turner, Malcolm X dhe Emma Goldman ! 

Kapja e ndjesorëve të masës (popullsia) nga aparatet e pushtetit është, në shoqëritë tona, çështje thelbësore. Qeveriset me hakmarrje (kundër objektit të keq njerëzor të çastit – te ne sot është islamisti, dhe në rritje e sipër Kina dhe kinezi) dhe me trishtim. Kjo është kthesa nihiliste e qeverisjes së të gjallëve, të kopesë njerëzore: bëhet fjalë, përballë spektaklit të së tashmes, për me e nxjerrë në pah këtë tonalitet të dëshpëruar dhe të raskapitur – o Zot, ç’turp, si mund të ndodhin gjëra të tilla ende në ditët tona, në këta tempuj të qytetërimit demokratik siç janë shoqëritë tona ? –, tërë këtë retorikë boshe të zhgënjimit që ka për destinim të parë prodhimin e një vorbull emocionesh ku tretet edhe kuptimi i dallimeve dhe kundërshtive – por përse, po e ridrejtojmë pyetjen, do të  duhej të trishtoheshim për ngjarjet e Washingtonit së bashku me aparatet e pushtetit, me bandat hajna aty lart, me legjonarët e policisë kufitare, të famshmit e mjegullt të shkencave politike? 

Konsensusi afektiv nuk është kurrë më shumë se subjektivimi epidermik i rrënimit në konsensusin ideologjik që e ka të natyrshme t’i bëjë të pashqueshme vijat e ndarjes mes pronarëve dhe shërbëtorëve, patricëve dhe prebejve, shfrytëzuesve dhe të shfrytëzuarve – po ç’do të mund t’i bënte të pashqueshme këto vija ndarëse kur kthejmë vështrimin nga ngjarjet e Washingtonit dhe kur i vlerësojmë sipas vendit që kemi në fushën e luftës së përgjithshme? Përse, edhe një herë tjetër, duhet të na bënte të vuajmë ajo ç’e vë në dukje gjendjen e zvetënimit të fuqisë amerikane? 

Nihilizmi shkatërrimtar nuk qëndron në ngazëllimin prej dobësimit të armikut, por qëndron në faktin se, pa reshtur dhe disi automatikisht, prekemi nga mendësia vajimtare, mu përballë një aktualiteti në të cilin shumohen shenjat që dëftojnë paaftësinë në rritje të zotërve, të famulltarëve të rendit global imperial, që gjithsesi vijojnë të qeverisin botën si përpara (Leninit). Me i rezistu këtij infektimi dhe me i lënë të lirë afektet  para këtyre shenjave të krizës, kjo është një shenjë e fuqisë dhe manifestimit të autonomisë – dhe jo simptomë e poshtërsisë dhe zvjerdhjes së shpirtit të hakmarrjes – e famshmja Schadenfreude. Ose, përndryshe, po qe se është nihilizëm, është atëherë nihilizëm aktiv, pozitiv, ashtu siç e naltonte Nietzsche në Gjenealogjinë e moralit – përkundër nihilizmit reaksionar të elitave dekadente të ditëve tona – ajo çka na lejon të formojmë korin e qaramanëve rreth ngjarjeve të Washingtonit dhe të kridhemi në vaj për humbjen e kuptimit dhe shkëlqimit që po prek gjërat më të vyera (« demokracinë amerikane »). 

Ditët e fundit të Trumpit dhe Pompeos (kakofoni e përzgjedhur) zgjojnë turlilloj imazhesh që janë ndrydhur brenda një farë historie të bardhë. I pari mes të dyve, gjysmë-Ubu gjysmë-Hinkel ca i marrë, po e përmbyll rrugëtimin e tij në Shtëpinë e Bardhë që u kthye në version operete  të bunkerit ku një rimishërim tjetër i famshëm i supremacisë së bardhë po flijon veten – apo më mirë nën – rrënojat e Reichut të premtuar të zgjasë mijëra vite. Kështu që ky mbreti Pordhac i pallatit, na sajon një Untergang me çmim të lirë, më pak apokaliptik – pastaj me vrap do të marrë avionin presidencial në të gdhirë të betimit të presidentit Biden për t’u kthyer në feudin e vet në Mar del Lago ku e presin kadiu dhe klubi, dhe ku do të përfundojë jo me këngë e valle, por me lojëra të pareshtura golfi me besnikët dhe lakejtë e vet… Në format e sotme të sovranitetit gjithçka po zvogëlohet, qoftë edhe vetë apokalipsi. Spektakël i trishtë dhe i përvajshëm, po na thonë. 

Por kjo nuk vlen për ne. Brutaliteti i zotërve dhe ashpërsia e rregullës së lojës ende nuk na kanë hequr rezervat e të qeshurës

[1] Jeffrey Sachs : « The Truth about Trump’s mob is that it was nothing new» (Taipei Times, 11/01/2021). 

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

“Nuk kemi kohë për të humbur”, Joe Biden bën lëvizjen e parë si President i SHBA-ve

Ka përfunduar ceremonia e inaugurimit të presidentit të SHBA-së Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris. Tashmë pason një paradë inaguruese, edhe pse do të jetë kryesisht virtuale. Biden dhe Harris do të kenë një shoqërim presidencial për në Shtëpinë e Bardhë nga Banda e Ushtrisë Amerikane, një Gardë Nderi e […]