Milosheviçizmi 2.0

User1
3 0

Shkruan Klejd Këlliçi

Nëse ka diçka që historia tregon, është se sjellja e njerëzve pak ndryshon. Fotoja e Vuçiçit që tregon territorin e Kosovës me ngjyrat e simbolet e flamurit të Serbisë është mesazh i qartë trashëgimtari i Milosheviçit, as nuk do e as nuk ka për të hequr dorë nga ideja e Kosovës si pjesë integrale e Serbisë. Askush nuk duhet të dyshojë për këtë, as ata që janë munduar ndër vite t’ja pastrojnë njollat e zeza të krimit, fytyrë me trajta akoma foshnjarake  të zëdhënësit e ndërtuesit të imazhit të kasapit të Ballkanit. Askush nuk duhet të besojë e aq më shumë të harrojë se Serbia e posaçërisht Vuçiçi janë mbetja më rezistente e autentike e milosheviçizmit 2.0, atij që shfaq kinse fytyrën moderne të Serbisë, atë europiane të brigjeve beogradase të Danubit ,e që mban akoma në territorin e tij eshtrat e mijra shqiptarëve, e në ndërgjegjje atë të qindra mijrave viktimave të gjenocidit serb në Ballkan. Askush nuk duhet të harrojë dhe pse në Tiranë, pakkush kujton e kësisoj nuk ka arsye të harrojë, krimet serbëve e Vuçiçit në Kosovë. Në Tiranë, kapterri i anijes rilindase u përpoq të ngrinte imazhin e paqëtorit e liderit ballkanik duke i shpërlarë duart e fytyrën pasardhësit të Milosheviçit.

 Operacioni madhor filloi posaçërisht me imazhet vllazërore të adoleshentëve serbë që ndiqnin bashkë me ata shqiptarë, ndeshjen Shqipëri-Serbi, në Elbasan Arena e më pas vazhdoi me proklamimin e vëllazërisë së re mes Beogradit e Prishtinës, vëllazëri e re 2.0, që harronte e linte mënjanë krimet ndaj shqiptarëve. Harresa i shërbente Vuçiçit e sivëllaut Rama për të mbështetur më pas projektin famëkeq të shkëmbimit të territoreve, në të cilin kryerilindasi u përfshi me mish e shpirt, me investimin madhor për të qënë kumbari i zgjidhjes së problemeve me Serbisë e Kosovës. Bashkë vllazërohemi në kurriz të Kosovës. Ky ishte nënteksti. Kryerilindasi u përfshi me mish e shpirt për të qënë kumbari i zgjidhjes së problemeve mes Serbisë e Kosovës, në kurriz të shqiptarëve, sepse ju kujtua deviza e vjetër Jugosllave – na duhet Kosova që të jemi të vetëmjaftueshëm!  

Bashkë me ish-Presidentin H.Thaçi u bindën se i duhet pak Kosovë, Serbisë. Po nuk pati pak Kosovë, Serbia, nuk e shuan dot traumën e saj kolektive të eshtrave shqiptare në Bajtanicë. Që Serbia ta shuajë atë uri për territore i duhej autonomi institucionesh fetare, pak minerale dhe ndonjë kafshatë në Mitrovicë e poshtë. Dhe nën egjidën e vëllazërisë post titisto-hoxhiste, ashtu si nisi bashkëpunimi ekonomik, kësisoj palët pagëzuan MiniShengenin, fantazmën e ish-Jugosllavisë, burgut të popujve ballkanikë, pjesë e të cilës ishte dhe Kosova.

E megjithatë ky skenar famëkeq dështoi sikurse dështoi dhe politikisht mbështetësi tjetër i madh i tij, Thaçi. Nëse presidenti i Kosovës sot gjendet në Hagë, dy aktorët e tjerë të marrëveshjes, jetojnë vijojnë aktivitetin e tyre politik, pa harruar bratsvon (vëllazërinë) që i lidh. E pikërisht për të mos harruar, ragimi i Vuçiçit erdhi në kohë, pikërisht në atë kohë kur në Prishtinë po hidhen hapat për formimin e qeverisë së re të Lëvizjes Vetvendosje, fitorja e të cilës groposi përfundimisht Minishengenin dhe shkëmbimin e territoreve.

Harta me flamurin serb mbi Kosovën, na rikujton prapë se rreziku është pas porte.  Pas porte është dhe riaktivizimi i miqësisë Rama-Vuçiç pezulluar përkohësisht, por gjithmonë i riaktivizueshëm. Shoku që ‘luan me hartat e leshit’, dhe ‘kukulla në facebook’, është po i njëjti që detyroi shokun jo të leshit ti bëjë presion Kosovës për heqjen e taksës 100, është po shoku që ju bashkua korit të shtrigave mediatike këndej e andej kufirit për të anatemuar reciprocitetin, është po shoku që mbështeti pa rezerva rënien e qeverisë Kurti për hir të rrjeshtimit kah politikave të çartura trampiste në Ballkan. Harresa e krimit i shërben sivëllaut Vuçiçit, sepse vetëm asisoj, pamja e tij foshnjërore dhe rritja e kredencialeve në Perëndim, do të mund të shtynte përpara projektin e ndarjes së Kosovës.

Harta me flamurin serb mbi Kosovën është loja para portave tona. Pas porte është farkëtimi me zjarr e barot i miqësisë Rama-Vuçiç, dhe në fushë, në Shqipëri, ka zbritur Lëvizja Vetëvendosje! /Rruga Press

© Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

Votohet qeveria Kurti 2, Kryeministri i ri merr 67 vota pro

Kuvendi i Kosovës ka votuar me 67 vota pro qeverinë Kurti 2. Në votim kanë marrë pjesë 117 deputetë, ku 67 e tyre kanë votuar pro dhe 30 vota kundër. Rruga Press