NË SHOQËRI ASGJË NUK ËSHTË NATYRORE. AS TËRMETI

User1
1 0
Shpërndaje

Nga Hysamedin Feraj

(Botuar në ‘Publikja Shqiptare’, nr.4, viti 2019)

Nga “të diturit” ky pohim u “saktësua” dhe u deklarua shpejt: “tërmeti është natyror, pasojat janë shoqërore”! Ky saktësim është i gabuar. Megjithatë, deklarimi tregon se për disa nevojitet një kthjellim i mëtejshëm i pohimit “tërmeti është fenomen shoqëror”. Dhe do të shtoj: thellësisht politik.

I

“Cilësitë e dyta” lokeane të mënyrës njerëzore, subjektive, të të qenit të fenomeneve natyrorë iu ofrojnë atyre një mjet ndihmës të rëndësishëm për kuptimin e tërmetit si shoqëror. Në këtë kuptim, me ngatërru tërmetin me përplasjen e pllakave tektonike është si me ngatërru ngjyrat me valët e dritës, fenomenin karakteristik për njeriun me fenomenin natyror. Ashtu siç janë për njeriun, ngjyrat kanë ekzistencë njerëzore. Në natyrë nuk ka ngjyra, ka vetëm valë drite. E njëjta valë nuk ka për efekt të njëjtën ngjyrë te të gjitha gjallesat që kanë shqisën e shikimit, dhe as për vetë njeriun nëse shqisa e shikimit do të ishte e ndërtuar pak më ndryshe. Sakaq, lë të kuptohet se në zinxhirin shkakor, shkak i ngjyrës nuk është aq vala e dritës sa ndërtimi i organit pamor. Prej këtej mund detajohet:

Njohjes dhe mençurisë qytetare nuk i shërben ngatërrimi i gjuhës për fenomenet natyrorë me atë për fenomenet njerëzorëshoqërorë. Prandaj, nga njëra anë, ato nuk ngatërrohen as nga shkencëtarët. Në mikro-nivel, për shembull në CERN, nuk flitet për tërmet të grimcave nënatomike, por flitet për përplasjen e tyre. Në makro-nivel, për shembull në nivelin e planetit tokë, nuk flitet për tërmetin e asteroideve (apo kometave), por për përplasjen e tyre. Në nivel astronomik nuk flitet për tërmete ndërgalaktikë, por flitet për përplasje galaktikash, përpirje të tyre nga vrimat e zeza etj.

Nga ana tjetër, në shkencë, shpjegimi nga zinxhiri i pafund i lidhjes shkakore, rëndom ndalon te shkaku më i afërt. Përplasja e pllakave tektonike ndalon te lëvizja e tyre, pa shkuar te ndryshimet atomikë a nënatomikë apo niveli i planetit Tokë. Në rastin e tërmetit, kërkohet që hulumtimi të ndalojë te ndërtimet e papërshtashëm, si shkaku më i afërt, i cili është shkak njerëzor-shoqëror. Në të kundërt, nëse ndërtimet do të ishin absolutisht të sigurt ndaj lëkundjeve të tokës, tërmetet do të ishin për njerëzit veçse një kolovitje e këndshme dhe, mbase, do të emërtoheshin me këtë fjalë.

Fenomenologjia ofron mjete heuristikë edhe më domethënës për kuptimin e fenomenit tërmet si shoqëror. Tërmeti është përjetimi i gjallë e i drejtpërdrejtë i pasigurisë së jetuar si e tillë. Çka i shembet sipër qytetarit është bota e tij. Çka e kishte supozuar siguri, i kthehet tashmë në kërcënim: objektet dhe qeveria e ndërtuar prej tij. Shtëpia, “e ëmbla shtëpi”, ku njeriu e ndjen veten më të sigurt, i kthehet në kërcënim për jetën. Në rastin e lëkundjeve të tokës njeriu ndjehet më i sigurt larg shtëpive e ngrehinave të tjera të tij, sesa pranë ose brenda produktit të vet. Përjeton drejtpërdrejt se qeveria e zgjedhur për sigurinë e jetës, duke qeverisur ndërtimet e objekteve, e udhëhequr nga makutëria e saj për pasuri dhe pushtet, ka qeverisur ndërtimin e objekteve që i rrezikojnë jetën njeriut dhe qytetarit. Sakaq, njeriu ndjen se është i kërcënuar drejtpërdrejt nga vepra e tij dhe vetëm tërthorazi nga proceset natyrorë. Fenomenologjikisht tërmeti qëndron në këtë ndërmjetës njerëzor. Pa këtë lloj produkti njerëzor-shoqëror, vetë gjëja, procesi natyror, do të përfytyronte diçka krejt tjetër për njeriun.

Pushteti e përjeton drejtpërdrejt tërmetin me një frikë tjetër nga e qytetarit: rrezikimin e mundshëm të pushtetit. Qeveria ka frikën se mos mbi të shembet zemërimi i qytetarëve, kur zbulojnë se prej tërmetit janë rrezikuar drejtpërdrejt nga makutëria e qeverisë. Pushteti nuk i frikësohet shembjes së ndërtesave e “të ëmblave shtëpi” të tyre, sepse për vete i ka ndërtuar të sigurta. Çka e frikëson pushtetin “politik” janë produktet e tij, opinioni se mundësia e pushtetit dhe e pasurimit të pushtetarëve varen nga besimi i qytetarëve te përgjegjësia e të zgjedhurve prej tyre për me qeverisë. Pushtetin e frikëson drejtpërdrejt shembja e këtij besimi si fenomen shoqëror dhe vetëm tërthorazi lëkundjet e tokës si fenomen natyror.

Prej këtyre dy përjetimeve të ndryshëm lindin dy gjuhë të ndryshme për tërmetin: gjuha e qytetarit dhe gjuha e pushtetarit. Qytetari ndalon te tërmeti si fenomen shoqërornjerëzor, te përjetimi i tij si tërmet për shkak të pasigurisë që i kanë krijuar ngrehinat dhe qeveritarët e tij. Pushtetari shikon te tërmeti një fenomen natyror ose madje hyjnor, të pavarur dhe të pamundur të qeveriset prej tij. Më shkurt, qytetari flet gjuhën shoqërore-politike, pushtetari gjuhën natyrore dhe mbinatyrore. Si qenie e pajisur me qëllime, qytetari synon të sigurohet se në të ardhmen, në rast lëkundjesh të tokës, të mos ketë arsye ta përjetojë si tmerr. Pra, nga pasiguria e jetuar tashmë të garantojë sigurinë për të ardhmen. Pushtetari, nga siguria e jetuar në shtëpinë e tij, synon ta legjitimojë veten si të pafajshëmdhe të sigurojë besimin e qytetarëve që ta vazhdojë qeverisjen dhe pasurimin në të ardhmen. Prandaj qytetari flet gjuhën e “shpërfilljes” së natyrës dhe fajësimit të pushtetit; pushteti flet gjuhën e legjitimimit të vetes dhe të fajësimit të natyrës.

Në ligjërimin synues të pushtetit, tërmeti është fenomen natyror ose mbinatyror, vepër e natyrës ose vepër e Zotit, sepse në natyrë nuk ka përgjegjësi dhe Zoti nuk mund të fajësohet për të keqen. Në të dy rastet vetë qeveria shkarkohet nga përgjegjësia para qytetarëve dhe qytetarët, në masën që pajtohen me këtë përfytyrim, e humbin të drejtën ta bëjnë përgjegjëse qeverinë. Sa më sipër, ilustrohet mirë nga ligjërimi për tërmetin e 26 nëntorit 2019 në Shqipëri. Ndërkaq, shkalla e mbisundimit të gjuhës së pushtetit ilustron shkallën e mungesës së qytetarisë dhe njerëzores.

II

Sado e pavend, duket se përdorimi i gjuhës së natyrores për fenomenet shoqërorë del të jetë konstanti i shkarkimit të politikanëve shqiptarë nga përgjegjësia në raste krizash të rënda të shoqërisë së qeverisur prej tyre. Ashtu si Ramiz Alia në vitin 1990 e gjente shkakun për krizën totale të sistemit shoqëror-ekonomik në “thatësirën e tejzgjatur”, vite më pas Edi Rama ua paraqet tërmetet qytetarëve si “pabesi e madhe e natyrës”.

Për me i shpëtu përgjegjësisë, pushteti shpall pafuqinë e tij përballë natyrës. Nëse qytetarët e pranojnë këtë si fakt të vërtetë, atëherë i pranojnë të drejtën Ramës të zemërohet, siç dhe bëri në rastin e tërmetit që goditi Tiranën më 21 shtator 2019 Rama u nxeh sepse qytetarët paskan pritur diçka prej tij e, me këtë, ia paskan ndërprerë një udhëtim jashtë vendit. Sepse, përballë natyrës, ai e dinte se, si të ishte si të mos ishte fare këtu, mund të pohonte: “Unë as do të parandaloja ndonjë tërmet e as do të bëja ndonjë çudi që pa mua nuk bëhej dot”. Në rastin e Tiranës, zëvendësministri i mbrojtjes, Petro Koçi, e përforcoi mendimin e shefit të tij në nivelin e përgjithësimit absolut: “Nuk ka qeveri që matet me fuqitë madhore të natyrës”. Për rastin e tërmetit të Durrësit e përforcoi ministrja e infrastrukturës dhe punëve publike, Belinda Balluku: “Ne nuk hahemi dot me fatkeqësitë natyrore”. E pafuqishme përballë natyrës aq sa kushdo tjetër, qeveria nuk mban përgjegjësi më të madhe se kushdo tjetër. Në këtë rast, jeta e qytetarëve lihet në raport të drejtpërdrejtë me praninë e natyrës, ndërsa mungesa e kryeministrit do të ishte e pajustifikueshme vetëm “në raportin e zemrës me njerëzit që më kanë besuar detyrën e lartë”. Mbas tyre, gjuha e pushtetit, cilësimi i tërmetit si fatkeqësi natyrore, për të cilën s’mban përgjegjësi qeveria, zuri vend në një pjesë të ndjeshme të popullatës.

Po s’iu ndryshua kuptimi, po aq i pavend mbetet përdorimi i gjuhës së shkencave të natyrës për dukuritë e shoqërisë. Megjithatë, me synim shkarkimin nga përgjegjësia para qytetarëve, qeveria kërkoi aleancën e shkencave të natyrës dhe e paraqiti veten si një komunitet shkencëtarësh. Si në një seminar të rëndomtë me temë nivelin e zhvillimit të shkencave sizmografike e gjeologjike, kryeministri i njoftoi qytetarët se jo vetëm shkenca, por përgjithësisht dija njerëzore, ende “nuk ka mundur të parashikojë dot tërmetet”. Prandaj as qeveria, njësoj si “kolegët” e saj të komunitetit shkencor, nuk mundet me i parashiku tërmetet. Synimi vetëlegjitimues i kësaj gjuhe të pushtetit duket qartë: qeveria nuk ka asnjë faj pse nuk kishte parashikuar tërmetin dhe nuk kishte marrë masa parapërgatitore për përballimin e tij. Meqenëse “askush s’e di çfarë na rezervon fati apo natyra”, atëherë del vetiu se qeveria nuk mundet të dijë, dhe pra nuk mban asnjë përgjegjësi pse u ndodh e papërgatitur me i përballu pasojat shoqërore të tërmetit.

Me një pohim ndërmjetës, kryeministri kaloi te përdorimi i gjuhës mbinatyrore për dukuritë shoqërore-njerëzore, në cilësimin e tërmetit nga fenomen natyror në fenomen hyjnor. Njëlloj me klerikët mesjetarë, Rama e interpretoi tërmetin si “një fat më misterioz, në dorën e një force tjetër”, që “Zoti, apo natyra vendosi” mbi ne.10 Sigurisht pak ditë më vonë, edhe ministrja Balluku vendosi që veç natyrës ta përfshijë po ashtu Zotin në mesin e atyre me të cilët asnjë qeveri nuk mund të hahet: “Ne nuk hahemi me Zotin”.11 Mbasi nga qeveria tërmeti është shpallur si “fat misterioz”, siç janë për besimtarët të mistershme rrugët e Zotit, kryeministri është tashmë i lirë nga përgjegjësia, dhe gjithë çka i mbetet të bëjë është të lutet mëngjes e darkë: “Zot mbaje dorën”. Dhe mund të shtonte: ki mëshirë për këta qytetarë mëkatarë!

Në këtë fazë kryeministri nisi të shfaqet publikisht si klerik. Me tespije në dorë predikon mësime nga Bibla e Kurani, citon dijetarë islamikë e shenjtorë katolikë. Madje duke shikuar mu në zemrën e Zotit, Rama njofton në Turqi se “njerëzit që Allahu do më shumë janë ata që janë të dobishëm për të tjerët dhe kushdo ndihmon një njeri në vështirësi, Allahu do ta lehtësojë nga vështirësia në ditën e ringjalljes”. Herë tjetër e nis ditën me thënie nga shën Tereza: “E djeshmja iku. E nesërmja s’ka ardhur. Kemi vetëm të sotmen. Le t’ia nisim!”.

Njëzëri me klerikët mesjetarë, Rama nuk e fajëson Zotin për tërmetin. Përkundrazi, ai është mirësi që Zoti na ofron, sepse “Zoti e dërgon tërmetin si një mundësi për t’u penduar dhe për t’u pastruar”. Të mbetur në mesjetë disa besimtarë “myslimanë” u pajtuan me Ramën: “Sa u përket tërmeteve në vendin tonë, ata tregojnë më së shumti një pakënaqësi të Allahut xh.sh., i cili dëshiron të na vetëdijesojë që të kthehemi në rrugë të drejtë”. Ashtu si për Ramën, as për ta tërmeti nuk është dënim. Tërmeti është mesazh mëshire nga Zoti, sepse “asgjë nuk ndodh rastësisht, por çdo gjë është krijesë e Allahut dhe çdo ndodhi jep ndonjë mesazh”. E tërmeti është dëshmia e mëshirës së Zotit: “Prandaj themi se tërmetet e vendit tonë tregojnë ende mëshirën e Allahut Fuqiplotë, për shkak sepse kemi ende mundësi veprimi dhe përmirësimi”.

Rama as nuk e fsheh qëllimin e përdorimit të gjuhës mbinatyrore për me e legjitimu qeverinë dhe veten e tij, për sa që tërmeti “është nga Zoti, s’është nga robi”,17 qoftë ky rob kryeministër në qeveri, kryetar bashkie apo oligark ndërtimesh. Sado e pavend gjuha klerikale mesjetare e pushtetit, ajo gjeti mbështetje në popullatë. I vetmi kuptim i tërmetit që përjashtohet nga pushteti është kuptimi i tij si fenomen shoqëror-njerëzor.

III

Përtej synimit legjitimues të pushtetit dhe të sundimit, kuptimi i tërmetit si fenomen natyror ose hyjnor mbetet krejt i përçudnuar dhe pa kuptim. Sigurisht natyra nuk mundet me qenë e pabesë ndaj qytetarëve, sepse as nuk u ka premtuar këtyre sigurinë e kushteve të jetesës, as këta nuk e kanë zgjedhur atë me votën e tyre për atë detyrë të lartë. Por, ka kuptim që pabesia t’i atribuohet natyrës nëse, i frikësuar se mos njerëzit që ia kanë besuar detyrën e lartë kryeministrit, ndër të tjera edhe për hir të premtimit të tij elektoral për sigurinë e kushteve të jetesës së tyre, ai nxiton që tërmetin ta quajë “pabesi e natyrës” dhe jo e tij. Deri në antropomorfizim të saj, natyra përdoret nga pushteti me synim politik: shfajësimin e vetes.

Pafuqia e shpallur e pushtetit ndaj forcës më të fuqishme të natyrës është përgjigje e një pyetjeje që nuk bëhet nga askush. Askush nuk e ka zgjedhur dhe askush nuk i ka kërkuar pushtetit politik me i qeverisë proceset e natyrës, qoftë lëvizje e pllakave tektonike, qoftë e galaktikave kozmike. As qeveritarët e zgjedhur nuk iu kanë premtuar votuesve një gjë të tillë. Gjithë çka i kërkohet pushtetit të zgjedhur është qeverisja e veprave njerëzore, e ngrehinave të qëndrueshme ndaj luhatjeve të tokës, e ndërtimeve më të mirë në shkallën që e mundëson zhvillimi i sotëm teknologjik. Për këtë, qeveria e ka gjithë fuqinë dhe pushtetin e nevojshëm, më shumë se kushdo tjetër, se çdo qytetar i marrë veç ose bashkërisht. Prandaj pyetja që qeveria ia bën vetes iu këshillohet qytetarëve që t’ia bënin asaj, sepse për të e ka përgjigjen e gatshme legjitimuese dhe që pyetësin e nxjerrë gati budalla. Sepse vërtetë “nuk ka qeveri që matet me fuqitë madhore të natyrës” dhe se ndaj tyre kryeministri vërtet “nuk mund të bënte diçka që s’bëhej nga kushdo tjetër”. Deri në gatishmërinë me i budallepsë qytetarët, pushteti e përdor gjuhën e natyrores vetëm me i shpëtu përgjegjësisë ndaj tyre.

Shkencat e natyrës nuk janë aleat i bindur i pushtetit politik. “Parashikimi” i tërmeteve në shkencat e natyrës dhe “parashikimi” i tyre nga qeveria ka kuptim krejt tjetër, sepse kanë objekt tjetër: shkenca parashikimin e fenomenit natyror, politika parashikimin e veprimit njerëzor dhe qeveritar për atë rast. Shkenca i kërkon vetes të parashikojë me saktësi kur mund të ndodhë një fenomen në natyrë, ku, me çfarë intensiteti etj. Politika ka për detyrë të parashikojë masat që duhet të ndërmarrë para atij rasti dhe në atë rast, pavarësisht kur, ku apo me çfarë intensiteti të përafërt ndodh ai fenomen, madje edhe sikur të mos ndodhë kurrë. Njohja shkencore kërkon nga vetja parashikim të saktë. Ndërsa për dijen politike mjafton njohja në parim se mund të ndodhin fenomene të atillë dhe të parashikojë veprimet e saj, a thua se do të ndodhin shumë shpejt dhe shumë shpesh, edhe sikur të mos ndodhin kurrë gjatë një qeverisjeje. Për shkak të objektit krejt të ndryshëm të tyre, saktësia e parashikimit të një shkence mund ta ndihmojë politikën duke e paralajmëruar, por nuk mundet kurrë ta zëvendësojë dhe as të barazohet me parashikimin politik. Prandaj, pavarësisht se shkenca ende nuk mundet t’i parashikojë tërmetet me saktësinë që i kërkon vetes, qeveria gjithmonë mundet dhe duhet t’i parashikojë tërmetet, sepse njeh se në parim janë të mundshëm.

Pushteti mund të jetë armiqësor ndaj shkencave të natyrës sa herë ndjen se nga njohjet e saj mund të cenohet gjendja në të cilën sundon dhe pasurohet i qetë. Në fillim, Rama e kishte sulmuar shkencën e natyrës pse i kishte parashikuar tërmetet: “Jam thellësisht i revoltuar, që një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues”. Ky “idiot”, “kriminel”, “i marrë”, “i lig”, ishte sizmografi grek Akis Tselentis, i cili në disa revista shkencore më parë kishte mbrojtur parashikueshmërinë e përafërt dhe në fillim të shkurtit kishte paralajmëruar ardhjen e tërmeteve rreth 6 shkallë Rihter në rajonin tonë. Ky paralajmërim i cenonte pushtetit qetësinë e sundimit dhe fitimet që i kishte vënë në vijë e që tani i kërkohej mundimi me i riorientu, qoftë edhe në fitim të vetin. Më vonë Rama kërkon aleancën e shkencës dhe mbrohet me tezën se shkenca nuk mundet me i parashiku tërmetet, prej nga dilte se qeveria nuk ka faj pse nuk i ka parashikuar ata, duke barazuar kështu parashikimin shkencor me parashikimin politik. Ndërkaq, e orientonte diskutimin e qytetarëve si me qenë këta shkencëtarë sizmologë. Vetëm për t’i shpëtuar përgjegjësisë së vetë ndaj qytetarëve, pushteti është i gatshëm deri te shndërrimi i komunitetit politik qytetar në komunitet shkencor.

E pakuptimtë ishte edhe përpjekja e pushtetit me e kthy gjendjen mesjetare të aleancës me klerin fetar për sundimin e përbashkët mbi nënshtetasit. Megjithatë, Edi Rama, kryeministri i sistemit politik të shpallur laik me kushtetutë, e bëri këtë përpjekje duke e shpallur tërmetin si vepër të Zotit. Mirëpo klerikalizmi mesjetar i Ramës nuk e gjeti mbështetjen e klerit besimtar të mirëfilltë që, bashkë me njerëzimin, nuk pranon me qenë mesjetar siç e dëshiron ai. Kështu dom Gjergj Meta iu kundërvu qartë atij: “Zotin mos ta kthejmë në shkaktarin e asaj që na ka ndodhur, por në bashkudhëtarin tonë. Përgjegjësisë tonë të munguar mos t’i japim emrin Zot, por t’i japim emrin që ka, secili sipas asaj që është, ka dëshirë të jetë apo që ka marrë përsipër të jetë”. Rama ishte dhe kishte marrë përsipër të jetë kryeministër, pra duhej të merrte përgjegjësinë që i përket. Siç i përket gjuhës së qytetarit, Dom Gjergji thekson natyrën shoqërore e politike të tërmetit: “Është njeriu që ka prerë pyjet, ka ndërtuar në vende dhe mënyrë të papërshtatshme. Zoti nuk merret me lejet e ndërtimit, nuk merret me matjen e themelit”. Dhe se “ajo që mund të bëjmë është t’i japim një emër përgjegjësisë ose mospërgjegjësisë tonë. Ato ndërtesa i kanë ndërtuar njerëzit, nuk i ka ndërtuar Zoti”. Ngjashëm, hoxhë Drilon Gashi refuzon që tërmeti është vepër e Zotit: “Tërmeti nuk është vepër e keqe nga ana e Zotit, por thjesht mungesë e stabilitetit dhe qetësisë së tokës për disa momente”. Rama ishte i gatshëm ta kthente pushtetin dhe komunitetin e qytetarëve deri në mesjetë, ta shndërrojë në komunitet besimtarësh të asaj epoke, vetëm që t’i shpëtonte përgjegjësisë si kryeqeveritar. Me gjuhën dhe pamjen klerikale, kryeministri i jepte edhe shëmbëlltyrën këtij konvertimi. Sado e pasaktë të jetë gjuha e natyrores dhe shkencave të natyrës, e mbinatyrores dhe e klerit mesjetar që ka përdorur pushteti për kuptimin e tërmetit nga qytetarët, ajo gjeti përhapje të ndjeshme në mesin e popullatës. Dhe në po atë masë u bë mungesë e dijes qytetare.

IV

Për dijen qytetare me rëndësi është njohja e detyrave dhe të drejtave të pushtetit, të qeverisë, dhe të vetes. Si i tillë, komuniteti i qytetarëve është politik. Për sa komuniteti i qytetarëve e përfytyron veten dhe qeverinë si komunitete shkencëtarësh, ai i lehtëson pushtetit sundimin mbi të. Nisur prej dy përfytyrimeve të tillë, qytetarët nuk i bëjnë qeverisë pyetjen që iu takon si e tillë, dhe marrin përgjigjen që s’iu duhet si e tillë. Nuk e pyesin qeverinë pse nuk e ka parashikuar tërmetin, siç e ka për detyrë, por e pyesin nëse shkenca i parashikon tërmetet. Nuk e pyesin politikanin si qeverisës, por cila figurë historike a botërore është më e madhe ose cili poet është më poetik. Sjellja e komunitetit qytetar si klub historianësh, kritikësh arti, fizikanësh a kimistësh nuk është urtësi qytetare më shumë sesa e dikujt që i kërkon astronomisë këshillë për dhëmbët, ndërsa stomatologjisë përgjigje për misteret e universit.

Duket se instinktivisht pushteti e di kaq gjë dhe nxit qytetarët të sillen si specialistë shkencorë të çdo fushe. Mbasi pushteti shpalli se shkenca nuk mundet t’i parashikojë tërmetet, papritmas objekt i diskutimit të qytetarëve në grupet e tyre u bë gjeologjia dhe sizmografia. Secili, edhe dikush që nuk ua dinte mirë emrin atyre disiplinave, synonte t’i tregojë grupit epërsinë e vet si specialisti më i mirë i asaj fushe. Nën pasionin e diskutimit shkencor harronin përgjegjësinë e qeverisë, ndërkohë zëvendësonin shkencën ngaqë politika iu tha se ajo na qenka e papërcaktuar.

Gjithsesi, për ndërtimin e një shoqërie të mirë nuk është kusht që secili qytetar të jetë shkencëtar po aq i mirë i çdo disipline e nëndisipline shkencore. Por, nëse nuk është e nevojshme dhe ndoshta as e mundshme që gjithë qytetarët të jenë shkencëtarë, të gjithë shkencëtarët munden, dhe prandaj iu kërkohet, me qenë qytetarë. Sepse realisht jo çdo qytetar është anëtar i një komuniteti të ngushtë shkencor, ndërsa çdo shkencëtar është anëtar i një komuniteti të gjerë qytetar.

V

Në fund, fenomenet natyrorë janë indiferentë ndaj shtresave sociale, ndërsa tërmeti duket se përzgjedh shoqërisht. Shkaku natyror nuk njeh privilegje, ndërsa tërmeti u duk se njeh privilegje. Ai u ndje drejtpërdrejt nga shtresat e mesme e të varfra, por jo nga pushtetarët dhe oligarkët. As nuk rrafshoi çdo ndërtesë në Durrës apo në rrethinat e tij, krejt pa dallim nga si janë ndërtuar prej njerëzve. Ndërkaq, përzgjedhja sociale dhe shpërndarja e privilegjeve e dëshmojnë atë si fenomen shoqëror. Dhe përderisa në shoqëritë moderne shteti ka monopolin e legjitimitetit për rregullimin e shoqërisë, dëshmohet se tërmeti mundet të përzgjedhë shoqërisht sepse këtë përzgjedhje më parë e ka bërë vetë shteti, dhe pra se ndryshe nga fenomenet natyror, tërmeti është gjithashtu fenomen politik.

Dija është qytetare për sa është politike. Si të tillë, për tërmetin qytetarët dinë mjaftueshëm për aq sa njohin se është fenomen shoqëror-politik. Tej kësaj, njohja e lëvizjes së pllakave tektonike, e valëve të lëvizjes dhe lëkundjeve të tokës që shkaktojnë ato, iu përket më shumë specialistëve të shkencës.

Rëndësinë e kësaj ndarjeje të dijes e kuptoi pushteti. I bashkuar, krah njohjes shkencore për natyralizmin, pushteti u angazhua kundër dijes qytetare për politizimin e tërmetit. Deputetja e “opozitës së re”, Edlira Hyseni, deklaroi në Kuvendin Popullor se “në katër të mëngjesit nuk kishte ndarje politike”. Sipas ministres Balluku, e gjithë opozita, “duhet të ketë fytyrën e Edlirës”. Mirëpo tërmeti tregoi pikërisht ndarjen politike, atë ndërmjet pushtetarëve dhe qytetarëve dhe unitetin ndërmjet pushtetarëve. Ai kishte “ndarë mendjen” të mos i rrënojë shtëpitë e sigurta të pushtetarëve më pranë qendrës së përplasjes së pllakave dhe të rrënojë shtëpitë e pasigurta të shtresave të tjera më larg saj. Fenomeni natyror nuk diferencon me paramendim, por mundet të diferencojë sepse është fenomen politik. Kështu që tërmeti veproi ashtu siç e kishte ndarë mendjen qysh para shumë vitesh pushteti politik, i privatizuar nga qeveria dhe oligarkët.

Ndarjen e madhe sociale dhe shpërfilljen e qytetarëve nga pushteti dhe oligarkët, Valbona Sako, kryetarja e Bashkisë së Durrësit e shprehu më së miri duke marrë si rast vendet ku i kalojnë pushimet ata dhe ku qytetarët. Duke ironizuar të prekurit nga tërmeti si “zotërinj”, ajo tha: “I çojmë në hotele në kushtet më të mira, janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime”. E vërteta është se në “kushtet normale” qytetarët ishin lënë nga pushteti në mëshirën e fenomeneve natyrorë. Ishin lënë kështu në epokën moderne, në të cilën përgjithësisht thuhet se njeriu nuk është më nën sundimin e natyrës. Asaj iu zu për të madhe pse u gëzua që nuk kishte më shumë se 50 viktima, çka është e pranueshme, por nuk u shkarkua për këtë përbuzje ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur, ndaj këtyre “zotërinjve” që mbasi ua marrin votën mund t’i përbuzin. Arsyeja e dorëheqjes ishte lapsus emocional, ndërsa kjo e dyta lapsus moral. Por dha dorëheqjen për lapsusin e parë e jo të dytin, çka është e papranueshme.

Nëse ka ndonjë kuptim argumenti i kryeministrit se tërmeti është mesazh nga Zoti, atëherë i vetmi kuptim është se mesazhi iu është drejtuar qytetarëve, që ashtu siç iu shembën ndërtesat e veta, t’i shembin nga pushteti këta pushtetarë e oligarkë, këtë ngrehinë të ndërtuar keq prej tyre, dhe të mos i zgjedhin më kurrë të tillët në të ardhmen. Ky do të ishte tërmeti i duhur. Përndryshe “Zoti” do të na dërgojë prapë atë të paduhurin. Ata që besojnë këtë mënyrë komunikimi të Zotit me njerëzit, kështu le ta kuptojnë edhe Edi Ramën, edhe ishpushtetarët e çdo kohe, edhe vetë mesazhin e Zotit.

Ky shkrim është shkruar për revistën Publikja Shqiptare, nr.4, viti 2019

Next Post

Koronavirusi/ 656 të infektuar në 24 orët e fundit në Shqipëri

ShpërndajeEdhe gjatë ditës së enjte situata e koronavirusit në Shqipëri vijon të mbete e rëndë sa u përket infektimeve por edhe jetëve të humbur. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit në vend janë kryer 2.174 testime, prej të cilave 397 janë testime janë kryer për arsye depistimi […]