Bota

Ngrohja globale në pikën kulmuese

Emetimet e karbonit, acidifikimi i oqeanit, shkatërrimi i Amazonës po gjenerojnë shifra të reja shqetësuese

Një studim i ri që ka trajtuar shenjat jetësore të planetit ka zbuluar se shumica e treguesve kyç të krizës klimatike globale po përkeqësohen dhe se ose po u afrohen ose po i tejkalojnë pikat kyç, ngase Toka po nxehet fort.

Në përgjithësi, studimi ka zbuluar se 16 prej 31 sinjaleve jetësore të planetit, të cilat janë vrojtuar, përfshirë përqendrimet e gazeve serrë, përmbajtja e nxehtësisë së oqeanit dhe masës së akullit, kanë rezultuar me shifra shqetësuese, ka shkruar të enjten e përditshmja britanike “The Guardian”.

“Janë evidentuar shifra në rritje që tregojnë se po u afrohemi apo i kemi tejkaluar pikat kulmuese lidhur me pjesët e rëndësishme të sistemit të Tokës”, ka thënë William Ripple, ekolog në Universitetin Shtetëror të Oregonit, që është bashkautor i studimit të ri. “Shenjat e përditësuara jetike planetare, të cilat po i paraqesim, i pasqyrojnë kryesisht pasojat e biznesit të paepur si zakonisht”, ka thënë Ripple për “Guardian”, duke shtuar se “një mësim i madh i dalë nga COVID-19 është se edhe transporti, por edhe konsumi i ulur kolosalisht nuk janë as përafërsisht të mjaftueshëm dhe që, përkundrazi, kërkohen ndryshime të sistemit transformues”.

Ndonëse pandemia ka shpjerë në mbylljen e ekonomive dhe në ndryshimin e mënyrës se si njerëzit mendojnë për punën, shkollën dhe udhëtimet, ajo ka ndikuar pak në zvogëlimin e emetimeve të përgjithshme globale të karbonit. Përdorimi i karburanteve fosile ka shënuar rënie të lehtë në vitin 2020, por autorët e raportit të botuar në revistën “BioScience” thonë se dyoksidi i karbonit, metani dhe oksidi i azotit “kanë arritur nivele të reja rekorde për sa i përket përqendrimit në atmosferë si gjatë vitit 2020, ashtu edhe më 2021”.

Lexo më shumë  “Putini është i paparashikueshëm,…” – paralajmërimi i frikshëm nga e veja e Navalnyt

Në prillin e 2021-s përqendrimi i dyoksidit të karbonit arriti në 416 njësi për milion, përqendrimi ky mesatar më i lartë mujor global i regjistruar ndonjëherë. Pesë vjetët më të nxehtë të regjistruar kanë ndodhur që nga viti 2015, kurse viti 2020 ishte i dyti më i nxehti në histori, ka raportuar “Guardian”.

Për më tepër, shkalla e humbjes së pyjeve në Amazonën braziliane ka shënuar rritje në vitet 2019 dhe 2020, duke arritur shifrat më të larta 12-vjeçare, prej 1.11 milionë hektarësh të shpyllëzuar më 2020.

“Acidimi i oqeanit është afër një rekordi të të gjitha kohërave dhe kur kombinohet me temperaturat e ngrohta të oqeanit, kërcënon shkëmbinjtë koralorë, nga të cilët më shumë se gjysmë miliardi njerëz varen për ushqim, turizëm dhe mbrojtje nga stuhia”, ka shkruar gazeta britanike.

Megjithëkëtë, ka edhe disa shenja të mira të shpërfaqura në studim, përfshirë subvencionet e karburanteve fosile që po arrijnë shifra të ulëta dhe uljen e karburanteve fosile. Ashtu që të ndryshohet mënyra se si trajtohen emergjencat klimatike, autorët e studimit kanë shkruar se duhet të ndërmerren ndryshime rrënjësore. Ata kanë shkruar se bota duhet të vendosë një çmim global për karbonin, i cili është i lidhur me një fond të drejtë shoqëror për t’i financuar politikat e zbutjes dhe përshtatjes së klimës në botën në zhvillim.

Lexo më shumë  Evropa, 2 herë më e nxehtë se norma/ Raporti i OBM-së: Kontinenti kaloi vijën e kuqe

Autorët e kanë theksuar njashtu nevojën për një ndalim të përkohshëm të lëndëve djegëse fosile dhe zhvillimin e rezervave globale strategjike të klimës për t’i mbrojtur dhe rivendosur zhytjet natyrore të karbonit dhe biodiversitetin.

Arsimimi klimatik duhet që po ashtu të jetë pjesë e kurrikulave shkollore në të gjithë globin, kanë bërë të ditur studiuesit.

“Politikat për ta lehtësuar krizën klimatike ose ndonjë kërcënim tjetër për planetin nuk duhet të përqendrohen në lehtësimin e simptomave, por në adresimin e shkakut të tyre rrënjësor: shfrytëzimin e tepërt të Tokës”, thuhet në raport. Sipas autorëve, vetëm duke u marrë me këtë çështje thelbësore, njerëzit do të mund të jenë në gjendje që të “sigurojnë qëndrueshmëri afatgjatë të qytetërimit njerëzor dhe t’ua japin brezave të ardhshëm mundësinë për të lulëzuar”./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *