Një brezi i ri për qeverisjen e Kosovës.

RrugaPress2
1 0

Nga Jean-Arnaut Dérens dhe Laurent Geslin, Prishtinë

Zgjedhjet legjislative të kësaj të djele mund të shënojnë fundin e erës në të cilën mbretëronin ish-luftëtarët në vendin e vogël ballkanik. Për diasporën, veçanërisht atë të Zvicrës, të votosh është njësoj si të shkosh në luftë.

Kosova do të kthejë një faqe të historisë së saj. Për herë të parë që prej luftës së vitit 1999, është e qartë se ish-luftëtarët e Ushtrisë çlirimtare (UÇK), nuk do të jenë më në drejtim të vendit pas zgjedhjeve të së djelës. Presidenti i fundit i zgjedhur, Hashim Thaçi dhe shumë figura të ushtrisë së dikurshme janë në pritje të gjykimit nga gjykatat e reja speciale të Hagës për krimet e luftës, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duket se nuk bind dot më me temën e “heronjve të martirizuar”.

“Njerëzit duan ndryshim, një qeveri që të mos bjerë pas tetëmbëdhjetë muajsh dhe nuk e durojnë më klientelizmin që po gërryen vendin”, shpjegon Marigona Iseni, një juriste e re nga Gjeneva e cila kërkon të mobilizojë diasporën. Kjo etje për ndryshim ndjehet edhe në Kosovë dhe mishërohet në dy fytyra, në atë të Albin Kurtit, drejtuesit karizmatik të lëvizjes Vetëvendosje dhe asaj të kryetares së parlamentit ende në fuqi, Vjosa Osmanit, e cila kryen që prej dorëheqjes së Hashim Thaçit, detyrën e presidentes së përkohshme.

Gjatë zgjedhjeve të fundit, të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, lista e Vetëvendosjes kishte dalë tashmë në krye, para asaj të Lidhjes Demorkatike të Kosovës (LDK), të drejtuar nga Vjosa Osmani. Dy partitë kishin formuar një koalicion të drejtuar nga Albin Kurti, e cila u shpërbë pas tërheqjes së LDK-së në mars, pas presioneve nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata Trump përpiqej të impononte në atë kohë një “marrëveshje territoriale” me Serbinë, të cilën Kosova nuk e donte. Vjosa Osmani, e cila mbeti kryetare e parlamentit, u largua nga “shtëpia e vjetër” e LDK-së së diskredituar për shkak se qe përkulur para diktatit amerikan, dhe iu afrua Vetëvendosjes.

Të lindur në vitet 1982 dhe 1975.  

Vjosa Osmani u lind në vitin 1982 dhe filloi të angazhohej në politikë vetëm pas luftës. Si një juriste e re me diplomë të lartë – ajo ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Pitsburgut – u shqua në mbrojtjen e shkëlqyer të çështjes së Kosovës  para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të hapur nga Serbia mbi ligjshmërinë e shpalljes së pëvarësisë nga ish-provinca e saj. Albin Kurti nuk është shumë më i madh në moshë – ai është lindur në vitin 1975 – por është  një diferencë vitesh e mjaftueshme që ai t’i futej politikës  shumë më përpara. Lideri i manifestimeve studentore të vitit 1996, ai është i afërt me Adem Demaçin, “Mandelën shqiptar”, i cili kaloi thuajse tridhjetë vite në burg, i akuzuar njëkohësisht si nacionalist shqiptar dhe si mbështetës i modelit komunist stalinian të Enver Hoxhës.

Gjatë luftës, Albin Kurti dhe mentori i tij Adem Demaçi punojnë në një zyrë të përfaqësisë së UÇK-së në Prishtinë, por nuk janë pjesë e aparatit vendimmarrës, as atij ushtarak as atij politik të organizatës. Megjithatë, militanti i ri arrestohet dhe kalon edhe ai dy vjet në burgjet serbe. Me t’u liruar, ai kthehet në Kosovë në vitin 2001 dhe i drejton kritika të ashpra Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për tutelë ndërkombëtare, në emër të së drejtës së kosovarëve për “vetëvendosje”. Ky u bë dhe emri i lëvizjes së tij, e cila u kthye në parti politike në vitin 2004, duke mbledhur pas vetes të rinj nga qytetet.

I hiqet e drejta për t’u zgjedhur

Albin Kurti premton një luftë të pamëshirshme kundër korrupsionit dhe rrjeteve të interesave që e kanë zaptuar vendin, shpeshherë, thotë ai, në bashkëpunim me misionet ndërkombëtare. Që prej disa vitesh, i pakurruptueshmi Kurti e ka zbutur pak gjuhën dhe qëndrimet e tij, por buzëqesh kur e quajnë “Robespieri i Kosovës”. Ikja nga qeverisja e ka forcuar edhe më shumë popullaritetin e tij dhe ai pret një plebishit të djelën.

Megjithatë, rezultatet mund të lindin polemika. Albin kurtit i është hequr e drejta për t’u zgjedhur. Shkak u bë dënimi penal për manifestimet e dimrit të vitit 2016, kur deputetët e Vetvëndosjes, të cilëd denonconin dhunën e policisë ndaj tubimeve në rrugë, kishin hedhur gaz lotsjellës në sallën e parlamentit…Kështu, numri një i listës së Vetëvendosjes nuk u shënua në fletët e votimit, ndërsa Vjosa Osmani shkon në vend të dytë. Sipas juristëve të Vetëvendosjes, edhe nëse Albin Kurti nuk zgjidhet deputet, ai mund të marrë ligjërisht postin e kryeministrit. Pritet pra të ketë shumë tension në ditët që do të pasojnë votimet, përveç në rast se Vetëvendosja fiton në mënyrë dërmuese, duke shuar të gjitha kundërshtimet.

Diaspora mobilizohet.   

Ndoshta dëshira për ndryshim nuk është askund më e madhe sesa në gjirin e diasporës, por të votosh është njësoj si të shkosh në luftë. “U bë çdo gjë e mundur për t’i penguar njerëzit. Kishte vetëm shtatë ditë kohë për t’u regjistruar, ndërsa të gjitha veprimet duheshin bërë nëpërmjet internetit, gjë që nuk është e lehtë për të gjithë”, shpjegon Marigona Iseni. Shoqata e studentëve shqiptarë të Gjenevës, në bashkëpunim me shoqata të tjera në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara, ka hedhur aplikacionin Du Me Votu, i cili ka si qëllim të ndihmojë njerëzit të plotësojnë formularët.

Rezultatet e para janë inkurajuese. Sipas të dhënave të Komisionit Zgjedhor, është bërë e mundur të regjistrohen 103 000 zgjedhës jashtë vendit, ndërsa janë refuzuar 72 000 dosje. Është një shifër shumë më e lartë se ajo e vitit 2019 (40 313 të regjistruar) dhe e vitit 2017 (20 353 të regjistruar), por kjo është vetëm etapa e parë. Më pas, duhet që fletët e votimit të mbërrijnë në Prishtinë para datës 14 shkurt. Një sfidë e madhe kjo, sidomos në këto kohë kovidi. “I kemi ndihmuar njerëzit të dërgojnë fletëvotimin e tyre me postë, me DHL”, vazhdon Marigona, “por kërkojmë që të merret parasysh data e dërgimit, jo ajo e mbërritjes. Duhen marrë parasysh fletët e postuara para datës 14.” Pesha politike e gjithë kësaj është e madhe: 100 000 fletë votimi do të thotë pothuajse 10% e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve.  

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

E gjithë bota në luftë ndaj COVID-19, ja shteti që i rikthehet normalitetit

Në një kohë kur pjesa më e madhe e botës po lufton ndaj COVID-19, Islanda po i rikthehet normalitetit. Prej javësh vendi i ka hequr masat kufizuese, por ka forcuar shumë kontrollet në pikat e saj kufitare. Islanda tashmë prej tre javësh është i vetmi vend me “ngjyrë të gjelbër” […]