Pagat e ulëta i mbajnë larg punonjësit e kualifikuar nga hotelet shqiptare

RrugaPress2
0 0
Shpërndaje

Sektori i hotelerisë, bareve dhe restoranteve në Lezhë ofron mijëra vende pune çdo vit, por gjen pak punonjës të kualifikuar dhe me eksperiencë, për shkak të pagave të ulëta dhe nga mosrespektimi i të drejtave të punëmarrësve nga punëdhënësit.

Pasi përfundoi arsimin profesional në degën hoteleri-turizëm, Donaldo Dedgjonaj nga Lezha u largua nga Shqipëria. Paga e ulët e shtyu të riun që ta shikojë të ardhmen larg vendlindjes së tij dhe aktualisht punon në një sipërmarrje turistike në Kroaci.

Dedgjonaj ka kryer arsimin profesional në degën hoteleri-turizëm në shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë, në vitin 2020 ka përfunduar shkollën dhe menjëherë ka vendosur që të largohet nga Shqipëria.

“Për fat të mirë më priu mbarë dhe aktualisht jetoj në Kroaci dhe jam i punësuar në një sipërmarrje turizmi,” thotë ai, ndërsa shton se paga i shkon deri në 1500 euro në muaj.

“Ka qenë një vendim i vështirë që të jem larg familjes, por mungesa e shpresës dhe pagat e ulëta më detyruan që të largohem nga këtu,” shtoi Dedgjonaj.

I riu kujton se kur ka qenë në shkollë punonte gjatë stinës së verës, por paga në Shqipëri as që mund të krahasohet më të ardhurat që siguron nga puna në Kroaci.

“Në periudhën e sezonit turistik e kisha pagën më të lartë – shkonte ke 40 mijë lek të reja, ndërsa gjatë kohës tjetër të vitit nuk paguhesha më shumë se 20 mijë lek të reja,” shpjegoi Dedgjonaj.

Sektori i shërbimeve në hoteleri, bare dhe restorante në rajonin e Lezhës ofron rreth 3 mijë vende pune çdo vit. Por më shumë se 90% e punonjësve nuk kanë asnjë kualifikim, ju mungon dhe eksperienca. Kjo bën që një zonë turistike si Lezha të këtë probleme në dhënien e shërbimeve. Shkolla profesionale dhe kurset e ndryshme nuk e plotësojnë nevojën që ka sektori i turizmit, sidomos stinën e verës ku dhe numri i të punësuarve 5-fishohet.

Bardh Dedegjonaj, drejtor i shkollës profesionale “Kolin Gjoka” në Lezhë, tregon se nga kjo shkollë ka dalë brezi i parë që ka përfunduar arsimin për hoteleri-turizëm.

“Kemi nxjerrë vetëm një brez për hotelieri-turizëm prej 47 personash dhe jo të gjithë punojnë në Lezhë, kanë ikur dhe jashtë,” shpjegoi Bardhi. “Një numër kaq i vogël s’plotëson nevojat e biznesit,” shtoi ai.

Sipas Bardhit shkolla ka shumë kërkesa nga sektori i hoteleri-turizmit për të rinjtë që kanë përfunduar arsimin profesional, por edhe ata që e kanë përfunduar shkollën nuk preferojnë të punojnë në Shqipëri dhe e shohin të ardhmen larg vendit.

“Shkak për këtë situatë mendoj se janë pagat e ulëta,” tha Bardhi Dedgjonaj. “Në këto kushte mendoj se sipërmarrjet e hoteleri-turizmit, duhet t’i trajnojnë punonjësit,” shtoi ai.

Ngjashëm mendon dhe Arbër Avdija – një prej profesorëve të shkollës profesionale në Lezhë, i cili shpjegon se interesi i të rinjve për kurse profesionale në sektorin e hoteleri-turizmit është i ulët.

“Shkak i kësaj situate janë pagesat e ulëta dhe sezoni është i shkurtër,” tha Avdija.

“Bizneset duhet ti paguajnë më mirë, pasi dhe ata që përfundojnë kurset apo arsimin profesional kërkojnë të largohen nga vendi,” shtoi ai.

Bizneset vendore thonë se kanë dëshirë të punësojnë profesionistë të fushës, por theksojnë se nuk i rrisin dot pagat sepse fitimet janë të pakta dhe janë ngushtuar edhe më shumë nga pandemia e COVID-19.

“Në vazhdimësi po kërkoj punëtor të kualifikuar, por s’po mund të gjej,” thotë Besnik Sula, administrator i një kompleksi turistik në Shëngjin. “I jam drejtuar zyrës së punës dhe shkollave profesionale, por më thonë nuk ka,’ shtoi ai.

Sula shpjegon se gjatë sezonit turistik rroga e një kamarieri shkon 40 deri në 50 mijë lek të reja, por ai nuk ka mundësi të paguaj më shumë sepse aq punë kanë, ndërkohë që edhe pandemia i ka vënë shumë në vështirësi.

“Vitin që lamë pas fitimi ka qenë zero, ndërsa dhe për këtë vit pak shpresa kemi,” nënvizoi ai.

Të njëjtin shqetësim ngre dhe një pronar lokali në qytetin e Lezhës. Ai thotë se po hasin shumë vështirësi për të siguar staf.

“Kemi vështirësi për kamarierë dhe banakierë, deri dhe pastrues,” shpjegoi Arben Kola. “Ka 1 muaj që kam vënë njoftimin në disa vende për kamarier dhe askush s’ka ardhur as për tu interesuar,” shtoi ai.

Kola thekson se rroga që ofron reflekton dhe nivelin e të ardhurave.

“Pandemia na goditi shumë rëndë dhe e kemi vështire ta marrim veten,” theksoi ai.

Drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit në Lezhë, Fatmir Delishi shprehet se në vazhdimësi ka kërkesa për punëtor nga biznesi, por vendet e punës refuzohen nga punëkërkuesit e papunë, të cilët preferojnë të punësohen në institucione publike.

“Pretendojnë se keqpaguhen dhe nuk pranojnë të shkojnë,” tha ai. “Qëllimi i qytetarëve është që të punësohen në institucione shtetërore,” shtoi Delishi.

Por një i ri nga Lezha, i cili ishte punësuar tek një sipërmarrje hoteleri-turizmi përmes Zyrës së Punës, i tha BIRN se shpesh pronarët nuk i respektojnë të drejtat e punëmarrësve.

Pasi përfundoi një kurs profesional për hoteleri-turizëm, ai i drejtua Zyrës së Punës dhe ata e lidhën me një nga bizneset që kërkonte punonjës. Pronari fillimisht i tha se rrogën do t’ia përcaktonte pas një periudhe prove.

“Bëra muajin e parë të punës si recepsionist në një hotel dhe më pagoi vetëm 20 mijë lek të reja, pra as pagën minimale që është e përcaktuar me ligj,” tha 20-vjeçari, i cili nuk donte të identifikohej me emër.

“Pasi mora rrogën u detyrova të largohem dhe po shikoj mundësinë të largohem jashtë vendit,” shtoi ai.

Problematikat me të punësuarit në sektorin e hoteleri-turizmit janë identifikuar dhe nga inspektimet e kryera gjatë 3 viteve të fundit nga Inspektorati Shtetëror i Punës.

“Gjatë kontrolleve të ushtruara bazuar në legjislacionin e punës janë evidentuar problematikat si mos pagesa e orëve shtesë të kryera jashtë orarit normal të punës, shtesa mbi pagë për punën e kryer gjatë turnit të II dhe të III të natës,” tha kryeinspektori rajonal, Arber Leknikaj.

Leknikaj theksoi se në kushtet e flagrancës, gjatë inspektimeve rastësore janë konstatuar punëmarrës informal, si dhe mosdhënia e pushimit javor për punëmarrësit e regjistruar.

Gjorgjian Kola, i cili është 30-vjeç dhe ka 3 vite që punon si kamarier në Lezhë, thotë se duhet të stimulohen punonjësit me paga të mira që të mos të largohen nga Shqipëria.

“Pavarësisht se pagat janë të ulëta jam munduar që ta siguroj jetesën këtu në Shqipëri,” tha ai. “Fytyra e kamarierit është fytyra e lokalit,” theksoi Gjorgjiani, ndërsa shtoi se “nëse paguhen mirë, s’kanë arsye të largohen jashtë vendit.”/birn/


LAJME:

Next Post

Egjipti para faraonëve, arkeologët zbulojnë të dhëna të reja

ShpërndajeArkeologët egjiptianë që punojnë në Deltën e Nilit kanë zbuluar dhjetëra varre të rralla predinastike që datojnë në periudhën parafaraonike të 5 mijë viteve më parë. Në të njëjtën zonë u gjetën edhe varre afër periudhës së mëvonshme të Hyksos (1650 deri 1500 p.e.s.), kur migrantët e Azisë Perëndimore mbërritën […]