Pakorruptueshmëria e Albin Kurtit nuk është defekt, por standard

User1
0 0

Albinin nuk e votuan as për të bukur, as si magjistar, por thjesht se është shpallur si i pakorruptueshëm. Pra, në një farë mënyre ka premtuar të jetë një nga ata që e kanë votuar. Ky është fillimi, natyrisht, ka kohë për ta parë, nëse do të jetë i tillë. Por ta sulmosh në parim, atëherë e pakta nuk ke kuptuar pse kanë votuar njerëzit. E këtu, mjerisht duhet thënë se Mustafa Nano është ose njësoj ose në gjendje më të keqe edhe se Isa Mustafa…

-Replikë me Mustafa Nanon-

Ka një retorikë të çuditshme pas fitores së rëndësishme, plebishitare të Albin Kurtit në Kosovë. Një retorikë që vjen nga Prishtina e Tirana, natyrisht nga njerëz që e kanë kundërshtuar apo mallkuar liderin e Vetëvendosjes.

Një retorikë që me një paturpësi olimpike, ka nisur të numërojë “dështimet” e Albinit-Kryeministër, pa u certefikuar ende rezultati zyrtar i KQZ-së së Kosovës. Është tragji-komike dhe natyrisht nuk do të nevojitej koment, nëse kjo maskaradë të mos vijohej që nga e diela në darkë e deri sot.

Albin Kurti po mallkohet për ato aspekte të qeverisjes që sipas tyre s’do t’i bëjë, ndërkohë që Albin Kurti ka dhënë vetëm një qëndrim në të nxehtë: falënderimin për fitoren e thellë në zgjedhje.

Vetëm kaq. Atij i duhet natyrisht të shikojë se sa fitorja e tij ka një logjikë qeverisëse, sa janë forcat në terren, që mbi këtë bazë të nisë; idetë, studimet, e natyrisht diskutimet, si pjesë e strategjisë dhe parimeve që Vetëvendosja ka dhe ka shpallur në fushatë.

Për shembull, Albin Kurti po sulmohet përse e tha që dialogu nuk është prioritet i parë i Kosovës, por që renditet i gjashti a i shtati.

Kësaj i thonë të gjykosh apo të paragjykosh një kauzë të politikanit që ka dalë në fushatë dhe ka marrë votat për të qeverisë Kosovën, ndërkohë që i kërkohet të bëjë të kundërtën. Vetëvendosja i ka marrë votat në popull pikërisht për angazhimet që ka marrë në fushatë, e ku dialogu nuk konsiderohet prioritet.

Për këtë është folur shumë dhe ka dy koncepte të kundërta; njëri që kërkon të vijojë rruga që ka ndjekur elita e vjetër prej 12 vjetësh pra dialog për dialog, ku Serbia e tërheq litarin sipas interesave të saj, dhe koncepti tjetër që mbështet Albin Kurti: dialog me Serbinë vetëm për njohjen e Kosovës nga Beogradi.

Administrata e Presidentit Biden, e Bashkimit Europian, natyrisht që do të kërkojnë të vijojë dialogu me Serbinë. Dhe këtë dialog Albin Kurti nuk se e ka mohuar, ai thjesht ka dhënë një logjikë të prioriteteve të tij dhe Kosova për herë të parë ka idenë dhe planin e saj për të diskutuar me Beogradin, me ndërmjetësim e garanci nga SHBA e BE. Por dialogu nuk është dhe nuk mund të jetë një tentativë detyruese, pasi atëherë ai vetëm dialog nuk mund të quhet.

Vetëvendosje nuk është votuar për dialogun si shtyllë politike dhe këtë e ka bërë me koshiencë në fushatë.

E për këtë argument ka marrë përgjigjen pozitive nga zgjedhësit.

Albin Kurti, sipas gjasave do të ketë një program qeveritar, që siç tha, bazë do të ketë drejtësinë e punësimin si prioritet, plus të tjerave me radhë.

Jemi në pandemi, ka probleme të rënda ekonomike e sociale, të shkaktuara edhe nga pandemia, ka një uri për drejtësi e ndëshkueshmëri të korrupsionit e krimit. E kjo uri është si oksigjeni, ndaj dhe qeveria e re duhet t’i rrokë këto prioritete në axhendë.

Dialogu me Serbinë është natyrisht një proces, e si proces do të ketë hapat e duhura, por nuk ka si të jetë element jetik i shtetësisë së Kosovës, fare. Pasi me Serbinë, Kosova ndan shumëçka, në radhë të parë të shkuarën e gjenocidit, pushtimin 100 vjeçar, e nuk mund të jetë dialogu me Serbinë si një proces që Gjermania Perëndimore kishte me atë Lindore në fund të viteve 80 të shekullit të shkuar për bashkim.

Por kjo është njëra anë. Tjetra është edhe më e rëndë dhe është artikuluar në një koment të gjatë e qasje të Mustafa Nanos.

Nano, në një qasje të gjatë shkruan se mos-korruptueshmëria e Albin Kurtit nuk është asgjë, madje me një logjikë diabolike e krahason edhe me Enver Hoxhën, që sipas Nanos ka qenë i pakorruptueshëm.

E para, të jesh i korruptueshëm e që është koncept i lashtë sa vetë jeta mbi tokë, nuk ka lidhje vetëm me paratë, i pari që korruptohet është shpirti, e Enver Hoxha ishte korruptuar në shpirt kur pranoi vrasjen, krimin, dhunën, fillimisht brenda familjes së tij, e më pas në shoqëri e shtet.

Albin Kurti, natyrisht do të gjykohet për veprat e tij, e këtu do të jemi; ta gjykojmë, ta analizojmë e padyshim ta kritikojmë, kush më shumë e kush më pak.

Por nëse ai thotë jam i pakorruptueshëm, është një gur kilometrik, një standard, quaje edhe virtyt, por nuk mund të cilësohet si hile, apo një ves i keq.

Në shoqërinë shqiptare, tipat që janë shpallur të pakorruptueshëm janë konsideruar si të frikshëm, duke i paracilësuar diktatorë, pasi nuk janë gati të zgjidhin qesen për ata kastë servilësh që i bëjnë shërbimin.

Por Kosova dhe bota shqiptare është në një epokë të re, ky është ndryshimi; mirëpo klika vijon të veprojë me mendësinë e vjetër të gjobës dhe shpërblimit.

Shpërblimi nuk vjen në logjikën e vjetër otomane të tagrambledhësit, por me konceptin modern të shoqërisë qytetare, ku çdokush bën detyrën e tij, e në këtë rast shpërblimi është punë e gjithësecilit, po në radhë të parë e institucioneve shtetërore.

E keqja e çdo shoqërie të deritashme në hapësirën shqiptare është se ka qenë klienteliste, tribale, e ka konsideruar mall dhe shkëmbim këdo që jep e merr, ndërsa njerëzit që i ka në përkujdesje janë konsideruar si turmë.

E këtu Mustafa Nano duhet ta ketë të qartë se Albini nuk mund të ndëshkohet në bazë të cilësimit si i pakorruptuar, por pikërisht për këtë është vlerësuar dhe mori votën më të madhe historike në Kosovë. Kaq e thjeshtë është…

Standardi i një lideri që nuk e konsideron rryshfetin si shtysë e shoqërisë edhe filozofikisht është thelbi i kësaj risie. Pasi në fakt, nuk se ka qenë gjithmonë rryshfeti një shtysë, jo vetëm në traditën shqiptare por edhe në shoqëritë e perandorive të sofistikuara.

Rryshfeti, korrupsioni e veset e tjera, kanë ardhur si dominim, pikërisht në stadin e rënies së shoqërive të sëmura.

Edhe Perandoria Romake, ajo Bizantine, por edhe osmanët, nuk kanë qenë gjithmonë të sëmurë, të mos

themi për shoqëritë e mëpastajme të shekujve, ku u zhvillua shkenca dhe dija…

Logjika e shoqërisë njerëzore, ka si bazë të saj integritetin, natyrisht të lidhur me kanunet e ligjet, por të gjitha janë të lidhura të paktën me 10 urdhëresat tashmë të palëvizshme të Dhjatës së Vjetër.

Kjo është vetëm dyshemeja, pasi normalisht standardi i kërkesës qytetare në historinë njerëzore ka marrë edhe dimensione sociale, mjedisore, të drejtash e lirish që bota e qytetëruar i pasuron në programe e axhenda qeverish. Por detyra e një lideri është që këto prioritete t’i shpallë e t’i mbrojë.

Albinin nuk e votuan as për të bukur, as si magjistar, por thjesht se është shpallur si i pakorruptueshëm. Pra, në një farë mënyre ka premtuar të jetë një nga ata që kanë votuar. Ky është fillimi, natyrisht, ka kohë për ta parë, nëse do të jetë i tillë.

Por ta sulmosh në parim, atëherë e pakta nuk ke kuptuar pse kanë votuar njerëzit. E këtu, mjerisht duhet thënë se Mustafa Nano është ose njësoj ose në gjendje më të keqe edhe se Isa Mustafa…/Pamfleti

Rruga Press


Next Post

ANALIZA/ “Pse vaksina e “personaliteteve” nuk i fsheh dot mbi 5 mijë të vdekurit”

Shkruan Redi Gjuzi Shqipëria po përjeton një dramë të fortë humanitare për shkak të pandemisë. Spitalet e vendit, shtetërore dhe ato private, janë plot me të infektuar dhe mjekët, si rrallëherë, dalin publikisht për të pohuar ezaurimin e vendeve. Në veri, qytetarët po zgjedhin Prishtinën dhe Prizrenin për t’u kuruar. Në […]