BallinaLajme

Pas aferës 7 milionëshe, shteti i bën një tjetër favor të madh Ferronikelit të oligarkut Mane

Shteti i ka kryer një favor të madh kompanisë “NewCo Ferronikeli Complex” L.L.C., në pronësi të oligarkut Samir Mane.

Kuvendi i Kosovës i ka liruar nga taksa minerare për pesë muajt e parë të vitit 2021 kompanitë minerare që ushtrojnë aktivitetin e tyre në Kosovë.

Me Amandament të veçantë në kuadër të Ligjit për Rimekëmbjen Ekonomike, të propozuar nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të kaluar me 43 vota, parashihet lirimi nga pagesa e rentës minerare i kompanive private dhe shtetërore.

Ky amandament do t’i kryejë favor të madh ndërmarrjes private “NewCo Ferronikeli Complex”, në pronësi të oligarkut shqiptar, Samir Mane. Gjiganti metalurgjik në Drenas ka paguar më së shumti taksë minerare në dy vitet e fundit, ka thënë sot deputetja Mimoza Kusari-Lila.

Sipas Kusari-Lilës, Amandamenti i propozuar nga deputeti Abrashi ka vetëm një qëllim: lirimin nga taksat qindra mijëra euroshe minerare të ndërmarrjes private Ferronikeli.

“Konsideroj se për opinionin është shumë e rëndësishme të dinë se ky amandament nuk ka të bëjë me ndërmarrjen Trepça, për arsye se deri më tash KPMM-ja ka inkasuar nga renta minerare vetëm për një kompani, dhe kjo është Ferronikeli”, ka thënë Kusari-Lila.

Me kalimin e Amandamentit të propozuar nga Abrashi, Ferronikeli do të lirohet nga renta minerare në një vlerë të përllogaritur deri në qindra mijëra euro.

Lexo më shumë  Garuesit e FSK-së zënë dy vendet e para në garën ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”

“Për vitin 2019, Ferronikeli ka paguar 2,442,009.00 euro, ndërkaq për vitin 2020 ka paguar rreth 626,157.00 euro. Përderisa për Trepçën, kjo kompani nuk e paguan rentën minerare dhe Trepça ka probleme të tjera. KPMM-ja nuk ka inkasuar nga Trepça”, ka deklaruar deputetja e VV-së.

Amandamenti numër 16 në kuadër të Ligjit për Rimekëmbjen Ekonomike parasheh lirimin për pesë muaj nga renta minerare të të gjitha subjekteve që obligohen të paguajnë këtë taksë.

“Me qëllim të Rimekëmbjes Ekonomike, lirohen nga pagesat minerare prej datës 1 janar 2021 deri më 1 maj 2021, të gjitha subjektet që paguajnë këtë rent. Me këtë amandament parashihet të lirohen për pesë muaj të gjitha subjektet që janë pagues të kësaj rente”, ka thënë Abrashi, në prezantimin e Amandamentit para deputetëve.

Në një replikë ndaj Kusari-Lilës, deputeti i AAK-së ka refuzuar të pranojë se propozimi i tij më së shumti i shkon në favor ndërmarrjes “NewCo Ferronikeli Complex”. Ka thënë se propozimi i tij ndihmon të gjitha bizneset e kësaj fushe.

“Në këtë amandament parashihen të lirohen nga pagesa e rentes, të gjitha ndërmarrjet që janë subjekt i pagesës së kësaj rente. Fjala për të gjitha ndërmarrjet parashihen të gjitha subjektet që paguajnë rentë minerare, kështu që ajo që e the ti është e pasaktë”, është shprehur deputeti nga Mitrovica.

Lexo më shumë  Ministria Vitia për aparaturën e Mjekësisë Bërthamore: Fjalë e fundit e teknologjisë

Por, Kusari-Lila ka nxjerrë në pah një fakt që nxitë dyshime për qëllimet e Amandamentit të propozuar nga Abrashi. Ka thënë se propozimi i Abrashit është modifikuar gjatë rrugës.

“Po, z. Abrashi, është e vërtetë. Megjithatë tash keni modifikuar Amandamentin në prezantim, përderisa në Komision e keni prezantu si Amandament i cili do e ndihmojë Trepçën sepse vini prej atje. Unë nuk po mundohem të dezinformojë askënd, por po mundohem të informojë se cila është arsyeja se nga vjen ky Amandament”, ka thënë Kusari-Lila.

Favori i Qeverisë së Kosovës për kompaninë e Manes në Kosovë, vjen një javë pasi Gazeta Insajderi zbuloi se si shteti i kishte fal mbi 7 milionë euro borxhe tatimore kompaninë “NewCo Ferronikeli Complex L.L.C”.

Shkrimi dëshmon se si ATK-ja, përmes një procesi të dyshimtë, ia fshiu borxhet tatimore gjigantit metalurgjik, një muaj pas blerjes së ndërmarrjes nga oligarku Mane.

Një ditë pas publikimit të shkrimit, ATK-ja kërkoi nga prokuroria të nisë hetimet për rastin. Nisjen e hetimeve për rastin e konfirmoi Prokuroria Speciale e Kosovës të hënën. /Insajderi.org/

https://www.rrugapress.al/skandal-agjensia-tatimore-e-kosoves-i-fal-mbi-7-milione-euro-borxhe-oligarkut-samir-mane/

YouTube player