Patronazhisti!

User1
1 0

Shkruan Klejd Këlliçi

Para pak ditësh shqiptarët u zgjuan me një patronazhist. Shumë kush mori vesh se të dhënat e tij përdoreshin nga PS për identifikimin e preferencës politike, përpos informacioneve të tjera personale si numri personal i identifikimit, vendi i punës apo numri i telefonit. Anash listës shqiptarët gjetën një emër, në shumicën e rasteve të panjohur, atë të patronazhisitit. Me gjasë nëse këto zgjedhje do të mbahen mend ato do cilësohen si zgjedhje të patronazhistëve. Në kohën e qoftëlargut patronazhi ishte forma me të cilën mesueset i ngarkonin një nxënësi të mirë të ndihmonte një më të dobët me shpresë se ky i fundit do të arrinte shokët e klasës.

Përpos qëllimeve të mira patronazhi nuk shkonte më tej se të bërit detyra bashkë apo shoqërisë së sforcuar me nxënësin që kish dalë nga rradha. Në shoqëritë pre moderne patronazhi është forma me të cilën një politikan i caktuar ushtron ndikim mbi elektoratin në këmbim të votës. E ky ndikim varet nga pesha e patronazhit, kapaciteti që patroni ka për të punësuar votuesin, për ti dhënë atij favore të vogla e të mëdha në këmbim të kontrollit mbi votën.  Patronazhistët e PS as ngjajnë e as i afrohen këtij sistemit të patronazhit klasik pasi as mundohet të shkojë e të zgjerojë rrezen e vet tej nevojës për të marrë vota. Patronazhi i PS është apo tenton të jetë një sistem rudimental e deri diku qesharak mbi votën e votuesit në Shqipëri. Nuk synon vetëm elektoratin e vet por synon të gjithë, përmes një sistemi i cili ka si shantazhin si kontrollin në qendër të logjikës së vet.

Patronazhistët e PS nuk janë as më shumë e as më pak pasardhësit e kryetarëve të Fronteve Demokratike të lagjes, pleq të hidhur që shantazhonin e kontrollonin për llogari të partisë sa antena kishte në tarracë, kush luante jashtë përpara orës pesë pasdreke, kush shfaqte shenja pakënaqësie e kështu me rradhë.  Kjo figurë shpesh e urryer dhe e përçmuar mbaroi me vitin 1991, e ishte një prej çlirimeve të shumëfishta që shqiptarët provuan. Fronti vdiq e bashkë me të dhe kryetari idhnak e spiun.


PS është pasardhëse e PPSh e nuk  mund ta harrojë as frontin as lagjen. Ndonëse hap e mbyll zyra elektorale në prag zgjedhjesh, si çdo parti tjetër, ka referentët e saj në to, hafijet moderne që përgjojnë e mundohen të kuptojnë humorin e banorëve, potencialëve votues në zgjedhjet e rradhës. Patronzhisti i djeshëm ishte rëndom pensionist, anëtar i betuar partije, me merita në ndërtimin e socializmit e për pasojë shërbëtor i devotshëm i tij. Patronazhisti i sotëm është një figurë hibride mes militantit të zellshëm dhe punonjësit të shtetit. Asnjëherë vullnetar, asnjëherë për bindje por thjeshtë për interes të shitshëm e të bleshëm kurdo. Është militant në kuptimin e ushtarit por jo të bindjes. Militon për hir të asaj çka ja bën jetën më të rehatshme, posti publik jo si shenjë profesioni por si shpërblim partiak.

 Patronazhistët janë ushtri e madhe në numër por e vakët në shpirt. Shpesh anonimë, e akoma më shpesh në poste parazite të administratës publike, mbushin rradhët e publikut adhurues për padronin e tyre, patronin e vërtetë. Ata qarkojnë e mbushin zyrat elektorale të partive përkatëse nga ku vëzhgojnë si dikur banorët e lagjeve, të ndarë në miq e armiq, ata që votojnë e ata që nuk e votojnë patronin e tyre. Roli i tyre është i zymtë, ai i spiunit të vogël të ferrave, por rëndësia është e madhe. Mbi patronazhistët partia ngre skemën e kontrollit mbi territorin, mbi votuesit e suksesin elektoral. Ata janë dhe mbeten trashëgimtarët e vërtetë të ish kryetarëve të fronteve demokratike dhe pse me justifikimin modest të pasjes së një vendi pune e jo ideologjinë zyrtare që udhëhiqte masat. Patronazhistët kanë si referencë lali erërat që popullojnë vrrullshëm Partinë mëmë, por nuk janë qenie ideologjike, por praktike që duan vetëm kockën që i hedh padroni, vendin e vogëlth të punës, ku mund të bien në letargji në periudhat midis dy zgjedhjeve. Ata janë aty jo vetëm për PS-në, po për këdo që i siguron komoditetin e militantit. /RrugaPress.al/

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara


Next Post

Vuçiç sulmoi PD-në/ LVV në Shqipëri: Kërkon të ndikojë në zgjedhje, synon dominim ekonomik!

Drejtuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi ka folur rreth deklaratave të fundit të Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç. Në fjalën e tij Vuçiç hodhi akuza ndaj liderit të PD-së Lulzim Basha duke thënë se ai qëndron nën hijen e ish-kryeministrit Sali Berisha, ku ndër të tjera tha se ata […]