BallinaEditorial

Për kryeministrin protestuesit dhe policët janë mish për pushtet

Nga Elvis Hoxha

KM doli në konferencën e tij për shtyp. Ai na tha se sapo u kthye nga Amerika. 

Na tregoi se kishte shkuar menjëherë për vizitë ngushëllimi në familjen e Klodjanit. Dhe e nisi me fjalët e babait të djaloshit të ndjerë: “Asnjë lule e vetme nuk mund të preket në emër të tim biri”. 

Por KM nuk na tha se jetët e njerëzve të Tranës, të minatorëve, të naftëtarëve, të lënët pa strehë nga tërmeti i natyrës dhe tërmeti shtetëror i astirit, qoftë edhe jeta e Klodjanit kanë të paktën të njëjtën të drejtë si dhe lulet në këtë vend. 

KM na tha se babai i Klodjanit nuk do zhurmë politike, por drejtësi. Babai i Klodjanit ka të drejtë. Por Ardi Veliu është ende aty ku ishte, ndërsa Klodjani nuk është më. Ardi Veliu është aty ku ishte, pra nuk ka zhurmë politike. As drejtësi e as zhurmë politike nuk ka këtu. Këtu ka vetëm zhurmë, si dikur e thoshte KM atëherë kandidat për kryebashkiak. Zhurma është zhurmë, ndërsa zhurma politike sjell drejtësi, për të gjithë ata që nuk e kanë kuptuar ende, ngaqë nuk pati zhurmë politike, 21 janari përfundoi me të njëjtën padrejtësi mbi trupat e të vrarëve. Babai i Klodjanit do drejtësi, por ai nuk i kërkoi këtë KM që erdhi në pushtet për të dhënë drejtësi për krimin e 21 janarit. 

KM na tha se polici vrasës është njeri i çfarëdoshëm, por arma qe e shtetit. Ky qenka problemi. KM harroi se edhe uniforma është e shtetit, edhe paga që merr polici, autoriteti që ka polici, emërimi i policit. Të gjitha këto të dhëna i përkasin shtetit. Polici nuk u bë polic sepse mori në dorë armën e shtetit. Njeriu me një armë të shtetit në dorë u bëka polic, ky qenka opinioni i KM për policinë e shtetit. Pra KM me këto fjalë sapo e zhveshi policin vrasës dhe bashkë me të tërë policinë e shtetit. KM e bën shumë shpejt dhe thjesht historinë e institucioneve, dhe ndoshta me të njëjtën shpejtësi e ka veshur vrasësin e Klodjanit polic. KM, duke na thënë se vetëm arma është e shtetit, i lan duart nga krimi njerëzor. Të paktën e shpreson një gjë të tillë, edhe pse pak minuta më vonë do të na thotë se duhet shumë për të përgatitur një polic. Por këtë gjë do të na vërë në dukje kur të bëhet fjalë për policen që ka humbur gishtat nga dhuna e protestuesve. 

KM reflekton dhe na përsërit se vdekja e të riut erdhi nga arma e shtetit, a thua se kjo është e keqja e madhe. E keqja e madhe është vetëm fakti se polici ka përdorur armën e shtetit. Po të kishte përdorur armën e vet, shteti do të ishte i larë. Km u deklaroi pra të gjithë shqiptarëve se nëse rrihen në mbrojtje të shtëpisë, pagave të tyre, apo dhe Teatrit, fajin nuk e kanë policët, ata janë të papërgjegjshëm, por fakti që ata përdorin sende që i përkasin shtetit. Me një retorikë të shkathët, aq sa di KM, ai po na deklaron se funksionarët e rendit mbeten privatë ndërsa vetëm armët e tyre janë të shtetit. Pra, me policët merruni privatisht. 

KM nuk ka marrë masë për policinë që shembi Teatrin me njerëz brenda. Sigurisht, nëse për ndonjë fat të keq, por aspak të rastësishëm, dikush do të mbetej viktimë poshtë rrënojave të teatrit, KM do të dilte më pas në një konferencë në televizionin e tij privat (me seli në kryeministri) dhe do të na thoshte se policët nuk kishin për mision të gjendeshin në atë orë në atë zonë të kryeqytetit. Sepse për KM çdo polic është një shkop gome, të cilin mund ta përdorësh dhe pastaj ta hedhësh sepse nuk rreh në kohën e duhur, apo sepse nuk rreh aq dinakërisht sa do të donte KM. 

Akti i policit është i pakuptueshëm na tha KM, por KM harroi të mendonte e të thoshte se edhe më i pakuptueshëm është deklarimi i institucionit të policisë menjëherë pas vrasjes, duke na thënë se Klodjani mund të ishte i armatosur. Pra, KM harron se jo vetëm polici, por edhe SHÇBA-ja qenka e mbushur me njerëz të papërgjegjshëm e që kryejnë akte të pakuptueshëm. KM me një gjest të fjalës e shtriu papërgjegjshmërinë në shumë sektorë të policisë së shtetit.  

KM na  tha se “drejtësisë i duhet kohë për të hetuar” gjithçka, por nuk na tha se sa kohë duhet që të ketë drejtësi për 4 të vrarët e 2 prillit në Shkodër. Po e marr për shembull 2 prillin e vitit 1991. Kanë kaluar 29 vite dhe nuk është parë drejtësi. Pra, kohët e drejtësisë në këtë Republikën e KM janë të padrejta. 

Pastaj KM na ftoi të reflektonim bashkë me të. Sepse erdhi dita që KM të pyesë veten dhe ne nëse kohët e fundit policia ka shfaqur shenja brutaliteti. Sepse ndoshta askush nuk e ka vënë re një gjë të tillë, përveç presidentit të Republikës dhe ndonjë tjetri. Këtu KM harroi që është KM, por e mori veten për sociolog. Domethënë ai na tha se ne duhet t’i gjejmë përgjigje pyetjes se përse vallë policët e tij janë harbutë. Ndoshta KM po na shtyn të mendojmë se harbutëria i përfshin policët e tij kur shohin fytyrat tona të shëmtuara. Kjo e fundit duhet të jetë e vërteta objektive që duhet të nxjerrim ne, me ftesë të KM, pasi ai na siguroi për integritetin e lartë të ministrit dhe figurave të larta të policisë së shtetit (duhet ta ketë fjalën për Ardi Veliun). E deri sa ata kanë integritet të lartë, policët e tyre bëhen harbutë teksa shohin fytyrat tona pa integritet. 

Natyrisht që unë mendoj për katër viktimat e 21 janarit, ndërsa KM na i kujtoi edhe një herë policen që humbi në krye të detyrës gishtat e dorës. Do të kishte vend në mendjen time për gishtat e polices së rendit, nëse nuk do të ishin ende minatorët që nuk i pamë kurrë, por që mësuam se ekzistonin vetëm prej vdekjeve të tyre të njoftuara sporadikisht në medie. Por KM si duket është shumë i ndjeshëm për gishtat e dorës. Minatorët e vdekur nëpër miniera nuk numërohen dot me gishtat e dorës. Nuk po them për viktimat e panumëruara të Covidit. Nuk po flas as për mjekët që kanë humbur jetën e tyre me siguri nga ekspozimi shumë më i lartë para virusit, pra në krye të detyrës. Covidi nuk mund ta shajmë sepse nuk është “protestues i dhunshëm”. 

Shkurt, duke na bërë portretin e protestave të dhunshme, KM bëri apologjinë e vrasjeve në 2 janar, atëherë kur bëhej fjalë përsëri për protestues të dhunshëm. Sepse për KM, protestuesit dhe policët vlejnë njësoj, janë mish për pushtet. 

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

YouTube player