PËRTEJ RREGULLAVE: KINⒶNARKIA (DIKUR DHE SOT)

User1
0 0
Shpërndaje

Në Hollywood, termi ‘anarkist’ rëndom paraqet akroniminë për agjitatorët e dhunshëm. Tej kufijve periferikë të ‘qytetit të engjujve’ (Los Angeles), ndërron situata. Aty nis tendosja e fragmentëve filmikë, të shtrirë me guxim dhe estetikë anti-autoritare.

Shkruan: Richard Porton

Përktheu nga origjinali për Rruga Press: Hana Mitrovica

La Commune (Paris 1871)

Anarkizmi si tendencë vështirë e përkufizueshme, mbetet si orientim përgjithësisht i majtë.

Ai hedh poshtë impulset hierarkike të: kapitalizmit dhe komunizmit të sojit sovjetik. Në fokus ka formën asnjanëse të organizimit. Në shikim të parë duket neutral, pseudopolitik dhe i decentralizuar. Mirëpo, drejtohet kryesisht nga angazhimi i drejtëpërdrejtë, e me ndihmesa të ndërsjella midis pjesëtarëve brenda komunitetit.

Ndonëse, numri më i madh i adhuruesve të filmit identifikojnë idenë e anarkisë me biografi qëllimmira, por prozaike si të heronjve dhe martirëve të njohur ‘Sacco & Vanzetti’ (1971) të regjisorit Giuliano Montaldo, janë të tjerë jo-anarkistë si: Luis Buñuel dhe Elio Petri, që e përqafojnë më fort shpirtin rebel të anarkizmit.

Advertisements

Publiku tashmë i ka të njohura idiosinkracitë e ish-presidentit Trump, kur kujtohen episodet mediatike dhe denoncimet që vazhdimisht po hidhte vnerë mbi, si i quante, “anarkistët e dhunshëm”.

Në vitin 1909, në kohën e filmave pa zë, regjisori D.W.Griffith në të shkurtërin e tij 16’ minutësh, titulluar “Vajtojca e Violinës”, kishte prekur temën e anarkizmit me qasje krejt groteske. Ai karikaturoi personazhin e muzicienit emigrant nga Gjermania me imazh prej anarkisti, të shtrembëruar deri në atë masë, saqë u bë mishërim i bombarduesve atëbotë të rrëmujshëm, të gatshëm e gjithnjë të ‘etur për gjak’.

Nada (1974)

Kur mediat liberale amerikane raportojnë në mbrojtje të të drejtave njerëzore të BLM, protestuesve në Portland e Seattle, me argumentin se: jetët e afro-amerikanëve kanë rëndësi (Black Lives Matter), menjëherë etiketohen si anarkistë. Madje, edhe regjisori i mirënjohur francez me prirje të majta sikundër Claude Chabrol, i prezentoi anarkistët si zelltarë por, pa humor, dhe të konsumuar nga pasioni për shkatërrim.  Filmi i tij “Nada”(1974) është tregim mbi një grup rebelësh që më shumë duken versione komike leninistësh sesa anarkistë të mirëfilltë.

Në Hollywood ka nisur njëfarë bashkëpunimi me të majtën anti-autoritare, por, përpjekja ka rezultuar më se qesharake. “Ngritja e Kalorësit”(2012) – nën regjisurën e Christopher Nolan – doli më tepër parodi gazmore me frymë anarkiste, që ta çon mallin e protagonistëve të OWS (Occupy Wall Street). Kthesë tinzare filmike nën standardin e stripit komik, ku Batman ballafaqohet me nëmësin Bane – një kopje e dobët e liderit të përjargur për hakmarrje ndaj 1%-ëshit kapitalist.

Realizimi filmik,  nxori në pah orgjitë kritike të baraslarguara, të ngjeshura me antiteza hiperbolike, nga e djathta e Ross Douthat për NYT (New York Times) e deri te Sllavoj Zhizheku i majtë. Që të dy u përpoqën të zgjidhnin fijet jokoherente të filmit.

Born in Flames (1983)

Kineastet Yvonne Rainer dhe Lizzie Borden u dëshmuan më të zhdërvjellëta në trajtimin filmik të përpjekjeve revolucionare të karakterit anti-autoritar. Dokumentari fantastiko-shkencor,“Gratë e Zjarrta”(1983), drejtuar nga Borden, erdhi si lajmëtar i asaj që sot quajmë kryqëzim ndërklasor dhe ideo-klasor. Me në qendër ekzaminimi çështjet e: feminizmit, klasizmit, seksizmit, heteroseksizmit, racizmit, etj.

Nisur nga premisa shkencore, Borden imagjinon SHBA me lider socialdemokrat të tipit Bernie Sanders, i cili mbron pagat edhe për ‘kujdestarët e shtëpisë’ por, sulmohet nga e majta – koalicioni i feministeve bardh-e-zi, të cilat nuk ngurrojnë të aplikojnë edhe metodat strategjike të dhunës. Taktikat e Ushtrisë së Grave përkojnë me atë që shkrimtarja ‘anarko-feministe’ Peggy Kornegger quan “reagim spontan, i drejtëpërdrejtë ndaj synimeve patriarkale”. Frymëzime anarkiste që prej kohësh – që nga Komuna e Parisit e deri te Lufta Civile në Spanjë.

Anarkosindikalizmi brengoset më pak për natyrën e dhunshme të rezistencës sepse e ka mendjen tjetërkund. Duke investuar në forma tjera të kërkimit si : okupimin e fabrikave, vetë-menaxhimin e punëtorëve, etj. Gjatë viteve ‘70, kjo vijë dallohej edhe te Jean-Luc Godard dhe Jean-Pierre Gorin, në filmin ‘Çdo gjë është në rregull’ (1972) – rrëfim mbi një grevë në fabrikën e mishit të përpunuar. Pastaj, te Elio Petri me kërkesën emblematike “më shumë para e më pak punë” që na sjellë në filmin ”Klasa Punëtore Shkon në Parajsë”(1971). Kreshendo e filmit arrin me çastin kur një punëtor, i nënshtruar tipik, e humbet gishtin në aksident pune, e përnjëherë i shokuar eskalon nga shoku nëpër fabrikë… gjer në radikalizimin total.

The Nothing Factory (2017)

Kohët e fundit, filmat po sintetizohen duke zbutur elementet e zemërimit, me një subtilitet  më postmodern. Shembull ambicioz është filmi “Fabrika e Asgjësendeve” (2017), ku Pedro Pinho, sipas traditës, vazhdon ta sfidojë sistemin austerë dhe degjenerues, duke i shtuar dhe  segmentet muzikore, me distorzione të lehta narrative në kuadrin filmik. I frymëzuar nga aksidenti i raportuar në fabrikën e ashensorëve ‘Otis Elevator’, Pinho përshkruan ankthet e punëtorëve ndërsa po shikojnë se si makineritë e çmontuara paralajmërojnë mbylljen e uzinës. Filmi ndahet në rrëfime të vegjël. Hovi për pushtimin e fabrikës merr tatëpjetën kur dy militantë ndërrojnë mendje. Ndodh edhe kjo. Moment interesant është ai kur kineasti  Danièle Incalcaterra hyn në skenë me qëllim ta fermentojë nismën e punëtorëve, t’ia jep trajtën e prekshme sociopolitike.

Tjetër hibrid dokumentar është edhe trillim i shekullit 21, Shkolla e Vjetër e Kapitalizmit (2009) e regjisorit Zilnik, përcjellur me sfondin e një vizite shtetërore nga nënkryetari i atëhershëm i SHBA, sot kryetar i shteteve – Joe Biden.

Metodat anti-autoritare të arsimit kanë qenë gur themeli i etosit anarkist, e asnjë film nuk mbron thelbin e pedagogjisë anarkiste më mirë se “Nota e dobët e sjelljes” (1933) e drejtuesit Jean Vigo. Filmi bashkon teket lirike me cohë autobiografike (vdekja në burg e djalit të anarkistit francez Miguel Almereyda ) Vigo gjithashtu nuk i mbetet borxh shikuesit me rrëfimin e përvojës së tij në një shkollë – konvikt skëterre.

Pavarësisht se inspiroi filmin “Nëse . . .” të Lindsay Anderson (1968) dhe të tjera mbi rebelimet shkollore, Jean Vigo është ende i patejkalueshëm me filmin që gërsheton ndjeshmëri poetike dhe entuziazëm kryengritës.

Zéro de conduite (1933)

Siç kanë vërejtur shumë spektatorë, shkollat ​​shpesh janë konstruktuar e konstituuar sipas modelit të burgjeve.  Gjenialiteti i Vigos në film, shfaqet tek aftësia e protagonistëve për të shndërruar kazamatin shkollor në zonë çlirimtare, që gjason me një shesh lojrash. Kjo vendosje e lojës bëhet edhe më e dukshme në skenën ku një nga mësuesit më simpati imiton Chaplin – ky hero i adhuruar nga filmofilët anarkistë. Skena e ngadalësuar (slow-motion) e luftës me jastëk pasqyron betejën ëndërrimtare me premtime utopike për mundësitë që ekzistojnë përtej parametrave të një institucioni të tillë, represiv.

Edhe aktivisti i njohur LGBT, kanadezi Bruce LaBruce, i bën homazhe asaj lufte me jastëk në filmin  “Misandristët”  (2017), një satirë simpatike mbi separatizmin feminist, ku dëshmohet se imazhet e filmit të Jean Vigo, mund të riaktualizohen e gjallërojnë edhe në filmat bashkëkohorë, me tematika të freskëta anti-autoritare.

La Commune (Paris, 1871) (2000)

Gjersa, historia e filmit ilustron përpjekjet e moderuara të industrisë, për t’i bashkëdyzuar arsimin dhe argëtimin, “Komuna (Paris 1871)” film i vitit 2000, nën regjinë e Peter Watkins, është përpjekja më bindëse që udhëzon se rotacioni sistemor vjen nga përpjekja e ‘njerëzve të zakonshëm’ e jo nga një kuadër elitar i revolucionarëve.

Historiani David Armitage, e ka quajtur epikën gati gjashtë orëshe të Watkins “një kryevepër anarkiste”.  Të trajtuar me hollësi e detaje për Komunën që sundoi Parisin për 72 ditë pasi lufta Franko-Prusiane kishte çuar në kolapsin e Republikës së Dytë. Megjithkëtë, në faqen e tij të internetit, Watkins nuk i referohet anarkizmit në shënimet e tij voluminoze mbi filmin.

Për më tepër, detyrohet vetë të vlerësojë fijet kontradiktore të trashëgimisë së Komunës së Parisit. Ishte eksperiment triumfues në vetëqeverisje dhe frymëzues për Marksin e Bakuninin.  Komuna përfundoi me ekzekutime të shpejta, dëbime masive ku viktimat arrijnë numrin tragjik prej 20,000 deri në 30,000 pjesëmarrës të vrarë.

Me gjithë pasojat e përgjakshme, beteja e protagonistëve për emancipim është shpresëdhënëse. Aktorët e tij, kryesisht joprofesionistë, nuk ishin elemente pasivë në procesin e prodhimit, por pjesëmarrës aktivë të cilët hulumtuan rolet e tyre, shpesh duke krijuar lidhje me karakteret dhe gjendjen të cilën personazhet e jetojnë. Pasiviteti ‘është ndoshta fjala më e ndyrë në leksikun e Watkins – sipas tij. Ai shpreson që anëtarët e audiencës, edhe aktorët, të shmangin indolencën dhe të bëhen ata që filozofi Jacques Rancière i quan: “spektatorë të emancipuar”.

©RrugaPress Të gjitha të drejtat të rezervuara

Next Post

Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet me PPP, kontratë koncesionare për 35 vite

ShpërndajeQeveria shqiptare ka miratuar vendimin që i hap rrugën koncesionit të aeroportit të Vlorës. Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, projekti për ndërtimin e aeroportit të Vlorës do të zbatohet nga konsorciumi Mabco Constructions Sa, Yda Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi, 2A Group, sh.p.k. Kontrata e koncesionit PPP është […]